‘Ekonomia’ i jep dritë jeshile pr.ligjit të katërt të paketës fiskale! Prej 2024, nuk do paguhet TVSH për importin e kafshëve të gjalla

13 Dhjetor 2023, 13:23| Përditesimi: 13 Dhjetor 2023, 13:26

  • Share

Komisioni i Ekonomisë ka miratuar projektligjin e katër që ishte pjesë e paketës fiskale për vitin 2024 që ndryshonte ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Miratimi i këtij projektligji u shty kur kaloi paketa fiskale për shkak se kishte paqartësi në kodet që duhet të përfshiheshin në projektligj, si kategoritë që përjashtohen nga pagesa e TVSH-së në import.

Projektligji parashikon përjashtimin nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për importimin e mëshqerrave mbarsë dhe insekteve me qëllim eliminimin e përdorimit të  hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.

Propozimi për të hequr TVSH-në në import për gjedhë, dhen, dhi, derra dhe njëthundrakë është bërë nga deputeti i PS-së Erion Braçe.

Ky ndryshim i propozuar sipas qeverisë, synon nxitjen e importit të mëshqerrave mbarsë që do të lindin në vend me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë.

Heqja e TVSH-së në import pritet të ndihmojë sektorit të rimëkëmbet pas një rënie të vazhdueshme të numrit të bagëtive në vitet e fundit. Vetëm në vitin e kaluar sipas të dhënave të INSTAT në vitin 2022 numri i krerëve të bagëtive që prodhojnë qumësht, gjedhë, dele dhe dhi pësoi rënie me 8.3% në krahasim me vitin 2021.

“Nisur nga nevoja e rritjes së numrit të krerëve të bagëtive në vend, është parashikuar përjashtimi nga TVSH në importin e gjedhëve të mbarsur sipas një kodi doganor të caktuar doganor. Po kështu është parashikuar përjashtimi nga TVSH i koshereve me bletë, çka do stimulojë zgjerimin e këtij sektori si dhe përjashtimi nga TVSH i importit të insekteve të cilët luftojnë insektet, të cilët janë zëvendësues të insekticideve që përdoren në bujqësi. Efekti nga këto masa në mbështetje të bujqësisë është rreth -150 milionë lekë në vit”, thuhet në relacionin e projektligjit për ndryshimin e ligjit për TVSH-në.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?