Dosje

Egon Gjadri, mjeshtri i rreth 70 veprave inxhinierike, 50 veprave hidroteknike dhe 20 tuneleve hekurudhore! Inxhinieri që projektoi Shqipërinë perfekte!

14 Prill, 19:23| Përditesimi: 14 Prill, 19:42

  • Share

Kush është Egon Gjadri, mjeshtri që e ktheu ujin në dritë dhe që na trashëgoi Shqipërinë e sotme? Ky shkrim botohet në prag të 90 vjetorit të lindjes, së Profesor Egon Gjadrit, Nderi i Akademisë Shqiptare të Shkencave. Më 16 maj 2024, në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësisë së Shqipërisë në Komitetin Ndërkombëtar të Digave të Mëdha (ICOLD), Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë i akordoi Profesor Inxhinier EGON GJADRIT (pas vdekjes) Diplomën e Mirënjohjes “NDERI I AKADEMISË”, me motivacionin:

“Bashkëhartues i skemës së shfrytëzimit të energjisë ujore në rrjedhën e lumit Drin; me kontribut origjinal tekniko-shkencor për projektimin e tuneleve të veprave të mëdha hidroteknike dhe të konstruksioneve të tjera hekurudhore e rrugore; si dhe për organizimin dhe drejtimin profesional të ekipeve të suksesshme për projektimin e digave më të mëdha të vendit tonë, si drejtues i suksesshëm në zbatimin krijues të shkencës në projektim”.

Profesor Inxhinier Egon Gjadri ka lindur në Tiranë më 23 Maj 1935..

Nëna e tij Zejnepe Toptani, ishte vajza e Abdi Toptanit, i njohur si veprimtar i çështjes kombëtare, firmëtar i deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe ministër i Financave në qeverinë e parë të Ismail Qemalit.

Babai i tij, Profesor Gjovalin Gjadri ka qenë inxhinieri dhe konstruktori i famshëm i urave që ka projektuar dhe ndërtuar disa nga urat kryesore ne Shqipëri si për shembull: Zbatimin e projektit të Urës së Matit, Urën e Mbrostarit, Urën e Rrogozhinës, Urën e madhe para ish Hotel Dajtit në Bulevardin Dëshmorët e Kombit në Tiranë, Urën e vjetër dhe të re te Gomsiqes, etj…

Pse është i jashtëzakonshëm Gjovalini? Sepse nuk ndërtoi vetëm ura prej betoni, ai ndërtoi ura mes kohëve, duke lidhur të shkuarën me të ardhmen, dhe vendin e tij me zhvillimin modern.

Në vitin 1953 , Egon Gjadri përfundon me rezultate të shkelqyera studimet e shkollën së mesme në gjimnazin “ Qemal Stafa”.

Në vitin 1958, përfundon studimet e larta universitare, gjithashtu me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe diplomohet INXHINIER NDËRTIMI, nga ku më pas ai do të bëhej edhe kryetar i komisionit që do të jepte diplomat për inxhinierët e rinj.

Menjëherë pasi diplomohet Inxh, EGON GJADRI në muajin Shtator te vitit 1958 fillon punën si Inxhinier në grupin e projektimit tё hidrocentraleve pranё Ministrisё sё Ndёrtimit, ku fillimisht do angazhohet në grupin e projektimit të Hidrocentralit të Shkopetit.

Pas angazhimit në grupin e projektimit të hidrocentralit të Shkopetit, Inxhinier EGON GJADRI do të caktohet anëtar i grupit të punës për projektimin e dy hidrocentraleve të Bistricёs, ku realizoi me sukses projektimin e tuneleve tё tyre, si dhe disa elemente të tjera në këto vepra.

Duke filluar nga vitet 1960, Inxhinier EGON GJADRI punon intensivisht si bashkёautor i shumë studimeve, si ai i shfrytëzimit hidroenergjitik tё lumit Drin, i hartimit të shumë skicë - ideve, projekt - ideve,e projekteve teknike të Hidrocentraleve.

Veprat hidro-energjitike tё ndёrtuara me sukses nё lumin Drin, si për shembull: Hidrocentrali i Vaut tё Dejёs, Hidrocentrali i Fierzёs, Hidrocentrali i Komanit dhe vepra tё tjera tё mёvonshme, janё frut i punёs sё madhe studimore, projektuese e zbatuese i gjithë atyre inxhinierëve dhe punonjësve që realizuan atë Skemë shfrytëzimi.

Ndër gjithë këta inxhinierë projektues e zbatues veprash të tilla në vite, rol dhe merita të veçanta ka patur Kryeprojektuesi, Profesor-Inxhinier EGON GJADRI, i cili nga viti 1973 do të emërohej Drejtues i Institutit të Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve, ku u projektuan kёto vepra, në të cilin ai fillimisht u ngarkua me detyrёn e nёn/drejtorit deri në vitin 1983 dhe nga ky vit, deri në vitin 1993, u ngarkua me detyrën e Drejtorit të këtij Instituti.

Si drejtues i Institutit të Projektimit dhe Ndërtimit të Hidrocentraleve për 20 vite me radhë, Profesor Inxhinier EGON GJADRI punoi me përkushtim, me të gjithë forcën dhe talentin qё e karakterizonte, jo vetёm si drejtues, por edhe si specialist.

Në këto vite, Profesor Inxhinier EGON GJADRI vazhdoi të ishte firma kryesore, veçanёrisht nё studimin dhe projektimin e tuneleve hidroteknike tё devijimit e shkarkimit të plotave me kapacitete pёrcjellёse tё larta, mbi 1800 m3/sek, si dhe i tuneleve tё sjelljes sё ujit nё turbinat, nё hidrocentralet e Fierzёs dhe Komanit, si dhe nё vepra tё tjera tё rёndёsishme nё Nyjet hidroteknike tё Banjёs dhe Bovillёs, deri te skicë-idea për hidrocentralin e Skavicës.

Profesor- Inxhinier EGON GJADRI ka qenë firmё e kёrkuar edhe pёrtej fushёs sё Hidroteknikёs, veçanërisht si projektues kryesor edhe i shumё tuneleve hekurudhorё e rrugorё tё ndёrtuar gjatё viteve 1970-1990 nё vendin tonё. Ndër veprat e këtij lloji mund të përmenden: Tuneli hekurudhor i Qafё Thanёs me gjatёsi 3019 m, Tuneli i hekurudhёs Milot Klos me gjatësi 1040 m, si dhe i rreth 20 tuneleve të tjerё hekurudhorë dhe rrugorё.

Profesor Inxhinier EGON GJADRI ka qenë kryeprojektues i të gjithë tuneleve të hekurudhës Tiranë Pogradec.

Veprimtaria shkencore e botuese

Pёrvojёn e tij shumё tё pasur dhe tё dobishme si studiues, projektues e zbatues, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI e ka lёnё tё shkruar nё disa libra e publikime qё u pёrkasin dy fushave inxhinierike të cilave ai ju pёrkushtua: Infrastrukturёs së transportit dhe Hidroteknikёs.

Duke filluar nga viti 1972, bazuar në përvojën vetiake dhe si bashkëprojektues për hidrocentralin e Shkopetit dhe dy hidrocentralet e Bistricës, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi në dy vellime studimin me titull: “ Llogaritja Statike e veshjeve monolite të tuneleve”.

Në vitin 1982, Profesor Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi librin: “Ura dhe Tunele”.

Në vitin 2002, Profesor Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi librin: “Digat prej betoni me gravitet nё bazamente shkёmbore”.

Në vitin 2004, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi librin: “Veprat e derivacionit me presion nё hidrocentrale” .

Në vitin 2006, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi librin: “Llogaritja e digave hark me metodёn e ngarkesave provё”.

Në vitin 2011, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI hartoi dhe publikoi librin: “Veprat e devijimit dhe shkarkimit tё plotave nё disa hidrocentrale tё vendit tonё” .

Profesor- Inxhinier EGON GJADRI është gjithashtu bashkëautor nё hartimin e disa Kushteve Teknike tё fushёs sё ndёrtimit, si dhe i Rregullores sё shkarkimit tё plotave pёr hidrocentralet e ndёrtuara nё lumin Drin.

Vëllimi i përgjithshëm punimeve të tij studimore - shkencore dhe projektuese arrin në rreth 4000 faqe, nga të cilat rreth 50% janë projekte inxhinierike të Profesorit që janë zbatuar në të gjithë Shqiperinë, ndërsa pjesa tjetër u përket studimeve teorike tepër origjinale në fushën e shkencës së Hidroteknikës .

Për të gjithë këta tregues të arritur prej tij, Inxhinierit EGON GJADRI, Komisioni i Lartë i Atestimit i dha titujt shkencorë “Bashkëpunëtor i vjetër shkencor” dhe “Profesor, ndersa ne vitin 1995 duke marrë parasysh gjithë veprimtarinë e tij projektuese dhe shkencore, nga komisioni i kualifikimit shkencor i akordohet titulli “ Drejtues Kerkimesh Shkencore”

Profesor Inxhinier EGON GJADRI ka qenë anëtar i Komisionit Shtetëror për shfrytëzimin e ujërave nderkufitare me vendet fqinje, në të gjithë vitet e funksionimit të tij, si dhe drejtues i këtij komisioni në vitet 1985 -1990.

Ndër arritjet kryesore të atij komisioni mund të përmenden marrëveshjet dhe dakordësimet dypalëshe me ish Jugosllavinë për ndërtimin e digave të larta në kaskadën e lumit Drin.

Me rëndësi ka qenë edhe pjesëmarrja e Profesor Inxhinier EGON GJADRI në grupin negociator me palën Greke për shfrytëzimin e ujërave të përbashkëta të lumit të Vjosës.

Profesor Inxhinier EGON GJADRI – Një Jetë kushtuar Shqipërisë

Profesor-Inxhinier EGON GJADRI përfaqëson njё ndёr personalitetet shkencore- inxhinierike mё tё spikatura tё gjysmёs sё dytё tё shek. XX nё vendin tonё.

Veprimtaria e Profesor-Inxhinier EGON GJADRI, si Projektues dhe realizues veprash inxhinierike, si Profesor, si Drejtues studimesh tё thelluara inxhinierike, si autor i disa librave me karakter shkencor qё ai ka publikuar, ofron modelin dhe shembullin e pёrkushtimit qytetar dhe professional.

Jeta dhe vepra e Profesor Inxhinier EGON GJADRIT përfaqëson një shembull të rrallë frymezimi, si njëri ndër intelektualët e shquar që e ngritën në nivele më të larta Inxhinierinë Shqiptare.

Në rreth 60 vite të punës së tij, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI ka qenë Kryeprojektues i rreth 70 veprave inxhinierike, 50 veprave hidroteknike dhe 20 tuneleve hekurudhore.

Përveç pasionit për shkencën e Inxhinierisë së Ndërtimit, Profesor- Inxhinier EGON GJADRI ka qenë një qytetar me shumë pasione në jetë. Ai ishte gjithashtu edhe studiues i rregullt i Shkencës së Fizikës, Matematikës dhe Astronomisë.

Qytetari EGON GJADRI kishte pasion sportet, sidomos volejbollin ku arriti të bëhej edhe një nga lojtarët më të mirë të skuadrës sonë kombëtare në vitet 50’. Një tjetër pasion i tij ka qenë edhe sporti i shahut.

Për kontributet e mëdha për vendin e tij, Profesor Inxhinier EGON GJADRI është vlerёsuar disa herë me medalje, urdhëra e dekorata, si dhe me urdhërin “Flamuri i Kuq i Punës” i Klasit të Parë.

Gjithashtu “ Për punë të shquar si drejtues i punës studimore dhe shkencore e sidomos për projektimin e Hidrocentralit të Fierzës e Komanit “ i janë akorduar dy çmime te Republikës së Shkallës së parë.

Profesor Inxhinier EGON GJADRI ka ndërruar jetë më 9 nëntor të vitit 2015, duke u marrë me punë shkencore, deri pak ditë para se të ndërronte jetë, date që shënon njëkohesisht edhe fundin e karrierës dhe veprimtarisë se tij pothuajse 60 vjecare shkencore dhe inxhinierike, në shërbim të Shqipërisë.

***

Reflektim:

Egon Gjadri, nuk donte lavdi, as duartrokitje.

I mjaftonte zëri i ujit që kalonte qetë nën urat që ai kishte projektuar dhe drita që ndizte diku larg, prej një tuneli të hapur në zemër mali. Ai i njihte gurët, terrenin, rrjedhën.

U fliste lumenjve me fjalë të heshtura, dhe ata bindeshin,  ndryshonin shtrat, rridhnin më urtë, sepse e kuptonin njeriun që s’donte pushtet, por vetëm vepra që qëndrojnë. Në mëngjeset e hershme, mbante fletoret me skica, dhe në mbrëmje, kthente kokën nga shtëpia, ku e prisnin familja dhe qetësia, një buzëqeshje e ngrohtë, një bisedë përtej betonit. Shpesh here shtëpia ishte e harruar me orët e vona në punë, punë për Shqipërinë që trashëgojmë ne sot! Sepse Egoni ishte edhe babai, burri, njeriu i mirë që dinte të dëgjonte, sepse ai nuk mësonte apo vlerësonte vetëm si të matesh, por si të jesh i ndershëm në ndërtim, si të lësh pas diçka që nuk shembet kurrë. Fjalët e tij ishin formula, dora e tij një udhërrëfyes për energjinë, për Drinin, për betonin, për thellësinë, për tunelin, për hekurudhën, për Shqipërinë që trashëgojmë sot. S’ka nevojë për statuja të mëdha, sepse janë digat, tunelet, ura e larta që flasin në emër të tij, çdo ditë, për këdo që kalon. Në këtë vend ku shumë ndërtojnë për sy e faqe, Egon Gjadri dhe babai i tij Gjovalini ndërtuan për gjenerata. Me thjeshtësi. Me përpikmëri. Me dashuri. Dhe kjo është madhështia e familjes prej inxhinierësh Gjadri, e Gjovalinit dhe Egonit.

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet t’u jepet mundësia prokurorëve të SPAK të rikandidojnë?