Shqipëria numëron 4 grupkapituj të hapur nga 6 në total, ndërsa brenda këtij muaj pritet të hapet edhe grupi i 5-të. Deri më tani, vendi ynë ka çelur negociatat për grupkapitujt e “Themeloreve”, “Marrëdhënieve me jashtë” si dhe “Tregut të Brendshëm”, ndërsa mbeten ende të pa hapura “Axhenda e Gjelbër” dhe grupkapitulli i “Burimeve, bujqësisë dhe kohezionit”.
“Ekipi negociator i Shqipërisë me të vërtetë po bën një punë të mirë sepse tashmë janë hapur këto 4 kapituj në 8 ose 9 muaj dhe është një rekord në negociatat tuaja. Jam shumë i sigurt se kapaciteti i ekipit tuaj mund të bëjë të mundur hapjen e pjesës tjetër deri në fund të vitit. Në të njëjtën kohë do të thosha se jam shumë i vetëdijshëm se e gjithë kjo është gjithashtu një sfidë e madhe”, tha ambasadori gjerman në vendin tonë Karl Bergner.
Pavarësisht progresit që po bëhet në rrugën drejt integrimit, ambasadori Bergner thotë se vendi duhet të përqëndrohet në çështjet që lidhen me Shtetin e së drejtës dhe luftën ndaj korrupsionit
“Fokusoni shumë në çështjet që janë ngritur, për shembull, në raportin e fundit progresor të BE-së të vitit të kaluar, që janë fusha, të ashtuquajturat baza, që është sundimi i ligjit me qeverisje dhe lufta kundër korrupsionit. Këto janë çështje që gjithashtu konsiderohen shqetësuese për shumë shqiptarë me të cilët flas”, thotë ambasadori.
Objektivi i autoriteteve shqiptare është të hapë të gjithë grupkapitujt brenda vitit, dhe që negociatat të mbyllen në 2027-ën, duke i lënë rrugën më pas shteteve të BE-së për të pranuar Shqipërinë brenda familjes europiane deri në 2030-ën.
Komente
