Kupa e Shqipërisë

Egnatia vjen në 'Air Albania' me 17 autobusë me tifozë, Kukësi i sfidon për trofeun e 72-të në Kupën e Shqipërisë

12 Maj, 22:26| Përditesimi: 12 Maj, 22:27

  • Share

Kukësi dhe Egnatia luajnë të martën në 19:00 për finalen e Kupës së Shqipërisë, trofeu i 72-të në historinë e këtij eventi. Nga Rrogozhina drejt "Air Albanias" në Tiranë pritet të udhëtojnë një numër i konsiderueshëm tifozësh, teksa janë konfirmuar 17 autobusë me tifozë, veç atyre që do udhëtojnë privatisht apo që banojnë në kryeqytet. Edhe nga ana e Kukësit pritet që të ketë mbështetje të konsiderueshme.

Të dyja skuadrat kanë pasur një ecuri fantastike këtë sezon në Kupën e Shqipërisë, teksa rrugëtimi i tyre nisi në fazën e 1/8-ave. Kukësi avancoi më tej pasi mundi Elbasanin 1-0, ndërsa Egnatia fitoi ndaj Lushnjes 2-0.

Në çerekfinale, Kukësi bëri mrekullinë pasi ja doli të kalonte Partizanin, duke avancuar më tej vetëm nga penalltitë, ndërsa Egnatia i fitoi të dyja takimet me Laçin dhe siguroi kualifikimin.

Për të kaluar në finale të dyja skuadrat nuk e patën aspak të lehtë. Kukësi u përballë me Tiranën dhe falë fitores në ndeshjen e parë në shtëpi dhe mbrojtjes së rezultatit në takimin e dytë siguroi finalen.

Në anën tjetër, Egnatia gjeti Vllazninë në gjysmëfinale dhe pas triumfit në ndeshjen e parë, gjiithçka u vendos në sfidën e kthimit në “Loro Boriçi” ku Egnatia realizoi golin e kualifikimit vetëm në shtesë, duke siguruar finalen e dytë radhazi në Kupën e Shqipërisë.

Një rrugëtim i jashtëzakonshëm për të dyja skuadrat që të martën në mbrëmje në stadiumin “Air Albania” prej orës 19:00 do të luftojnë për të fituar trofeun e 72-të në histori të Kupës së Shqipërisë. Egnatia është mbajtëse në fuqi e trofeut.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?