I ftuar në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishte Eduart Gjopalaj, skulptori dhe mjeshtri i drurit që jeton në ishullin e Santorinit prej 30 vitesh. ”Në fillim të viteve 90, u zhvendosa në ishullin e Santorinit në kërkim të një jete më të mirë, por meqë u gjenda shumë mirë këtu, vendosa të jetoja” e nis kështu rrëfimin Eduarti, me origjinë nga veriu i Shqipërisë.
Ai e filloi udhëtimin e tij në fushën e gdhendjes së drurit, fillimisht si asistent në një punishte marangozi dhe më pas hapi punishten e tij. Pak nga pak karriera po i merrte formë. Karakteristikat mistike dhe unike të drurit, një material natyral dhe i gjallë, janë ato që e mahnitën Eduartin që nga fillimi. Shumë herë, modelet dhe llojet e drurit janë ato që e udhëheqin dhe e frymëzojnë atë për të sjellë në jetë idetë krijuese.
”As vetë nuk e di se çfarë magjie ndodh kur kam drurin përpara meje dhe nis të punoj me dalta”tha ai gjatë lidhjes direkte nga ishulli i bukur i Santorinit.
Puna artistike e Eduartit ndikohet nga stile të ndryshme duke përfshirë tema moderne, abstrakte dhe madje edhe fetare, ndërsa falë pasionit, dëshirës dhe ambicies, ai sot ka në ishull tre atelie të njohura që njihen shumë në zonë.
”Mbaj mend që punën time të parë e shita tek një turist i huaj që kishte ardhur për pushime në ishull dhe nga ai moment u mbusha me një kënaqësi të papërshkrueshme” vazhdoi më pas ai.
Një moment i rëndësishëm për të është kur vajti në Los Angeles në një konkurs ndërkombëtar dhe u prezantua me një skulpturë druri të Nënë Terezës. Nëse dëshironi të takoni një artist të vërtetë pasionant, i cili nxitet nga dashuria për atë që bën, vizitoni Eduartin në Galerinë e tij në qytetin e Firës, pranë Katedrales Katolike në Santorini.