Ekipi i Biden, një 'oqean' me probleme të shkaktuara nga Trump

25 Nëntor 2020, 16:40| Përditesimi: 25 Nëntor 2020, 17:09

  • Share

Ditën e djeshme presidenti i zgjedhur Joe Biden, prezantoi ekipin e ri të sigurisë kombëtare, por ai së shpejti do të përballet me probleme të shumta. Bota është në shumë mënyra një vend më i rrezikshëm që kur Donald Trump fitoi presidencën në 2016.

Programi bërthamor i Koresë së Veriut, vazhdon të mbetet një ndër problemet kryesore pavarësisht nga të gjitha “letrat e dashurisë” që Trump ka shkëmbyer me diktatorin korean Kim Jong Un.

Biden me siguri do të përpiqet të zgjidhë në mënyrë diplomatike çështjen bërthamore të Koresë së Veriut në krahasim me Trump, i cili mendoi se do të kishte sukses atje ku çdo president tjetër kishte dështuar si  Bill Clinton.

Talibanët janë nisur drejt Afganistanit, të impresionuar nga bisedimet e papërfillshme të administratës Trump për “paqen” dhe veprimi i nxituar i Trump për të reduktuar ndjeshëm trupat amerikane në janar, disa ditë para inaugurimit, do të vendosin në pozitë të vështirë pasardhësin e tij, si në Afganistan dhe Irak. Vendimi i Trump për tërheqjen e Trupave pavarësisht krijimit së një filiali të ISIS në Afganistan dhe ecurive të rëndësishme të fundit në fushën e betejës nga Talibanët, ka ngjallur shqetësim në vend. Asnjë president nuk dëshiron që të dërgojë më shumë amerikanë në Afganistan dhe Biden ka kundërshtuar vazhdimisht një prani të trupave në shkallë më të  gjerë atje edhe gjatë kohës kur ai ishte zëvendës president.

Trump kërkon të tërhiqet edhe nga Iraku. Biden e di mirë se çfarë ndodhi kur administrata e Obamas largoi të gjitha trupat amerikane nga Iraku në 2011, pasi tre vite më vonë, ISIS mori pjesën më të madhe të vendit dhe Obamës iu desh të dërgonte mijëra trupa përsëri atje. Ekipi i Biden me siguri nuk dëshiron që e njëjta ngjarje të përsëritet.

Sikur këto probleme të mos mjaftonin, ekziston edhe marrëveshja e prishur bërthamore e SHBA-së me Iranin.

Në vitin 2018, administrata Trump u largua nga marrëveshja bërthamore e Iranit, që ishte negociuar nga ekipi i presidentit Obama dhe që nga ajo kohë iranianët kanë rifilluar prodhimin modest të karburantit bërthamor. Biden ka thënë se ai do të rikthejë marrëveshjen bërthamore, iranianët kanë dërguar mesazhe të dyshimta rreth çmimit që do të vendosin.

Në anën tjetër kërkohet ndërhyrja për zgjidhjen e situatës së krizës humanitare në Yemen. Administrata e Trump tani po mendon të përcaktojë grupin rebel Houthi atje si një organizatë terroriste, e cila ka të ngjarë të pengojë përpjekjet për paqe midis Houthis dhe qeverisë së Jemenit të mbështetur nga Sauditët.

Sjellja e Kinës ndaj komunitetit të myslimanëve atje dhe sulmit ndaj demokracisë në Hong Kong, kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Biden. Kina ka vazhduar përpjekjet e saj për të kthyer Detin e Kinës Jugore në një liqen kinez. Kina gjithashtu vazhdon të shfarosë atë që ka mbetur nga demokracia në Hong Kong dhe ka internuar rreth një milion ujgurë në kampe e përqendrimit.

Administrata e Biden duhet të përpiqet të mbajë nën kontroll fuqinë në rritje të Kinës dhe  shkeljen e të drejtave të njeriut, gjithashtu nga ana tjetër nuk duhet të vërë në rrezik lidhjet ekonomike që janë thelbësore për një ekonomi globale që të funksionojë mirë.

Përveç problemeve diplomatike, një krizë e madhe ajo e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 përkeqësohet ditë pas dite.  Nën udhëheqjen e Trump, Shtetet e Bashkuara  nuk kanë arritur të menaxhojnë si duhet pandeminë në krahasim me vendet e tjera dhe ndërsa ka lajme premtuese për vaksinat, do të duhen  muaj  të tërë për t’i prodhuar dhe shpërndarë gjerësisht. Konfliktet e Trump me OBSH-në, në mesin e pandemisë më të madhe në dekadat e fundit, paraqet një sfidë tjetër për administratën e re.

Një nga pikat të cilët ata shpresojnë të zgjidhin gjatë kësaj kohe është rikthimi i SHBA në  Marrëveshjen e  Parisit për klimën, megjithatë kjo nuk besohet se do të jetë shumë e vështirë pasi nuk kërkohet ratifikimi nga Senati i kontrolluar nga republikanët.

Efektet e ngrohjes globale janë rreth nesh, nga zjarret e mëdha në pyjet e Amerikës perëndimore deri  te numri rekord i uraganeve shkatërrues në Shtetet e Bashkuara të Jugut. Duke emëruar ish-senatorin dhe sekretarin e shtetit John Kerry në një pozicion të ri të kabinetit për ndryshimin e klimës, Biden po fokusohet  me tepër në “sigurinë kombëtare amerikane dhe kjo mund të jetë lëvizja e tij më me vlerë  nga të gjitha. 

Edhe pse ka sfida deri diku të frikshme, njerëzit që Biden ka zgjedhur të plotësojnë postet kryesore të sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme pasqyrojnë dëshirën e tij për të rivendosur rendin dhe për të vlerësuar aftësitë dhe përvojën.

Antony Blinken, i zgjedhuri i Biden si sekretar i shtetit, është një demokrat i njohur që nga administrata e Obamës si zëvendës sekretar i shtetit dhe nënkryetari i sigurisë kombëtare. Ai është një diplomat inteligjent që mund të ndihmojë në rivendosjen e nderit në Departamentin e Shtetit, i cili  pati luhatje të mëdha gjatë mandateve të sekretarëve Rex Tillerson dhe Mike Pompeo.

Blinken ka marrëdhënie të mira me Biden, pasi të dy kanë punuar së bashku për gati dy dekada, që kur Blinken ishte drejtor i stafit të Komitetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, kur Biden ishte kryetari i tij.

Blinken do të sigurojë aleatët amerikanë se Shtetet e Bashkuara do të rimarrin përsëri vendin e parë në NATO dhe të ndalojnë nënshtrimin ndaj kundërshtarëve si Koreja e Veriut dhe Rusia.

Avril Haines, e cila është gjithashtu shefe e politikës së jashtme dhe ekipit të tranzicionit të sigurisë kombëtare të Biden, është zgjedhje e duhur për të qenë shefe e inteligjencës kombëtare, duke koordinuar punën e 17 agjencive të inteligjencës amerikane. Ajo do të ishte gruaja e parë DNI dhe udhëheqësja ideale për të rikthyer nderin në komunitetin e inteligjencës shumë të prekur.

Jake Sullivan, tani do të jetë këshilltari i presidentit për sigurinë kombëtare. Kjo është një nga punët më të vështira në Uashington, pasi kërkon menaxhimin e “procesit ndërinstitucional” .

Linda Thomas-Greenfield do të shërbejë si ambasadore në Kombet e Bashkuara duke pasur parasysh përvojën e saj diplomatike.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare,  do të drejtohet nga Alejandro Mayorkas , një emigrant i refugjatëve nga Kuba dhe do të ishte zyrtari  i parë latin që do të emërohet për të drejtuar atë.

Departamenti me më shumë se 240,000 punonjës, nuk ka qenë kurrë i lehtë për tu menaxhuar dhe për Mayorkas do të jetë një sfidë. Ai gëzon respekt të madh nga mbrojtësit e të drejtave të emigrantëve, është themelues i DACA, i cili ka ndihmuar qindra mijëra emigrantë të rinj pa dokumenta të punojnë dhe të shkollohen duke i mbrojtur ata nga deportimi.

Megjithatë ka ende shumë emra të cilët nuk janë të njohur për publikun dhe sipas të dhënave zgjidhja e disa prej tyre do të jetë relativisht e lehtë.

Aleatët e Amerikës në NATO tashmë po mbështesin presidentin e zgjedhur dhe janë në pritje të momentit kur ai të marrë kreun e Shtëpisë së Bardhë dhe çfarë politikash do të ndjekë ai.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?