Projekti i ekipeve sportive në shkolla, që në ditët e para të muajit shkurt ka nisur ndeshjet në rang kombëtar, ka nxitur shumë nxënës për një jetë më aktive, siç është edhe rasti i dy vajzave të shkollës ‘Lidhja e Prizrenit’ në Kukës.
“Kemi 2 vite që jemi aktivizuar me klasat sportive dhe qëllimi është të jemi më aktiv. E kam zgjedhur volejbollin sepse është një sport që të gjithë mund ta luajmë. Vajza dhe djem. Ishte dëshira e madhe dhe pasioni për këtë sport,”-u shpreh Kejsi Dida, nxënëse.
“Volejbolli ka qenë një nga pasionet e mia që e vogël dhe më duket gjithashtu një sport shumë tërheqës,”-tha Lorisa Ademi, nxënëse.
Ky projekt i inicuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe i mbështetur nga qeveria shqiptare praktikohet pas orëve të mësimit dhe ka vendosur palestrat dhe mësuesit e fiskulturës në dispozicion të atyre nxënësve të cilët janë të orintuar drejt sporteve si volejbolli dhe basketbolli.
“Shoh që nga stërvitjet dy vjeçare që kemi kryer ka shumë interesim dhe elemente të cilët kanë perspektivë për të qenë lojtarë shumë të mirë,”-tha Serme Haxhiu, mësuese dhe trajnere volejbolli.
“Ideja është që të rinjtë të vijnë dhe të angazhohen me sa më shumë sport për të lënë mënjëanë veset si droga alkooli dhe të shmangin disi rrjetet sociale që tani janë shndërruar besoj në një problem global,”-deklaroi Vojsava Sallahi, mësuese dhe trajnere volejbolli.
Ekipet sportive në shkolla kanë nxitur një interesim të lartë tek të rinjtë për tu marrë me sport. Mirëpo kjo ka nxjerrë në pah diçka tjetër.
“Interesi me thënë të drejtën është maksimal, por nuk kemi shumë infrastrukturë. Do të thotë është një numër i limtuar nxënësisht të cilët vijnë këtu pavarësisht interesit shumë të madh. Me këtë infrastrukturë që kemi ne gjithsesi mundohemi të marrim një numër të lartë nxënësish,”-tha Vojsava Sallahi, mësuese dhe trajnere volejbolli..
Ndryshe nga viti i parë, këtë herë pjesë e ekipeve sportive në shkolla mund të bëhen edhe fëmijët nga mosha 8-10 vjeç, ndërsa siç dihet ky projekt praktikohet edhe në gjimnaze, ndërsa synimi është të përqafohet edhe nga universitetet.
niveli qenka tmerr
Përgjigju