Tirana, ekipi që udhëheq Superligën do të luajë të dielën ndeshjen e javës së 28 të kampionatit në transfertën e Gjirokastrës. Për momentin bardheblutë duken të sigurtë në rrugën drejt titullit kampion, por ditët e fundit më shumë vëmendje ka marrë një tjetër çështje. Kjo pasi të shtunën, një ditë para takimit, të gjithë pjestarët e ekipit i janë nënshtruar testeve për koronaviursin, pasi në mesjavë bardheblutë luajtën kundër Bylisit, që më herët raportoi për një të prekur në rradhët e tyre. I pyetur para ndeshjes nëse kjo ka patur ndikimit të skuadra, trajneri i Tiranës Emanuele Egbo, përgjigjet:
“Kjo ndoshta është më mirë edhe për ne nga ana personale që ta dimë. Duhet ta kishim bërë gjatë kësaj kohe tamponin që të rrinim rehat. Jo vetëm ne por të gjithë ekipet, që të vazhdonte kampionati normalisht.”
Ndërkohë takimi më i rëndësishëm përsa i përket aspektit sportiv të javës së 28 është Partizani-Kukësi, që gjithashtu luhet në orën 17:00. Të kuqtë vijnë pas humbjes me Skënderbeun dhe rrezikojnë të zbresin në zonën e kuqe, diçka e pamendur për ekipin kampion, por te Kukësi, konkretisht trajneri Shehi i vlerëson shumë kundërshtarët:
“Është nje ndeshje e rëndësishme për objektivat që kemi. Janë kampionët në fuqi edhe pse kanë rezultate jo të mira por kanë skuadër të mirë, prandaj ka shkallë vështirësie të lartë, por futemi për maksimumin.”
Sakaq Vllaznia, e cila këtë javë mbeti pa trajner pas Mirsad Jonuz u largua për shkak të rrogave, do të luajë në transfertë kundër Laçit, Bylis pret Teutën, ndërsa Skënderbeu do të udhëtojë në Vlorë.