Ekipi i ekspertëve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lë sot karantinimin dhe do të fillojë punën në terren, në Wuhan të Kinës, aty ku edhe u shfaq për herë të parë virusi. Pasi mbërritën në Kinë, atyre iu kërkua të qëndrojnë në karantinë për 14 ditë.
Ata pritet të qëndrojnë rreth një muaj në Wuhan dhe deri tani ata kanë hasur disa pengesa në qasjen në informacione dhe në njerëz që kanë njohuri për fillimin e përhapjes së virusit.
Pekini deri më tani ka kundërshtuar përpjekjet ndërkombëtare për të gjetur origjinën e virusit, i cili ka vrarë më shumë se 2.1 milionë njerëz në të gjithë botën.
Kina gjithashtu është kritikuar për kushtet që vendosi për vizitën e ekipit dhe teoritë e qeverisë kineze që thonë se faji për shpërthimin e koronavirusit është diku tjetë, si në një qëndër ushtarake në Maryland. Shtetet e Bashkuara kërkuan një hetim ndërkombëtar "të fuqishëm dhe të qartë".
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se "është e domosdoshme që të hulumtojmë në ditët e para të pandemisë në Kinë", duke shtuar se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetëse të një hetimi ndërkombëtar.
Puna e ekipit të OBSH-së vjen pasi numri i të infektuarve në botë ka arritur në më shumë se 100 milionë persona.