'Ekip i ri për zgjedhjet e 2025 dhe 'Shqipëria 2030' Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e PS-së

8 Shtator, 17:00| Përditesimi: 9 Shtator, 01:09

  • Share

Fjala e Kryeministrit Edi Rama, njëkohësisht Kryetar i PSSH, në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, 8 shtator 2024.

Mirëdita të gjithëve !

Ju uroj mirëseardhjen atyre 135 ndër ju, që janë ulur për herë të parë afër familjes sonë të madhe politike duke e kryer me dinjitet në komunitete tuaja detyrën e përfaqësuesit të asamblesë. 

E nderuar Asamble Kombëtare  Partisë Socialiste!

Sot hapim një kapitull të ri të jetës së kësaj familje. Nga ky stacion, ku do të përmbyllim proceset e brendshme zgjedhore, duke ngarkuar edhe ekipin e ri drejtues, ne do të nisemi drejt përballjes për mandatin e 4 qeverisës të Partisë Socialiste, pranverën e ardhshme. Për 6 muaj duhet të jetë gati të zbresë zyrtarisht në fushë, skuadra jonë e re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2030. Këtë herë në bazë të ligjit të ri zgjedhor pjesëtarët e përfaqësuese sonë do të jenë 187.  140 prej tyre në listën e votimit për garën e hapur në popull dhe 47 në listën e mbyllur të partisë. Është e udhës të ndaj me ju që sot, se më e mira është që deputetët me më shumë se një mandat, pa përjashtuar dhe drejtuesit politikë të qarqeve që hyjnë në këtë kategori, ku bëj pjesë edhe unë personalisht, të jenë në garë të hapur si të gjithë të tjerët, ndërsa  në listën e mbyllur do të jenë vetëm pak prej tyre, të cilët do të kenë detyra specifike drejtuese dhe koordinuese, si p.sh Sekretari i Përgjithshëm dhe drejtuesi i ri politik i diasporës, në kushtet kur do të jetë dhe hera e parë e pjesëmarrjes në zgjedhje e shqiptarëve jashtë atdheut.

Kjo do të thotë se pjesa kryesore e listës së mbyllur do të jenë deputetë me vetëm me një mandat dhe të rinj e të reja që do të fitojnë vendin në atë listë, duke spikatur prej sot e deri në shkurt në garë individuale nga brenda ose jashtë partisë në mbështetje të shumicës sonë qeverisëse me angazhim politik në vendet e tyre të banimit  apo përkatësisë profesionale në terren dhe në rrjetet sociale. Si gjithnjë kur unë flas për të rinj dhe të reja nuk kam parasysh thjeshtë moshën rinore, po mendësinë e re dhe forcat e reja për ndryshim.

Skuadra jonë përfaqësuese PS 2030, duhet të jetë shembëlltyra e ambicies tonë për Shqipërinë 2030. Ajo duhet të mishërojë energjinë e forcave dhe individëve progresistë të shoqërisë në qytet dhe në fshat, që diktojnë ritmin e zhvillimit në drejtime dhe sektorë të ndryshëm të jetës së vendit dhe sigurisht ajo duhet të integrojë eksperiencën e çmuar politike të atyre që i kanë shërbyer me dinjitet dhe me rezultate, ideve, qëllimeve, programeve dhe skuadrës së PS në Kuvend dhe në komunitete ku janë angazhuar gjatë këtyre viteve të transformimit epokal për Shqipërinë.

Shqipëria po bëhet dhe PS 2030 duhet të jetë skuadra e atyre që po e bëjnë Shqipërinë për mes angazhimit politik, si aktivistë të Partisë Socialiste apo angazhimeve qytetare si bartës të progresit në jetën publike, universitare, ekonomike dhe sociale të vendit.

Të dashur shok dhe shoqe.

Disa thonë që ne fitojmë sepse përdorim pushtetin për të marrë votat, madje thonë që ne i blejmë votat.

Disa thonë që ne kemi fituar deri tani sepse nuk kemi pasur alternativë, madje thonë se ofrojnë ata vetë alternativë të reja. Të tjerë shkojnë edhe më tutje, duke thënë se ne fitojmë sepse sipas tyre Shqipëria është diktaturë dhe ngaqë “ndërkombëtarët mbyllin sytë përpara të keqes së madhe që ne jemi”, ngaqë “të huajt duan stabilitet, jo demokraci në Shqipëri”, ngaqë “ne i korruptojnë”, ngaqë “ne nuk i respektojmë”, ngaqë “Amerika na do për kukulla të saj në rajon”, e ngaqë të tjera budallaqe të tjera të guximshme si këto. Po vërejeni me vëmendje. Të gjithë këta bashkohen nga rrugë të ndryshme në pikën se në Shqipëri nuk ka zgjedhje, përderisa ato i fitojmë gjithmonë ne. Ama nga ana tjetër, të gjithë këta bashkë janë njësoj, sepse i përkasin të njëjtës rrugë të vjetër dhe mendësi të ndryshkur ballkanike otomane, po të doni. Janë aq njësoj në disa gjëra, sa të thjeshta aq edhe kuptimplota, saqë çdo njeri i arsyeshëm që sheh me sytë e vet, dëgjon me veshët e vet dhe logjikon me mendjen e vet, e kupton fare kollaj sepse ne fitojmë dhe do të fitojmë përsëri. Ndërsa ata, kundërshtarët tanë, qofshin të vjetër a qofshin të rinj në moshë, vetëm humbin dhe do të humbin përsëri.

Ja fjala vjen. Ata zgjohen më vonë sesa ne dhe flenë me herët sesa ne.

Ata flasin më shumë nga ne për të gjitha gjërat dhe për çdo gjë që flasin, dinë shumë më pak sesa ne.

Ata merren tërë ditën e perëndisë vetëm ne. Kush e kush të helmojë më shumë popullin ndaj nesh dhe nuk bëjnë asnjë ditë të vetme punën e tyre për të mbjellë  ca besim më shumë në popull për veten e tyre. Qasja e tyre ndaj ngjarjes kriminale të para disa javëve  në Pogradec, është një shembull i freskët, domethënës për të ilustruar se kush janë ata të gjithë bashkë. Të gjithë në politikë e në media u munduan ta manipulojnë dhe përdorin vrasjen e një djali të ri, overdozë helmi  propagandistic, për të nxitur urrejtjen ndaj nesh. Me shpejtësinë marramendëse të gënjeshtrës për të marrë dhenë u prodhua një film i kronikës së zezë u mblodhën bashkë të tëra të këqijat e mundshme. Ndërsa komunikata e qartë e policisë së qarkut Korçë për ngjarjen në rastin më të mire, u hodh në cepat e lajmeve dhe të komenteve e opinioneve mediatike, të cilat i dominoi fantazia kriminale e gënjeshtarëve dhe gjuha ekstremiste e spekulantëve politikë dhe mediatikë.

U tha me të madhe se vrasja kishte ardhur si pasojë e një gjobe të pa paguar për të cilën viktima e gjobitur u vra nga një bandë gjobitësish. Gënjeshtër. Nuk ka pasur asnjë gjobë.

U shkruajt se Pogradeci qenke bërë një si qeli e viteve ’80 ku ligjin e bëkan bandat e gjobëvënësve. Gënjeshtër! Pogradeci është ndër zonat më të patrazuara nga çfarëdolloj kriminaliteti në Shqipëri.

U vu kuja se policia kishte tentuar ta fshihte krimin. Gënjeshtër. Shpejtësia e veprimeve të policisë në identifikimin dhe ndalimin e autorit është e dokumentuar.

U bërtit fort se ambulanca kishte ardhur me 40 minuta vonesë. Gënjeshtër. Koha e lajmërimit dhe mbërritjes së ambulancës me shpejtësi është e dokumentuar në sistemin kompjuterik të komunikimit të Urgjencës kombëtare.

U përhap përralla se autori i krimit kishte mbrojtje politike ngaqë një dajë i tij ishte eksponent i lartë i PS në Pogradec. Gënjeshtër. Jo vetëm dihet botërisht që PS nuk mbron politikisht as ministrat e saj kur ata kërkohen nga drejtësia, por në rastin konkret ai dajë në fjalë, i cili ka qenë dikur pjesë e PS është një person më pas i dënuar për abuzim me detyrën dhe prej kohësh nuk ka asnjë lidhje me asnjë angazhim të PS, ndërkohë që i ndjeri po, ai ishte anëtar me teser i PS dhe nuk ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja me pasojë vrasjen e tij, por punonjës i OSSHEE-së.

Mirëpo derisa e vërteta të vishte pantallonat, gënjeshtra me 7 bishta e bëri 7 herë xhiron e vendit tonë të vogël. Edhe me ndihmën e një prokurori të paaftë në rastin më të mirë dhe të papërgjegjshëm në rastin më të keq, që pa kryer asnjë hetim e ndryshoi përcaktimin e policisë si vrasje me dashje në vrasje nga pakujdesia, duke revoltuar të madh e të vogël. Kështu popullit iu dha pa pikë turpi dhe mëshire, doza e helmit të mbiprodhuar për të bërë politikë me një vdekje tragjike, deri dhe duke organizuar një protestë mashtruese, kundër qeverisë, ndërkohë që çështja ishte dorëzuar korrektësisht nga policia në duart e një pushteti tjetër, atij gjyqësor, qysh në orët e para pas ngjarjes. Për të larë pastaj ujin e trashë me të hollin, prokuroria e rrethit gjyqësor të Korçës shkoi mori të pandehur dhe një polic patrulle, duke treguar se as nuk e ka haberin e rolit të patrullës në raste të tilla, hetimi i të cilave është jashtë çdo kompetence të patrullës policore. Por, më keq akoma, duke bërë politikë në vend që të bënte të vetmen punë që duhet të bëjë, hetim të drejtë, të paanshëm, të pavarur dhe sa më të shpejtë. Kjo nuk është as e para as e fundit lojë politike e mediatike, kur e vërteta bukoset brenda çorapit të pistë të thurur me gënjeshtra. Në këto kohë të reja për mbarë botën, lumenjtë e dezinformimit të lajmeve të rreme, fryhen papushim nga prurjet e turli lloj burimeve të ndotura, të cilat e çojnë helmin ngado përmes kanaleve të pafundme të botës online. 

Për kundërshtarët tanë që nuk kanë asnjë ide, asnjë alternative pozitive për njerëzit e këtij vendi, asnjë skuadër të denjë për të menaxhuar një biznes lavazhesh dhe jo më Shqipërinë, prodhimi dhe shpërndarja e sa më shumë helmi kësisoj, duke shfrytëzuar pa asnjë skrupull çdo mjet dhe kanal dezinformimi është e vetmja alternativë e mbetur. 

Ne na udhëheq ambicia për Shqipërinë, ata udheheqihen vetëm nga urrejtja ndaj nesh.

Ne dimë, duam dhe po e bëjmë Shqipërinë. Ata bëjnë vetëm sterrosjen e çfarëdo gjëje që ne bëjmë apo që ka të bëjë me ne, përfshirë edhe të librit të shtëpive tona dhe as duan, por as nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.

Unë jam gjithnjë i pakënaqur me punët e mira që bëjmë. Ata janë gjithnjë të kënaqur me fjalët e zeza që thonë për mua. Madje unë përpiqem gjithnjë të mos ju lë as ju të kënaqeni dhe kur mbarojmë një punë sa më të madhe sepse dua që gjithnjë të shikojmë se sa shumë janë punët ende për t’u bërë. Ata janë të lumtur edhe kur i vënë zjarrin parlamentit sepse ajo është puna më e madhe që dinë të bëjnë. Aq më keq për ta. Por nuk mund të them edhe aq më mirë për ne. Sepse që të qeverisësh Shqipërinë që duhet të ngjitet patjetër në majën e re të 2030 për të vendosur flamurin kombëtar në radhën e flamujve të shteteve anëtare të BE dhe të kesh të bësh me forca kundërshtare, që nuk janë alternativë sfiduese, por batalione dhe çeta njerëzish të dëshpëruar, forca sa destructive, aq edhe qesharake, të cilat vijnë vërdallë dhe hedhin shkelma si ato turmat pa kokë të tifozëve kur dalin të dehur nga stadiumi pas një humbjeje, do të thotë të jetosh përditë me rrezikun fatal të vetëkënaqësisë dhe të humbasësh vigjilencën ndaj kërcënimit të pushtetit për vetë njerëzit që e ushtrojnë atë.

Deri më sot ia kemi dalë që përgjithësisht ta shmangim këtë rrezik në nivelet e larta të ushtrimit të pushtetit dhe të kemi një kapacitet vetëkritik e reagues ndaj dobësive, mangësive, gabimeve apo gafave tona, prandaj dhe kemi fituar 9 herë me radhë. Kur s’ja kemi dalë, kemi marrë një kosto jo të vogël. Në ndonjë rast edhe një kosto të madhe. Por njerëzit nuk na kanë hequr besimin për të udhëhequr pikërisht sepse kanë parë që ne, jo vetëm nuk kemi ndenjur kurrë as symbyllur, as duarlidhur, por dhe kemi pranuar faje e kërkuar ndjesë si askush kurrë më parë, duke reflektuar dhe korrigjuar sa kemi mundur. 

Gjatë kësaj rruge të vështirë ne nuk kemi bërë thjeshtë ndryshime njerëzish në qeveri.

Sa herë ka qenë e nevojshme për të ndryshuar qasjen apo ritmin e punës në një drejtim ose në një tjetër, por i kemi adresuar vijimësisht situatat kritike apo problemet shqetësuese, duke ndërhyrë aktivisht në përmirësimin e sistemit qeverisës dhe duke korrigjuar vazhdimisht metodat e punës sonë. 

Sa shumë llafe dhe teori konspiracioni u bënë për projektin tonë të ri të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe anti korrupsionit. “Jo i ka zënë frika nga SPAK-u, jo duan të vënë në kontroll drejtësinë, jo u bënë bashkë me “non Gratën’’ për t’u mbrojtur nga drejtësia e ku di unë çfarë fantazish të tjera akoma.

Në fakt krejt e kundërta e gjithë këtyre është e vërteta e atij projekti, i cili nisi pavarësisht të gjithë rezistencës absurde të atyre që  s’e kanë idenë as të shtetbërjes evropiane dhe as të përmbajtjes së procesit të neogociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, që ka drejtëpërdejtë nevojë për këtë projekt.

Ky projekt do të shkojë deri në fund nën drejtimin e kolegut dhe shokut tonë Fatmir Xhafa pavarësisht nëse do duan apo nuk do të duan ata, që deri tani nuk duan.

Po ashtu, do të bëhet publik së shpejti dhe do të shkojë deri në fund edhe projekti ynë i ri i Shqipërisë transparente, i cili do të shlyejë deri në fund borxhin që u kemi akoma qytetarëve tanë lidhur me sasinë dhe cilësinë e informacionit në kohë reale mbi vendimmarrjet tona në çdo nivel. Pse i sjell këta shembuj ndër të tjerë akoma? Sepse kjo qasje proaktive prej në force të madhe formuese dhe transformuese, për t’i paraprirë punëve të nesërme dhe nxjerr mesimë nga punët e sotme, ka qenë gjatë këtyre 3 mandateve në krye të vendit, garancia për të mos rënë në gjumë mbi dafinat e fitoreve të mëparshme dhe na e ka kompesuar deri diku, boshllëkun e frikshëm të kundërshtarëve seriozë dhe të alternativave reale të qeverisjes sonë.

Duke mos ndenjur në vend asnjë ditë të këtyre 11 viteve në krye të detyrës, kemi arritur të bëjmë të mundura për Shqipërinë shumë gjëra që deri dje dukeshin të pamundura të ndodhnin në të gjallët tonë. Shpërthimi i Shqipërisë turistike është mbase më e padiskutueshmja ndër këto gjëra sepse shihet ngado dhe prek vëmendjen e të gjithëve. Por gjërat e bëra janë shumë për t’u numëruar jo në një fjalë si kjo, por në një ditë të tërë, realisht. Ja pse sot ata që thonë “s’bëhet Shqipëria”, janë ku e ku më pak sesa kori masiv i atyre që e përsërisin këtë kumt dëshpërues, kudo e kurdoherë, deri 10 vjet më parë. Prandaj është edhe për të qeshur sepse për të qarë, nuk qajmë dot për ta, kur të nxjerrin përballë një ekip drejtues për zgjedhjet e ardhshme si ai që doli para pak ditësh, besoj e patë. Dhe ma ha mendja njësoj si mua, edhe juve ju iku, gjysma e dëshirës për betejë. Fund e krye humbësa kronikë, njëri më i rraskapitur se tjetri, të njëjtët që e nxorrën sa e sa herë fitimtar Lulin e shkretë dhe tani do ta vulosin fitoren në penxheren e katit të tetë.

Dhe pastaj thonë nuk fitohet kundër diktaturës së Edi Ramës dhe PS. Në fakt kjo ‘”diktaktura’’ jonë është si ajo diktatura e Gim Fagut dhe Gaz Çaçit në fushën e basketbollit, që kur hyje në nxemje i shikoje, të dukeshin më të dobët se herën tjetër dhe thoje “ah, sot do i rrahim’’. Po kur fillonte loja ata ta bënin fushën të dukej sikur ishte më e vogël për ty dhe më e madhe për ata. Dhe, edhe rezervat ku futeshin në lojë dukeshin yje. Pastaj vinin ato minutat e tmerrshme vendimtare, kur ta bënin koshin tënd si kullojëse makaronash, me topin që hynte nga të katër anët ndërkohë që, koshi i tyre dukej si kusi e kthyer mbrapsh ku nuk futet dot asgjë. Dhe fundi ishte po ai, i njëjtë dhe dëshpërues; fitonte ‘’diktatura’’ e kuqe.

Mbaronte kampionati i radhës dhe ne fillonim pushimet kurse ‘’diktatorët’’ fillonin, pa ekzgjerim, stërvitjen që të nesërmen, pasi që një natë më parë kishin ngritur kupën, që në 5 të mëngjesit për kampionatin tjetër, duke i rënë përqark e me vrap kodrave të liqenit dhe duke u ngjitur me mushkëritë këtu deri në fyt, lart ta lapidari në Selitë. Po të paktën ne nuk thoshim ‘’fituan me hile’’, mundoheshim të mësonim prej tyre sa të mundnim dhe ndodhte edhe që t’i afroheshim shumë, por asnjëherë nuk i parakaluam dot dhe pas asnjë shaka në këtë pikë PS ngjan shumë me Partizanin e pakonkurueshëm të asaj epoke.

Rivënia në lëvizje e partisë menjëherë pas çdo fitoreje, leximi i fitores me sy kritik, duke shkuar në të gjithë tabelat e rezultateve si për të qëruar oriz në të gjithë teritorin dhe ambicia për ta përmirësuar rezultatin, përgatitija e nisur shumë herët për zgjedhjet e ardhshme me riorganizimin dhe ripërtëritjen e organizatave socialiste, na janë kthyer në fitore. Në fitore dhe më domethënëse në vijim. Fitorja nuk i takon atij që vetëm e do, po atij që e do aq shumë, sa është gati të bëjë gjithçka për ta marrë.

Ne kemi fituar si askush tjetër më parë në historinë e pluralizmit shqiptar dhe si asnjë parti tjetër shqiptare sepse nuk ka mjaftuar asnjëherë PS siç është pas një fitoreje, por jemi përpjekur gjithnjë të bëjmë gati PS që na duhet për fitoren e radhës. Eksperienca jonë është vërtetë e madhe tanimë dhe forca jonë po ashtu, por më të madhe se eskperiencën,  ne kemi sot nevojën për forcën për ta ndryshuar më shumë se asnjëherë më parë skuadrën që do të bëjmë gati për fitoren e mandatit të katërt, sepse sot ka ardhur edhe koha e natyrshme që një brez më i ri sesa ky që e ka përfaqësuar PS e këtyre 10 viteve, të ketë më shumë vend në përfaqësimin e PS së 4 viteve të ardhshme. Ato vite drejt majës së Shqipërisë 2030 anëtare në BE, duhet të jenë edhe vitet e ndrysimit të mençur të brezave për të garantuar udhëheqjen e  PS të dekadës tjetër, kur Shqipëria do të përballet me të tjera sfida si shtet anëtar i BE-së.

Asnjë forcë e vjetër apo e re në mejdanin politik të këtij vendi, nuk e ka asgjëkundi të krahasueshme mundësinë e vet  me fuqinë e Partisë Socialiste për të qenë partia më e vjetër dhe më e re e Shqipërisë pluraliste. Kush mendon ndryshe, shikon një film në errësirën e kinemasë së iluzioneve infantile e të mllefit politik. Po ai film, mbaron sapo ndizen dritat e realitetit të këtij vendi me gjithë ato sfida të mëdha, i cili pa partinë Socialiste në qeveri, mund të kthehet vetëm në errësirën e filmit që shqiptarët panë deri kur ne e nxorrëm Shqipërinë nga gropa e 11 vjetëve më parë. Kjo nuk është retorikë. Ky është fakt. Për të gjithë ata që kanë interes dhe respekt për faktet, shtetbërja nuk është një lojë fjalësh, as një garë se kush shan, akuzon apo premton më shumë pa pasur asgjë në dorë për të kapur pushtetin, po është një e përpjetë ku ngjitet vetëm kush e ka vizionin, planin e kapërcimit të pengesave dhe rezistencën për të mos u dorëzuar përpara vështirësive, të cilat vetëm rriten në ngjitjen drejt majës. E nga vjen rrezistenca? Vjen nga energjia që e furnizon një grup udhëheqës dhe ka sigurim të gjithë ata që janë mbrapa në të gjithë teritorin e republikës së Shqipërisë pa harruar dëshirën dhe këmbënguljen për të reflektuar, për të mësuar, për t’u përmirësuar dhe për të shtrënguar dhëmbët kur pengohesh apo rrëzohesh që të ringrihesh përsëri dhe të vazhdosh.

Disa thonë dhe thonë përditë se Shqipëria është sot më keq se çfarë ishte. Po në të vërtetë, ka vetëm një gjë që është më keq sot sesa përpara 11 vjetësh në Shqipëri, Partia Demokratike e Shqipërisë. Mbajeni mend sot këtë fjalë.

Unë nuk shoh filxhan dhe nuk parashikoj të ardhmen, por ne dimë të lexojmë mendjen e popullit jo vetëm se kemi patronazhistët, po se kemi tanimë një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve. Në zgjedhjet e ardhshme PD-ja, zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997-të. Mbajeni shënim!

I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën ku ra ajo parti. Ndërsa këtë herë, humnera është destinacion ekskluziv i vetëm asaj partie. Një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës së saj. Disa thonë se Shqipëria sot është vend pa dritë, pa të ardhme dhe madje edhe pa mundësi për të mbajtur frymën gjallë.

Pa të ardhme e me borxhe e me halle deri në fyt, Shqipëria ishte kur populli i largoi ata që i thonë këto me të madhe.

Ndërsa sot, e ardhmja e Shqipërisë është një horizont që afrohet përditë, sepse përditë Shqipëria ecën drejt saj, duke arritur rezultate gjithnjë e më të dukshme në çdo drejtim. Një shifër, nuk e kam nxjerrë nga sirtari i Partisë Socialiste, po nga Google. Kur ne morëm detyrën, gati një çerek shekulli pas shembjes së diktaturës, prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë, pra e tërë sasia e parasë së prodhuar në Shqipëri ishte 12.7 miliardë dollarë. Brenda një dekade, ne e kemi dyfishuar atë në rreth 25 miliardë dollarë. Në të dhënat publike që mund t’i gjeni, mjafton të kërkoni GDP-ja e Shqipërisë, thuhet ekzaktësisht 25.4. 12.7, 25.4. Patjetër që ata që kundërshtojnë do të thonë që Google punon për ne, të gjithë punojnë për ne. Po më shumë se të gjithë, ata punojnë për ne dhe punojnë me këmbëngulje të madhe.

Ekonomia tashmë po rritet në mënyrë të qendrueshme dhe prandaj edhe pagat janë sot, pakrahasimisht më të larta, jo vetëm në sektorin publik ku ne e arritëm përpara parashikimit mesataren e premtuar prej 900 eurosh, por edhe në sektroin privat, ku në fushat prioritare të zhvillimit të vendit, pagat janë ende shumë më të larta sesa ato që deklarohen, pavarësisht progresit në luftën kundër informalitetit që është qartësisht i pamjaftueshëm.

Borxhi publik, i cili kur ne morëm detyrën ishte komplet jashtë kontrollit, sot është më i ulët se qysh se mund të mbahet mend, disa pikë nën 60% dhe mos harrojmë që midis 10 viteve më parë dhe sot, hyri në mes dhe tërmeti me pandeminë që e rikërcyen lart borxhin dhe kapaciteti për ta kthyer borxhin brenda kafazit të dëshiruar, tregon fuqinë e ekonomisë, jo fuqinë e diktaturës. Rënia konstante e tij, është e rëndësishme ndër të tjera, se tregon që pagat i rrit, rritja e ekonomisë, nuk i rrit menaxhimi aventures i financave publike. I rrisin reformat dhe përmirësimi i qeverisjes në përgjithësi që po japin fryte të reja, duke na dhënë ne mundësinë që në çdo hap, të mendojmë për një rishpërndarje më të gjerë të pasurisë së krijuar. Ky është dhe qëllimi më madhor si një forcë e së majtës së shekullit të ri, që nuk udhëhiqet as nga dogmat ideologjike, as nga iluzionet jologjike.

Falë progresit që kemi siguruar me reforma të dhimbshme, peripeci të pashmangshme dhe përpjekje e pandalur dhe e bazuar në parametrat pozitivë të pasqyrës ekonomike të vendit, sot ky qëllim madhor dhe parim i panegociushëm i një force të majtë nuk është thjeshtë aspirata që ne kishim 10 vjet më parë, sepse sot, ne i kemi krijuar më në fund kushtet themelore që rritjen ekonomisë ta bëjmë çdo vit e më gjithëpërfshirëse. E thënë ndryshe që çdo vit gjithnjë e më shumë, njeriu i zakonshëm të përfitojë drejtpërdrejtë nga ekonomia që rritet dhe pa diskutim forcimi i këtij profili të ri gjithëpërfshirës të rritjes së ekonomisë është sfida jonë më e madhe drejt Shqipërisë 2030.

Fitorja e kësaj sfide nuk kërkon vetëm fuqizimin e mëtejshëm financiar të të gjitha kategorive që tanimë kanë filluar të shikojnë rritje si efekt i ndryshimeve të përgjithshme në ekonominë e tyre familjare.

Kjo sfidë kalon medoemos nga pensionistët për të cilët kemi bërë sa kemi mundur, asnjëherë sa kemi dashur dhe të paktën nuk na ka gënjyer kurrë mendja që kemi bërë sa duhet.

Disa thonë që për t’i rritur pensionet si kullat në Tiranë, mjafton të vijnë ata në pushtet që të ndalojnë kullat dhe të ngrenë pensionet. Nëse do të ishte kështu, ne do të ishim gati t’ua dorëzonim detyrën menjëherë, pa na u bërë vonë, jo për kullat, por as për pushtetin. Por e vërteta është se pensionet janë pjesa më sfiduese e transformimit ekonomik që ne po sjellim.

Pensionistët dinë ta çmojnë më mirë se kushdo tjetër punën tonë për Shqipërinë, prandaj edhe na kanë votuar besnikërisht në të gjitha betejat tona zgjedhore. Këta të diplomave të Kristalit dhe të titujve dhe doktoraturave të facebook-ut i konsiderojnë pensionistët, si një turmë që shkojnë qorrazi pas Partisë Socialiste. Po pensionistët këtyre i japin “jo ujë në bisht të lugës, po i japin lugën që kur ata të venë në shtëpi, të kuptojnë që e kanë bosh”. Pensionistët e dinë më mirë sesa kushdo tjetër po ashtu, se o i rrit Partia Socialiste, o nuk i rrit dot asnjë prej atyre që e shikojnë Shqipërinë si shesh për përsheshet e veta dhe i marrin shqiptarët si budallenj që mund të hanë tre herë për djathë po atë sapun, qoftë kur është me të njëjtën ngjyrë dhe formë, i prodhuar nga të njëjtët ngatërrestarë të Shqipërisë, qoftë kur serviret në disa forma e ngjyra të tjera nga ca pehlivanë me fytyra të reja, ai lloj djathi  i bërë me ujin e detit të kthyer në kos është thjeshtë i njëjtin sapun. 

Javën e dytë të muajit të ardhshëm, ne do të nisim, jo vetëm të ndajmë me pensionistët një pasqyrë të të dhënave dhe ideve tona për rritjen e pensioneve, në rrugën e Shqipërisë 2030, por do të fillojmë edhe informimin mbi zbatimin e një plani kombëtar për garantimin e sigurimeve shoqërore. Ky plan për të cilin po punohet prej muajsh nga një grup institucionesh dhe ekspertësh nën drejtimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të synojë pikërisht përfshirjen e pensionistëve në ndarjen e të ardhurave të rritjes ekonomike për të shkuar përtej nivelit aktual të fundvitit dhe indeksimeve të përvitshme të pensioneve. Por që sot mund të them qartë dhe troç një gjë: rritja e të ardhurave nga shteti për pensionistet në vitet në vijim, nuk mund të jetë domethënëse, nëse nuk i japim të gjithë bashkë si shtet, si qeveri, si shoqëri, e posaçërisht si sipërmarrje, një goditje domethënëse fenomenit të neveritshëm të fshehjes së pagave reale, të cilat për pasojë godasin në mënyrë të drejtpërdrejtë të ardhurat për sigurimet shoqërore dhe vjedhin çka u takon pensionistëve. E thënë me fjalë të tjera, kjo do të thotë që ne do të bëjmë me kuotat e sigurimeve shoqërore, atë që bëmë me faturat e energjisë elektrike. Dhe ata që nuk iu paguajnë punonjësve, sigurimet shoqërore sipas pagës së tyre reale, do i trajtojmë njësoj si hajdutët e energjisë elektrike.

Jemi sot vendi me taksat dhe me sigurimet shoqërore dhe shëndetësore më të ulta në rajon. Nuk ka asnjë vend në Ballkanin Perëndimor - se nuk po shkoj në Europë se është e kot t’i hysh krahasimeve - ku biznesi i vogël të ketë zero tatim fitimi dhe zero TVSh, nuk ka asnjë vend në rajonin tonë që Tvsh-në e turizmit ta ketë 6 % dhe pagat e deklaruara në industrinë e turizmit t’i ketë shpeshherë më shumë se gjysma e pagave reale, nuk ka asnjë vend në rajon që me të ardhurat që kemi ne, nga sektori i ndërtimit në raport me Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar dhe pagat e deklaruara të sektorit të ndërtimit t’i ketë kaq më të ulta sa ne, krahasuar me pagat reale.  Ky fenomen shtrihet pak a shumë në të gjithë sektorin privat dhe ka ardhur koha, që lufta ndaj tij të ngrihet në një nivel të ri, jo në emër të informalitetit, po në emër të pensionistëve, për pensionistët.

Këtu nuk flitet për të rritur taksa, sepse ne do ta mbajmë zero taksën e biznesit të vogël, deri në vitin 2029, ashtu siç e kemi premtuar disa vite më parë. Por nga ana tjetër, do të shtrëngojmë ndjeshëm rrjetin e bizneseve që bëjnë më shumë sesa 140 mijë euro xhiro në vit dhe kamuflohen si biznes i vogël, duke fshehur të ardhurat reale dhe bashkë me fshehjen e të ardhurave reale, duke mbajtur atë, që duhet të shkojë në xhepin e pensionistëve. Ndërkohë, biznesi i madh duhet ta ketë shumë të qartë se nëse nuk do rritje të tatimit mbi fitimin të nominuar për pensionistët duhet të paguajë “kokërr më kokërr” çdo qindarkë që iu takon pensionistëve, të sëmurëve natyrisht. Ndërsa vetë pensionistët duhet ta dinë dhe do ta shohin konkretisht angazhimin edhe në veprimet tona se nga njëra anë, lufta frontale kundër informalitetit të pagave për punonjësit e sektorit privat do të jetë e gjithanshme dhe nga ana tjetër ne do te fillojmë ta rrisim bonusin për ta qysh këtë fundvit.

Shqipëria 2030 do ta mishërojë të gjithë progresin e 4 mandateve të Partisë Socialiste, jo vetëm duke u bërë gati plotësisht për anëtarësimin në BE, as vetëm në të dhënat e gjithë sektorëve të jetës saj apo të pamjes së saj të transformuar thellësisht në të katërta anët, por edhe në të ardhurat e ekonomisë familjare të të gjithë shqiptarëve që jetojnë me punë apo pensionistëve, që nuk kanë punuar tërë jetën për të pasur një pension minimal si pensioni që kanë sot një pjesë shumë e madhe e tyre.

Ata që duan të rikthehen në pushtet nga penxherja e katit të 8 apo disa të tjerë që duhet të hyjnë në parlament nga deti i bërë kos premtimesh marramendëse, thanë për një kohë të gjatë se Shqipëria kishte mbetur me 1 milionë e gjysmë banorë prej eksodit, siç e quanin masiv të çdo të madhi dhe të vogli në moshë pune. Censusi i zhvilluar në bashkëpunim me një aleancë të gjerë institucionesh dhe organizatash ndërkombëtare përfshirë dhe KE, tregoi se në Shqipëri jetojnë sot 2.4 milionë qytetarë të këtij vendi, shifra paraprake.

S’ka asnjë diskutim që shqiptarët kanë vazhduar të emigrojnë edhe gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë, është fakt, siç kanë bërë të tërë popujt e vendeve të lindjes komuniste, deri kur ato vende i kanë rritur të ardhurat për frymë dhe pagat në nivel të arsyeshëm për ata, që duan të jetojnë me punë. Natyrisht jo sa Gjermania, jo sa Holanda, por mjaftueshëm për llogaritë e njerëzve të zakonshëm, jeta të cilëve në vendlindje ka dhe kosto më të ulët sesa në vendet më të pasura, por ka dhe ca të mira që njeriu nuk i gjen dot kurrë kollaj jashtë vendit të vet. 

Të ardhurat për frymë të Shqipërisë sot, janë thuajse dyfishuar, krahasuar me ku ishin, kur ne morëm detyrën. Por për këtë le të presim rezultatet e rishikuara tani edhe në bazë të numrit të popullsisë nga Instat dhe Eurostat për të parë, qoftë shifrën e saktë, qoftë sa jemi rritur në tabelën e klasifikimit të rajonit.

Por megjithatë s’ka dyshim që pagat e deklaruara në sektorin privat janë ende jo në lartësinë që mund të fillojë të tërheqë mbrapsht në Shqipëri forca të larguara pune. Këto janë fakte sot dhe ndryshe nga të tjerët që luftojnë me faktet e progresit së Shqipërisë së qeverisur prej nesh, ne do të bëjmë të gjithë përpjekjet që të krijojmë me punë fakte të reja bindëse, që Shqipëria 2030 të jetë vendi nga ku ata, që do duan të ikin jashtë, të mos ikin kurrsesi se nuk kanë asnjë zgjedhje tjetër.

Ndërsa për ata që kanë ikur të ketë një ofertë kuptimplotë të kthimit në atdhe për këdo që do dojë të kthehet. 

Shqiptarët janë njerëz ambicioz dhe kurajoz. I mbajti këtu mbyllur diktatura gjakatare e proletariatit sepse përndryshe historikisht kemi qenë dhe jemi njerëz që lëvizim në kërkim të një jete më të mirë, që çajmë detin e thënë me fjalë të tjera. Kjo vlen për ata që kanë ikur dhe ikin në vende të tjera apo edhe për ata që kanë ikur dhe ikin nga fshati apo nga qyteza e tyre drejt Tiranës apo qytete të tjera.

Por nga ana tjetër, shqiptarët jo vetëm kanë ikur, por edhe janë kthyer, edhe kthehen kur shohin një mundësi të re konkrete për ta, për familjen e tyre, në atdheun e tyre, në fshat, në Tiranë apo dhe në qytete të tjera. 

Faktet tregojnë që kthesa ka nisur edhe në këtë drejtim dhe kjo është po kaq e vërtete sa fakti i ikjeve edhe gjatë këtyre 10 viteve, ku trendi historik i emigracionit ka qenë absolutisht ai i viteve të mëparshme, natyrisht nuk flas për vitet ’90 se me ato s’bëj dot asnjë krahasim, flas për gjithë vitet 2000, - për të parë një nga shenjat e dukshme të kthesës së nisur, e cila e përsëris do t’i kërkojë këto vite që kemi përpara deri në 2030 për t’u bërë e plotë, mjafton të ngjitesh në Theth si asnjë destinacion tjetër turistik akoma, Thethi është bërë vendi i të rinjve që kthehen nga emigracioni apo që rikthehen nga Tirana, apo nga Shkodra ku janë larguar për të qëndruar më parë për të investuar kursimet dhe dijet e tyre në sipërmarrje që me letër dhe me laps u japin në fund të muajit dhe të vitit shumë më tepër fitime sesa një punë e zakonshme në emigracion.

Thethi dhe realiteti i ri agroturizimit apo turizmit të aventurës në përgjithësi dhe kudo në Shqipëri na kanë nxitur që të projektojmë një paketë të re mbështetëse, të cilën e kemi lajmëruar prej disa kohësh me emrin “Paketa e maleve”.

Do ta prezantojmë në Theth, do ta prezantojmë në të tjera pika në Shqipëri, ku fshati është kthyer në platformë sipërmarrëse për shqiptarët e Europës dhe patjetër do ta prezantojmë dhe në Diasporë ku 6 muajt e ardhshëm do të hapim një korsi të re për rrugën tonë drejt fitores së dhjetë radhazi.

Pikërisht se kthesa ka nisur dhe ne kemi fakte për këtë, ne do i tregojmë nga afër shqiptarëve që punojnë në Greqi, por edhe në Itali në sektorin e hotelerisë dhe turizmit se, jo vetëm ka mbaruar koha kur me një punë të zakonshme në atë sektor dikur kurseje andej të ardhura për veten tënde dhe për prindërit këtej, këta se kanë të vështirë të kuptojnë se e jetojnë përditë, por edhe koha kur kthimi në Shqipëri me dijet e përftuara andej për të punuar këtu në industrinë tonë të re të turizmit, duke mos dalë kurrsesi i humbur në fund të muajit ka ardhur.

Tani kjo e sotmja nuk është një fjalë për programin tonë qeverisës apo për manifestin elektoral të PS, por çka po rendis ka të bëjë me PS 2030, si fuqi e re e zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë gjithëpërfshirëse në rrugën tonë drejt marrjes së Shqipërisë 2030. Prandaj formimi i skuadrës sonë të re përfaqësuese PS 2030 për Shqipërinë 2030, duhet të jetë kryefjala e punës së ekipit të ri drejtues të partisë që do dalë sot nga kjo Asamble. 

Platforma e hapur digjitale e deputetit që duam ka nisur të sjellë dallëndyshet e para, por e gjithë partia në të gjithë territorin duhet të bëhet një platformë e hapur për këdo që dëshiron të na bashkohet duke ofruar kontributin e vet dhe duke u përfshirë në një garë të vërtetë, jo me mesazhe anonime, as me lobime nga kafeneja, por me angazhim fizik, shpirtëror, politik të matshëm atje në territor. Dhe patjetër dhe në ekranin e smartphone apo kompjuterit përmes rrjeteve sociale për të prekur njerëzit, për të zgjeruar rrethin e kontakteve me njerëzit dhe për ta çuar PS te njerëzit.

Natyrisht që, në një përfaqësuese kombëtare të PS për të marrë mandatin e katërt si shumica absolute parlamentare, nuk ka vend për mijëra njerëz që mund të përfshihen në hapësirat e reja që do t’u krijojmë të gjithë atyre dhe në radhë të parë atyre që nuk u vjen radha asnjëherë.

Por PS 2030 për Shqipërinë 2030 nuk do të jetë thjesht një skuadër e re deputetësh, por një skuadër shumë më e gjerë individësh që falë kontributit për fitoren e mandatit të 4 dhe meritës së treguar në angazhim dhe rezultat konkret, do të gjejnë patjetër rrugën dhe vendin ku mund të shërbejnë për ta bërë së bashku më të mirë Shqipërinë. Të gjithë deputetëve aktualë të grupit tonë parlamentar ju them edhe sot publikisht atë që e kanë dëgjuar edhe pas dyerve të mbyllura të mbledhjeve të grupit; cilido dhe cilado prej jush që dëshiron të ketë një mandat tjetër, e ka në dorë ta marrë, duke punuar në këtë sezon të fundit politik të kësaj legjislature, më shumë se në të 3 vitet e fundit të marra së bashku. E vërteta është që secili dhe secila prej jush niset me një avantazh më të madh ndaj atyre që do të vetëofrohen,që do të ftohen apo do të afrohen në muajt në vijim, për të synuar të zbresin në fushën e betejes për mandatin e 4 me fanellën e PS.

Por edhe për këtë, sot gjithkush duhet ta konsiderojë si ditën e parë, të harrojë të gjitha plagët e luftrave, trimëritë e betejave dhe heroizmat e fitoreve të mëparshme dhe gjithë të mos merremi me çfarë i kemi dhënë skuadrës të vitit 2021 apo më parë, po të mendojmë e të punojmë vetëm për të bërë atë që  nuk kemi bërë deri tani.

Kjo vlen për të gjithë; edhe për ata që janë sot të ulur në sallën e Kuvendit, dhe për ata që janë  që janë të ulur në tryezën e qeverisë dhe për ata që kanë  apo do të marrin role drejtuese në këtë përballje të re në fushën e betejës zgjedhore, madje unë mendoj që kjo vlen shumë edhe për këta të fundit dhe fillon që nga unë personalisht, por vetes sime nuk ia kam merakun sepse unë rri në këtë detyre me një kusht themelor, që sipas meje ka kjo detyrë;  i cili është se për të ndenjur më lart duhet të jesh në gjendje të japësh për suksesin e përbashkët më shumë se të gjithë ata, që të kanë ngjitur aty dhe jo të rrish më lart, për ato që ke dhënë në të shkuarën, duke u bërë barrë për të gjithë siç fatkeqësisht u ndodh njerëzve të vdekur që kujtojnë se janë akoma gjallë.

Në fund, por jo për nga rëndësia, unë ju kërkoj  që sot Asambleja Kombëtare t’i japë bekimin grupit të parë të studentëve të Akademisë Politike të PS për të krijuar Asamblenë Rinore të PS. Kjo asamble e re do të jetë një platformë më shumë për forcat e reja në këtë rrugë që nisim sot dhe do të jetë një hapësirë krejt e lirë nga çdo kufizim apo detyrim apo hierarki statutore.

Ndërsa përsa i takon kryesisë së re të partisë, të paktën deri në zgjedhjet e ardhshme, ku dhe gjithësecili dhe secila do të matet me rezultatet sipas detyrës, ajo do të përbëhet nga të zgjedhurit drejtpërdrejtë nga Asambleja, Sekretariati Ekzekutiv dhe drejtuesit politikë të qarqeve.

Sot, po ashtu duhet të zgjedhim edhe dy nënkryetarë dhe sekretarin e kësaj Asambleje dhe po e filloj nga kjo; që Klosin si Kryetar i Asamblesë exofficio sepse është Sekretar i përgjithshëm, mos e lëmë më vetëm. Nënkryetar të Asamblesë propozoj që të miratojmë Ilva Gjuzin dhe Besa Spahon. Ilva është një anëtare e re e Asamblesë, është një nënë me 3 fëmijë, por ka pasionin dhe fuqinë e një vajze të re, shumë të re. Dhe Besën besoj një pjesë e juaja e njeh, është një e re me shumë vite angazhim në PS në Korccë, ndërkohë që Ilva është e kësaj zonë.

Ndërsa për Sekretar propozoj që të jetë Onid Bejleri, i cili është aktualisht nënkryetar i bashkisë së Shkodrës dhe meqë Shkodrës i kemi dhënë një prioritet i veçantë, duhet t’i japim edhe mundësinë të na kontrollojë përmes një sekretari. 

Për listën që do të votohet nga kjo Asamble sot, propozoj sipas rendit alfabetik, 7 shokë, nga të cilët 5 do të zgjidhen anëtarë të kryesisë sipas votimit dhe 7 shoqe nga të cilat 5 do të zgjidhen anëtare të kyesisë. Përsa i takon shokëve, Arben Pëllumbi; në rend alfabetik po bëj; Erion Braçe, Eduard Shalsi, Igli Hasani, Pirro Vëngu  dhe Vangjel Tavo. Përsa i takon shoqeve: Albana Koçiu, Anila Denaj, Delina Ibrahimi, Etilda Gjonaj, Klodiana Spahiu, Klotilda Bushka dhe Lindita Nikolla.

Sekretariatin ekzekutiv të partisë besoj që pak a shumë e dini, por  me disa ndryshime:

Blendi Klosi është Sekretar i Përgjithshëm, vetvetiu i palëvizshëm.

Damian Gjiknuri është Sekretar organizmi dhe zgjedhjeve.

Evis Kushi, Sekretare e gruas.

Milva Ekonomi, sekretare e programit.

Zerina Bruci, sekretare për diasporën.

Romina Kuko, sekretare e marrëdhënieve ndërkombëtare,

Roi Bashaj, sekretari i rinisë.

Drejtuesit politikë, po filloj me Tiranën sepse qarku i Tiranës eshtë,  jo vetëm qarku që ka listën më të gjatë të kandidatëve, i cili nxjerr dhe numrin më të madh të deputetëve, por në zgjedhjet e ardhshme ka edhe më shumë se në zgjedhjet e shkuara, ndërkohë që është një qark ku mozaiku i bashkive që e përbëjnë, ka nevojë për një vëmendje edhe organizim ndryshe, prandaj barrën e drejtimit politik në qarkun Tiranë do ta ndajnë Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu. 

Për qarqet e tjera drejtuesit do të jenë si vijon; në Durrës, Emirjana Sako; në Shkodër Benet Beci; në Lezhë një nga Dibra, Ulsi Manja; në Kukës Pandeli Majko; në Elbasan Arbian Mazniku; në Fier Belinda Balluku; në Korçë e kemi antikuarin, Niko Peleshi; në Gjirokastër Mirela Kumbaro; në Berat Ervin Demo; në Vlorë Blendi Çuçi dhe siç ju thashë, drejtuesve politikë i shtohet një drejtues i ri politik, i cili do të angazhohet me diasporën dhe këtë detyrë sa të vështirë aq edhe shumë të rëndësishme, do ta mbulojë Taulant Balla.

Këto ishin të gjitha. Harrova Dibrën, e kam këtu, po e harrova sepse sa herë futet një dibran e ‘ha’ një dibran tjetër e duke u marrë me Ulsiun, harrova Blendi Gonxhen që është po ashtu nga Dibra.

S.G/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?