Një tragjedi ka ndodhur në plazhin Hurghada në Egjipt, ku një 24-vjeçar rus është masakruar nga një peshkaqen tigër në Detin e Kuq.
Autoritetet egjiptiane kanë konfirmuar vdekjen e turistit dhe kapjen e peshkaqenit, i cili më pas është dërguar për ekzaminime në laborator.
Në videon e xhiruar nga turistët në bregdet, të cilët nuk mund të bënin asgjë për t’ia shpëtuar jetën shihet qartë i riu që sulmohet vazhdimisht nga peshkaqeni tigër.
Nga pamjet duket momenti kur 24-vjeçari fillon të lëvizë përreth, pa drejtim të caktuar, kur pranë tij shihen pendët e një peshkaqeni të madh.
Viktima është një 24-vjeçar i cili ka qenë me pushime me të atin, madje dëgjohet duke bërtitur: “Babi, babi” derisa uji mbulohet nga gjaku i tij.
Një zhytës mbërriti në vendngjarje menjëherë pas sulmit, së bashku me persona të tjerë, por fatkeqësisht nuk kanë mundur ta shpëtojnë të riun.