Prej katër vitesh, ekipi i mundjes në Kukës është aktiv në grupmoshat U9, U12, U15 dhe U17, në të dyja stilet, greko-romak dhe i lirë.
Trajneri i ekipit, Ali Cenaj, bën të ditur se aktualisht janë rreth 60 sportistë aktivë në të dy stilet, një numër i konsiderueshëm që e vendos Kukësin në një pozitë të veçantë në hartën kombëtare të mundjes.Sipas tij, ky ekip përfaqëson një nga bazat më të rëndësishme të prurjeve për Federatën Shqiptare të Mundjes.
Megjithatë, Cenaj shpreh shqetësimin se grupmosha U20 është ndikuar ndjeshëm nga emigrimi, çka ka krijuar një boshllëk në vijimësinë e garuesve të rinj.
Një tjetër problematikë, sipas trajnerit, është mbështetja minimale nga pushteti vendor.
“Në aktivitetet ndërkombëtare, ne nuk përfaqësojmë Shqipërinë, por Kukësin”, thotë Cenaj, duke theksuar mungesën e vëmendjes institucionale për këtë sport në rritje.
Pavarësisht vështirësive, sportistët e rinj të këtij ekipi kanë arritur rezultate të rëndësishme edhe në aktivitete ndërkombëtare. Cenaj thekson se pjesëmarrja në këto gara është shumë e rëndësishme për zhvillimin e tyre profesional dhe për përgatitjen e brezave të rinj për arenën ndërkombëtare.
Synimi i trajnerit dhe i ekipit është që në të ardhmen, këto grupmosha të arrijnë të bëhen pjesë e ekipeve kombëtare dhe të përfaqësojnë Shqipërinë me dinjitet në garat jashtë vendit.
Komente
