Eid Mubarak

24 Maj 2020, 11:42| Përditesimi: 24 Maj 2020, 11:45

  • Share

Mezi e prisja të vinte Bajrami. Studentëve dhe ushtarëve u jepnin të holla. Unë nuk hyja në kategorinë e dytë. Kur e mësova që studentët hynin në kategorinë e fakirëve në një kuptim më të gjerë nga fukarrallëku që jemi mësuar ta lidhim me filmat e Kinostudios që nuk duam t’i shohim më ndoshta nga një frikë e pakuptueshme se mos personazhet e tyre na kapin për “leckash” u gëzova.

Sigurisht u shtira sikur një zarf me të holla me rastin e festës më të madhe fetare për të gjithë botën arabe nuk kishte kurëfarë rëndësie. Rëndësi kishte miqësia, shoqëria e më the e të thashë. Por edhe droja e turpi I të qënit studente, në vitet 90-të, në një periudhë kur prindërit e mi u gjendën jashtë “sistemit” dhe për pasojë pa mundësi për ta mbështetur vajzën e tyre përtej atyre që quheshin mundësi financiare.

Në fillim, me droje e me turp pranoja zarfin që gjithkush që kish qenë mik me prindërit e mi për shumë e shumë vite në Kajro ma ofronte si dhuratë dhe mezi prisja që ato të holla, simbolike, por edhe jo aq simbolike t’i bëja “rrush e kumbulla”. Më vjen të qesh me fabulën “Dhelpra dhe rrushtë“, sa herë  e dëgjoj. Dhurata e Eid-it! Ishte dhurata më e dlirë, më e bukur që kam pranuar ndonjëherë. E dhuruar ashtu sic vinte nga shpirti i atyre njerëzve me shpirt të jashtëzakonshëm që nuk munda t’i falenderoj asnjëherë. Sepse më vinte turp. Ky turp i cuditshëm që vetëm me turpin nuk duhej të kishte pasur kurrë lidhje. Turpi na është ngatërruar gjithmonë nëpër trup, ndoshta ndaj edhe këto fjalë në këtë gjuhën tonë mund të ngatërrohen, ashtu sic e ngatërruan disa syresh zarfin me të holla me skenare librash që nuk i hapën kurrë.

Eid. Kajro. Rrugë mbushur me njerëz që tërheqin shapkat zvarrë nëpër vapë. Me njerëz që nxitojnë të falen në xhaminë e lagjes. Me gra që tërheqin fëmijë t’i cojnë për të marrë dhuratën e Eid-it. Eid Mubarak. Në cdo cep të rrugëve dëgjohej vetëm kjo fjali. Gra që puthen me pllaquritje. Burra me gelebie dhe tespie. Eid Mubarak. Hani i Halilit gëlon nga njerëzit. Muluheia, tahinë, pite, koshari, bakllava, shawarma. Nargjile. Beze me ngjyra. Dhe uturima gati-gati shtazarake të grave që klithin me britmat e raasa-ve (bellydancer) për të festuar Eid-in. Eid Mubarak.

Gjurmët e jetës marrin shenjën e nostalgjisë, madje edhe kur ato shpesh duam të mos i kujtojmë ekzaktësisht sic kanë qënë, në mënyrë që të mbeten të bukura. Eid Mubarak. 

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?