Foto nga Kuvendi i Shqipërisë

Eduard Zaloshnja: Veting politikanëve! Pavarësisht kush dhe pse e propozon

1 Shkurt 2022, 09:39| Përditesimi: 1 Shkurt 2022, 09:41

  • Share

Në focus groups të zhvilluara ditët e fundit, kam parë se pothuaj të gjithë pjesëmarrësit në to e përkrahnin me zjarr idenë e vetingut të politikanëve. Dhe Lulzim Basha ka qenë politikani i parë që e ka propozuar dhe i mëshon fort domosdoshmërisë së vetingut të politikanëve e zyrtarëve kryesorë shqiptarë. Por as Ramistët, as Berishistët e as Metistët në Kuvendin e Shqipërisë nuk e përkrahin këtë nismë të tij…

Disa nga këta kundërshtarë të nismës e sulmojnë duke e quajtur propozimin një hipokrizi të dikujt që vetë bën jetë luksoze në vila. Disa të tjerë e quajnë thjesht një artificë propagandistike, që nuk ka mundësi praktike të realizohet. Por pavarësisht argumentave të tyre, në thelb të këtij kundërshtimi në kor ndaj nismës së Bashës ndoshta qendron fakti se shumica dërrmuese e deputetëve (që duhet ta votojnë ligjin përkatës në Kuvendin e Shqipërisë) bëjnë një jetesë dukshëm luksoze, e cila nuk mund të justifikohet me të ardhurat e tyre të deklaruara.

Nga detajet e propozimit për vetingun e politikanëve dhe zyrtarëve kryesorë shqiptarë, kuptohet që si model Basha ka marrë vetingun amerikan. (Në fakt, ndryshe nga Britania e Madhe, vetingu quhet background check në SHBA.) FBI-ja amerikane bën një kontroll të imët të të gjithë jetës së kandidatëve për poste politike në administratën ekzekutive (duke filluar nga kandidatët për president e deri tek drejtorët e drejtorive të rëndësishme). Të njëjtën gjë bën edhe për kandidatët e posteve të rëndësishme të sistemit gjyqësor e legjislativ.

Gjatë vetingut që kryen FBI-ja, intervistohen të njohur të kandidatëve qysh nga koha e gjimnazit, hetohet për rrethin e afërt familjar të kandidatëve, për financat e tyre, për lidhjet shoqërore, etj. Dhe jo rrallë, kandidatë për poste politike në administratën ekzekutive apo për poste të rëndësishme në sistemin gjyqësor e legjislativ janë tërhequr, pasi FBI ka zbuluar diçka në të kaluarën e tyre.

Për shembull, një kandidate e Presidentit Klinton për Sekretare të Punës dhe Sigurimeve Shoqërore u tërhoq, pasi FBI-ja zbuloi se dikur kishte punësur në të zezë disa muaj një pastruese shtëpiake. Se fundmi, njeriu më i afërt i Trump-it qysh nga dita e parë e fushatës së tij elektorale arriti të bëhej Drejtor i Personelit të Shtëpisë së Bardhë vetëm në vitin e fundit të presidencës Trump, kur FBI-ja vërtetoi katërcipërisht se disa depozita bankare cash të tij kishin patur burim legjitim nga fitme në kazino.

Realizimi në praktikë i vetingut të politikanëve dhe zyrtarëve kryesorë shqiptarë mund të vonojë disi pas miratimit eventual në Kuvend të ligjit të vetingut të politikanëve, ose Basha vetë mund të bëhet viktimë e tij (në qoftë se nuk e justifikon dot pasurinë që ka). Por këto nuk janë arësye përse një ligj i tillë të mos diskutohet e votohet në Kuvend.

Sa më shpejt të votohet, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë…

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ilir: 01/02/2022 12:34

    Vetingu ne drejtësi e permban vetingun ne politike, polici, apo kudo tjeter! Per shembull, nese nje politikan nuk deklaron pasurine apo nuk justifikon burimet e saj, drejtesia e ndeshkon sipas ligjeve te deklarimit apo te vjedhjes. Drejtesia eshte ajo qe ka nevoje te vetepastrohet se ajo nuk varet as nga politika e as nga ndonje institucion tjeter jashte saj. Te gjitha institucionet e tjera i nenshtrohen vendimeve te drejtesise. Kuvendi eshte i vetmi organ qe percakton ligjet, rre gullat qe duhet te zbatoje drejtesia, por kuvendi, deputetet zgjidhen nga populli, pra i nenshtrohen gjykimit te popullit dje ndeshkohen nëse bejne ligje ne kundershtim me deshirat e shumices. Si perfundim, Basha ja fut pord.ës kur flet per veting te politikaneve e kete e ben ose ngaqe aq trù ka ose e do qe po kerkon diçka absurde por do te hiqet si ideator.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?