Efektivët e FA 'në luftë' me flakët, u bashkohen forcave operacionale për shuarjen e zjarreve

19 Korrik, 10:18| Përditesimi: 19 Korrik, 10:49

  • Share

Efektivë të Forcave të Armatosura u janë bashkuar forcave operacionale në disa qarqe të vendit, të cilat nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile janë në betejë me zjarret.

Situata më problematike këto ditë ka qenë në qarkun e Dibrës, në Balgjaj, Klos dhe në fshatin Madhesh, në Ulëz, ku flakët përfshinë sipërfaqe me pyll, dushqe dhe pisha.

Efektivët e Batalionit III të Burrelit, të angazhuar në këto operacione, tregojnë vështirësitë e punës për shkak të terrenit.

“Kemi disa ditë që jemi në vendngjarje. Ka pasur disa vatra të ndezura dhe kemi punuar me intensitet të lartë për t’i shuar ato,” thotë Nëntoger Kejdi Vani, duke shtuar se ndihma nga Forca Ajrore ka qenë shumë e rëndësishme në këtë betejë.

Tetari Klodjan Troci thekson se çdo mision ka rreziqet e tij, por terreni i vështirë dhe i thepisur në këtë zonë e bën punën edhe më sfiduese.

“Forcat tona janë në terren gjatë gjithë kohës dhe besoj se kemi kryer detyrën si duhet. Kemi qenë të angazhuar plotësisht që nga momenti i parë kur morëm njoftimin dhe do të vazhdojmë punën deri në shuarjen e plotë të vatrave të zjarrit,” shprehet ai.

Teksa ka falënderuar çdo efektiv për sakrificat e tyre në këto ditë me temperatura tejet të larta, Ministria e Mbrojtjes ka bërë një apel për të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm gjatë kësaj periudhe të nxehtë, të shmangin çdo pakujdesi që mund të shkaktojë zjarr.

"Kujdesi ndaj zjarreve është një përparësi e përbashkët, dhe bashkëpunimi i qytetarëve me autoritetet është thelbësor për të shmangur katastrofat dhe për të ruajtur natyrën dhe pronën tonë të përbashkët", njoftoi ministria.

Ora 10:42
Vatra aktive zjarri në Lurë, Cara: Rreth 50 forca zjarrfikëse në luftë me flakët! Rrezikohen edhe banesat

 

Prej 2 ditësh “Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin” po lufton me flakët e zjarrit në Njësinë Administrative Lurë pikëtisht në Pregjë-Lurë ku vatra e zjarrit vazhdon të jetë aktive.

Rreth 50 forca zjarrfikëse nga Dibra, Mati, Klosi dhe Mirdita të drejtuara nga Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së Arben Cara po punojnë për lokalizimin e vatrës së zjarrit.

"Kemi mbajtur në kontroll vatrat e zjarrit këtu në Pregjë-Lurë, ku rreth 50 forca zjarrfikëse po luftojnë me flakët për të shuar vatrat e zjarrit", tha Drejtori i Përgjithshëm i MZSH-së Arben Cara.

Në ndihmë të zjarrfikësve ka ardhur edhe helikopteri i Ministrisë Mbrojtjes i cili po punon për shuarje e zjarrit, ndërsa zjarri rrezikon banesat e fshatit Pregjë-Lurë.

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?