Skënderbeu mori në javën e 30 të Superligës, goditjen e fundit duke mos mbijetuar në elitën e futbollit shqiptar. Skuadra korçare, tetë herë kampione e vendit, u mposht 0-1 nga Egnatia, që nga ana tjetër lufton për të shmangur ‘play-off’.
“Luajtëm për fitore se ishim të mobilizuar. Patëm një javë të mirë sidomos pas ndeshjes me Partizanin. Megjithatë dalja e Berishës me të kuqe na dëmtoi shumë,”-tha Skënder Gega, trajner i Skënderbeut.
“Ndeshje mjaft e vështirë, një rival shumë I fortë, sepse Skënderbeu e kishte sot atë mundësinë e fundit për t’u ringritur. Na vendosi shumë në vështirësi,”-u shpreh Zekerija Ramadani, trajner i Egnatias.
Edhe Dinamo, ashtu si Skënderbeu, mori goditjen e fundit lidhur me shpresat për mbijetesë. ‘Nëndetësja’ u mposht 0-1 nga Teuta, kampionia në fuqi që këtë fund kampionati ka hyrë në zonën e rrezikut.
“Më vjen keq shumë për lojtarët sepse tentuam të prodhojmë lojë dhe të luajmë mirë. Ndikoi edhe fakti se patëm lojtarë të rinj në fushë,”-deklaroi Rodolfo Vanoli, trajner i Dinamos.
“E nisëm lojën pakët vakët, por pas minutës së 30 filluam të interpretonim më mirë, duke ardhur edhe rasti i Emiljanos. Normalisht që mund të kishim bërë më mirë, por në këto pozita që ndodhemi ishte shumë e rëndësishme fitorja,”-tha Renato Arapi, trajner i Teutës.
Sfida tjetër e ditës së dielë mes Tiranës dhe Kastriotit u mbyll 0-1.