Në prag të Lojrave Olimpike që organizohen në Tokio të Japonisë nga data 24 korrik deri më 9 gusht, ekipi olimpik kombëtar, ka bërë të ditura sot objektivat.
Luiza Gega, atlete: “Kam patur një performancë shumë të mirë dhe më thënë të drejtën objektivi mbetet i njëjtë: hyrja në finale. Kësaj do t’i qëndroj fort.”
Briken Calja, peshëngritës: “Fakti tregon se jemi në formë dhe jemi afër zonës së medaljes. Janë rezultate të mira sepse janë përmbyllur të gjithë kampionatet kontinentale dhe faktet tregojnë se jemi afër medaljes.”
Indrit Cullhaj, xhudo: “Nuk është rastësi ftesa ime në olimpiadë. Është hera e parë që xhudo ka dhënë maksimumin për të shkuar në Olimpiadë. Unë si Indrit kam qenë katër vende poshtë kualifikimit zyrtar, por kampionatin e fundit ndeshja e parë më ka rënë me kampionin e botës. Kemi dalë barazim dhe në minutat shtesë ai ka fituar.”
Izmir Smajlaj, atlet: “Me thënë të drejtën jam gati, pasi jam stërvitur intensivisht këto 5-6 vite. Duhet t’ia shpërblejmë edhe KOKSH-it pasi na ka mbështetur këto vite.”
Erkand Qerimaj, peshëngritës: “Kemi bërë tre vite gara kualifikuese për të arritur këtë ditë. Unë flas si sportiest kampion Europe, medalist botëror në tre vitet e fundit dhe si përfaqësues i një sporti që shkon në këtë olimpiadë me dy të kualifikuar.’
Sportisti më i veçantë i Shqipërisë në këtë Olimpiadë është rusi Matvei Petrov, i cili u shpall edhe kampion bote me flamurin kuqezi. Në një bashkbisedim me kryetarin e bashkisë Tiranë Erion Veliaj ai u shpreh gati për medalje në Olimpiadë.
Matvei Petrov: “Jam gati për lojrat Olimpike. Mora pjesë në Kroacia dhe fitova titullin kampion bote. Ishte diçka shumë e mirë për mua.”
Sakaq sipas presidentit te KOKSH Fidel Ylli ekipi olimpik kombëtar kurrë nuk ka shkuar kaq i organizuar në Lojrat Olimpike.
Fidel Ylli, president i KOKSH-it: “Mbështetja nga KOKSHI ka nisur kohë më parë, pasi nuk kemi pritur olimpiadën. Janë katër vite që KOKSHI të gjithë sportistët olimpikë i ka mbështetur me bursa olimpike me bursa të talenteve të reja. Faktet tregojnë se ekipi olimpik nga lojrat e kaluara tek ky i këtij viti është rritur. Është hera e parë që pretendojmë të hyjmë në zonën e medaljeve.”