Zhvlerësimi i monedhave të huaja, kryesisht i euros, ka ndikuar negativisht në arkën e shtetit duke mos realizuar mbledhjen e të ardhurave të planifikuara. Sipas një raporti të Ministrisë së Financave, vjet buxheti humbi 170 milionë euro vetëm nga kursi i këmbimit. Nga ana tjetër dobësimi i valutave po ndikon pozitivisht në uljen e borxhit publik.
***
Bekim për borxhin dhe ndëshkim për arkën e shtetit. Zhvlerësimi i pa ndalur i valutave në 3-vjeçarin e fundit po ndikon pozitivisht në uljen e borxhit publik të marrë në monedhë të huaj pasi e bën më të lirë kthimin e tij, por nga ana tjetër ka ulur edhe të ardhurat që mund të përfitojë buxheti nga tatimet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, buxheti i shtetit humbi vjet 170 milionë euro për shkak të zhvlerësimit të euros dhe dollarit, pasi mblodhi më pak para nga doganat.
Ndërsa arka e shtetit nuk arriti të mblidhte gjatë vitit të kaluar 160 milionë euro të parashikuara nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, 9.6 milionë euro nga taksat doganore dhe 2.5 milionë euro nga renta minerare.
Edhe pse me shifra më të ulëta se vjet, edhe viti 2025 po shoqërohet me mosrealizim të planit për shkak të zhvlerësimit të valutave por edhe prej rënies së çmimeve në tregjet e huaja.
Në 7 muajt e parë të vitit, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, nuk është realizuar plani për të ardhurat nga taksat doganore me 2 milionë euro, ndërsa tek të ardhurat tatimore janë mbledhur 5.1 milionë euro më pak nga TVSH-ja.
Tkurrja e monedhave të huaja vijon të godasë fort eksportuesit, të cilët i kanë fitimet në euro dhe shpenzimet në lekë, për pasojë ata fitojnë më pak para kur shesin produktet e tyre jashtë vendit.
Ndërkohë dobësimi i valutave uli me 3% borxhin publik në monedhë të huaj vjet, trend që vijon edhe këtë vit.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, borxhi publik ka rënë në 54.02% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 54.21% në fund të vitit të shkuar, i ndikuar kryesisht nga zhvlerësimi i euros dhe dollarit.
Borxhi i jashtëm zbriti nga 6.5 miliardë euro në fund të marsit në 6.2 miliardë euro në qershor.
Ndërsa në total borxhi i vendit përllogaritet në 14.1 miliardë euro.
Zhvlerësimi i valutave dhe kryesisht i euros e ka bërë më të lirë borxhin e huaj, për shkak se këstet e shlyerjes kanë qenë më të ulëta.
Komente
