Mediat mainstream të së majtës nga SHBA e deri në Evropë, e akoma më keq në Shqipërinë tonë periferike, prodhojnë me dhjetëra shkrime në ditë kundër Presidentit Trump. Narrativa kryesisht bazohet në vizatimin e Presidentit Amerikan si “apolitik”, “I paqëndrueshëm”, “diletant”, “adhurues I diktatorëve”, “ksenofob” e lloj-lloj epitetesh si këto. Përgjithësisht parulla të gatshme që serviren si analiza, “këqyrje të thelluara” të veprimeve dhe vendimeve të administratës së re bazuar në çështjet e emigracionit, vendosjes së tarifave doganore, konfliktit Ukrainë-Rusi dhe tashmë edhe acarimit të marrëdhënieve SHBA-Venezuelë. Por deri tani ky acarim I të majtës liberale dhe pse jo me inspirim komunist në disa raste të kritikës në politikën e jashtme, duket më I përmbajtur se protestat e dhunshme të lëvizjeve “wok-e” gjatë mandatit të parë të Trump. Së pari sepse sot nuk kemi pandeminë si burim histerie dhe së dyti për shkak të fitores për herë të dytë të Trump që ju a ka ulur dozat e entuziazmit dhe shock-ut të herës së parë.
Por le ti marrim me radhë çështjet dhe arsyet e kritikës së të majtës kryesisht liberale. Nga pikëpamja e tyre janë legjitime, duke faktin që demokratët e humbën pushtetin pikërisht prej dështimit të tyre e mos reflektimit në mandatin Biden, po aq sa prej këmbënguljes së Trump. Së pari, çështja e tarifave ndaj mallrave të importit që nga Kina e deri në Evropë, ka shkaktuar zemërimin më të madh. Për të majtën liberale, bota është një “fshat global” në të cilin dominon tregtia e lirë që rrit konkurrencën e ul çmimet për konsumatorin, pra “njeriu e ri” që blen lirë dhe kësisoj është I lumtur. E parë kështu, bën kuptim kritika e tyre ndaj një politike merkantiliste që po zbaton Trump. Duke rritur tarifat ndaj mallrave të importit me qëllim mbrojtjen e ekonomisë prodhuese amerikane, Trump nuk po bën gjë tjetër përveçse po ul dëmin e shkaktuar nga kosto e ulët prodhimit të mallrave, por ndërkohë në SHBA dhe Evropë shumë njerëz kanë humbur vendet e punës për shkak të zhvendosjes se fabrikave jashtë vendeve të tyre. Kur u votua Brexit, shumica dërrmuese e votave pro daljes nga BE, erdhën nga Anglia lindore që tradicionalisht ishte prodhuesja kryesore e tekstileve, që prej vitesh prodhoheshin në Azi, duke rritur papunësinë në ato rajone britanike. Vërtetë përshkruante The Economist në atë kohë, “një palë blue jeans kushtonin më lirë, por për një të papunë nuk kishte më rëndësi çmimi, por pamundësia për ti blerë”. The Economist është revista leader liberale ndërkohë! Në atë shkrim bëhej thirrje për ristrukturim të ekonomisë britanike si kundërmasë për zhvendosjen e kompanive jashtë Britanisë, por nga teoria në praktikë nuk ndodhi asgjë. Liberalët vërtetë janë të traumatizuar nga kjo politikë konservatore non-global, por Trump dhe në atë kohë udhëheqësit anglezë të lëvizjes Brexit nuk shpikën asgjë të re. Thjeshtë rimorën tezën e ish Presidentit Amerikan Alexandër Hamilton, I cili shkruante 180 vjet më parë se “e dua shumë tregun e lirë, por më shumë dua ekonominë amerikane”. Me pak fjalë, një politikë e tregtisë së lirë në nivel global që dëmton ekonominë amerikane apo angleze, duhet ndalur. “dora e fshehtë” e Adam Smith vlen për tregun e brendshëm e jo atë të jashtëm. Mjafton të shohim krizën e sektorit të automjeteve në Gjemani e më gjerë në Evropë, për të kuptuar që tregtia e lirë që fuqizon kompanitë kineze e falimenton ato gjermane, është një çmim shumë i lartë për tu paguar, thjeshtë për hir të këmbënguljes së dogmatikëve liberalë!
Kritika e dytë e ashpër vjen për shkak të politikës së Trump ndaj emigracionit. Në një përpjekje të fortë për të luftuar emigracionin e paligjshme, Trump apo edhe Meloni e Orban kryqëzohen 24 orë në 24 nga të njëjtat qarqe mediatike e politike. Të etiketuar si ”ksenofobë’ për shkak se kanë ndërmarrë masa ndaj emigracionit të paligjshëm, udhëheqësit konservatorë po përpiqen të frenojnë përmbytjen demografike që I ka rrënjët në Amerikën Qendrore e Latine e deri në Afrikë. Pse po sulmohen? Sepse pas sulmeve qëndron prapë ëndrra absurde e “fshatit global” ose e thënë ndryshe “hanit pa porta”. Kushdo mund të shkojë të jetojë ku të dojë pa I marrë leje kujt, duke goditur drejtpërdrejtë sovranitetin e shteteve. Asnjë qeveri sipas liberalëve nuk të drejtë të pengojë emigrantët që hyjnë pa vizë pune në një vend pasi e gëzojnë këtë drejtë universale. Po shtetet e qeveritë që kanë për detyrë të mbrojnë kufijtë e tyre çfarë duhet të bëjnë?! Thjeshtë duhet të pranojnë cdo emigrant që ikën nga shtete të keq-qeverisura nga konfliktet civile, krimi, korrupsioni etj..?! Po pse duhet të mendojnë amerikanët fjala vjen për guatemalasit, ndërkohë që qeveria e tyre bën të kundërtën?! Kush ja u ka përcaktuar këtë mision SHBA-ve ndërkohë që Trump është votuar pikërisht për të vendosur rregull në politikën e emigracionit sa I përket sigurisë dhe kërkesave të tregut të punës?! Për sa kohë një President është zgjedhur pikërisht për disa arsye dhe pala tjetër ndërkohë ka humbur zgjedhjet pikërisht për këto çështje, mirë është që të reformohet pala humbëse e jo të çirren kundër fituesit!
Së treti, tonet kundërshtuese kanë ardhur në politikën e jashtme, e sidomos lidhur me konfliktin Ukrainë-Rusi. Pasi demokratët e qeveritë e gjysmës së Evropës prej 3 vitesh kanë ndihmuar Ukrainën për të rimarrë pa sukses territoret e pushtuara, Trump ka nisur bisedimet e paqes që askush nuk I nisi para tij. Duhet një zgjidhje që nuk po vinte që nga nisja e konfliktit pa fitues. Mes miliardave të armatimeve, qindra mijëra viktimave e një dëmi ekonomik që llogaritet në 500 miliardë dollarë për të ringritur Ukrainën, qëndron nisja e bisedimeve për paqe. Por sapo u ulën në bisedime, rifilloi histeria. Që nga “Trump është shitur te rusët’, apo “fitorja e Putinit në Alaskë” etj, etj.. Çështja është se Trump nuk shpiku asgjë të re e as nuk sillet si diletant, thjeshtë nisur nga qasja realiste ne marrëdhëniet ndërkombëtare, njeh pretendimin e Rusisë si fuqi rajonale që ndihet e kërcënuar nga anëtarësimi I Ukrainës në NATO. Ndërsa kritikët liberal, këmbëngulin në cenimin e ligjit ndërkombëtar që ndërkohë është shkelur nga Rusia, por që nuk arritën as ta parandalonin sa ishte Biden President I SHBA, e as arritën ta rivendosnin për sa kohë rusët zotërojnë 20% të territorit në Ukraine! Këmbëngulja në gabim, nuk është zgjidhje. Mbase ka ardhur koha për rrugë të reja! Por një gjë është e sigurt, SHBA janë futur dy herë në luftra botërore që kanë nisur në Evropë. E këtë Trump e administrata e tij e dinë mirë! E po te lexohen me kujdes kujtimet e Curcill, e kupton se diçka nuk shkon në pikëpamjen liberale ndaj Rusisë. Ndaj “America first” nuk është thjeshtë një parullë izolacioniste siç pretendojnë kundërshtarët e tij, por edhe një mënyrë për mos hyrë në aventura që për nga historia kanë prodhuar katastrofa. Tek e fundit, Trump sërish është votuar edhe për këtë arsye. Mbase ai gabon, por kundërshtarët e tij nuk patën sukses!
Dhe e fundit, çështja e Venezuelës. Vendimi I Presidentit Amerikan për të dërguar 4 luftanije me 4500 trupa në ujerat pranë Venezuelës është konsideruar si “veprim imperialist” jo vetëm nga Maduro, por edhe nga kritikë të majtë të tij. Por qëllimisht harrohet mbase se kjo qasje nuk është asgjë më shumë se kthim tek Doktrina Monroe, e cila përcaktonte qartë sipas ish Presidentit Amerikan, se “Amerika Latine dhe Qendrore janë pjesë e zonës së influencës së SHBA” dhe se “asnjë vend euopian nuk mund të ndërhyjë në atë pjesë të hemisferës”. C’ka u tha qartë nga zëdhënësja e Presidentit ditën që u njoftua vendimi. Vetëm se ndryshe nga konteksti I kohës së përcaktimit të ish Presidentit Monroe 1 shekull e gjysmë më parë, nuk janë shtetet kolonizatorë evropiane kërcënimi por Irani, Rusia e Kina ato që po nxisin rrezikun venezuelian ndaj SHBA. Një vend qeveria e të cilit po përmbyt SHBA me fentanil, një drogë sintetikë që ka vrarë 48 mijë persona në 2024, e që për më tepër hyn në Venezuelë nga Kina për tu trafikuar më pas nga kartelet vendase e meksikane. E po të shohim dhe marrëdhëniet ushtarake të Maduros me Iranin, Rusinë e Kinën që nxisin qëndrimet anti-SHBA të një ish shoferi marksist, e që ndërkohë ka prodhuar 10 milionë emigrantë të paligjshëm në vendet fqinje e SHBA, dallohet qartë roli I tij destabilizues në të dyja Amerikat.
Pasi u rreshtuan 4 çështjet kryesore që kanë shkaktuar reagimet e ashpra ndaj Trump, kuptohet se nuk ka ndonjë gjë të re për tu skandalizuar. Trump nuk po ecën në rrugë të pashkelura as në lidhje me emigracionin, as me tarifat doganore, as konfliktin Ukrainë-Rusi e as prag-ndërhyrjen në Venezuelë. Thjeshtë po sillet si një konservator e realist në rrugë të shtruara më parë. Ata që po reagojnë më zë të lartë ndaj Trump, mbase kanë ngatërruar shënjestër. Do ishte më e udhës të kuptojnë pse kanë tradhtuar të majtën social-demokrate nëse duan të jenë konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, e aq më tepër të mos harrojnë se globalizmi ka vdekur bashkë me lindjen e ambicieve të Kinës e Rusisë për një rend të ri botëror. Pikërisht mbi ushqimin që u dhanë vetë globalistët me ëndrrën e tyre utopike të “fundit të historisë”, me të cilën Fukuyama dështoi në mënyrë spektakolare! Kina e Rusia nuk u shndërruan as në ekonomi tregu të lirë e as në parajsa demokratike. Për këto e të tjera, kundërshtarët lberalë mos të skandalizohen me Trump, por me kokëfortësinë për të mos parë realitete që qëndrojnë mni dogmat e konsumuara. Tek e fundit demokracia është garë, rëndësi ka që është sistem vetëkorrigjues. Por një garë e humbur nuk mund të rifitohet me të njëjtat mënyra. Përndryshe delitetantët nuk janë konservatorët, po rata që e kërkojnë dështimin me çdo çmim. Atë të humbjes.
Komente
