Pas muajsh debatesh dhe diskutimesh, mazhoranca është gati të votojë ligjin që do të rikthejë bastet sportive
Me shumicë votash pro dhe abstenim të deputetit socialist Erion Braçe, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë kaloi në tërësi ndryshimet në ligj teksa të enjten pritet votimi në seancë plenare.
Edhe kjo seancë e fundit u karakterizua nga qëndrimi i fortë i socialistit Braçe.
‘Të ndërmarrim këtë iniciativë për të kthyer bastet, atë që e kemi shqetësim që të gjithë dhe të formalizojmë tregun e zi të basteve për vetëm 2.69 lekë në 100 lekë, më duket se është një gjë aq e vogël sa s’ka ku të shkoj më.’- tha deputeti Erion Braçe.
Braçe kundërshtoi fort përfshirjen e drejtuesve FSHF e KOKSH në këshillin që do të shpërndajë fondet e posaçme për sportin.
‘Tani, këta kur nuk i ndalon për të vënë baste, këta nuk mund të jenë këtu dhe nuk kanë lidhje fare në këtë pjesë, është punë e qeverisë dhe nuk duhet të jenë kurrë në një komunitet qeveritar. Janë klientë njësoj siç do të jenë klientë për projekte, edhe federatat e tjera. Gara e tyre vihet në baste, nga bastet arkëtohen para, që i marrin këta dhe i shpërndajnë për gjëra të tjera.’- tha Braçe.
Teksa ripërsëriti qëndrimet për një kontroll më të fortë të kompanive të licencuara për të dekriminalizuar tërësisht sektorin, Braçe e quajti themelore që në këtë proces të përfshihet SPAK.
“Është themelore që një organ i specializuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe të korrupsionit të jetë këtu në ligj si një institucion që jep një nga miratimet edhe ai. Ka ca procese hetimore edhe tani që kanë dalë nga këto hetimet e SPAK, ka emra dhe individë që janë marrë me lojërat e fatit deri para se ne t’i mbyllim”- u shpreh Braçe.
Reklamimi i basteve në rrjetet sociale ishte shqetësim i ligjvënësve socialist, pasi ligji nuk e përfshin rregullimin prej mungesës së një organi monitorues.
Ndryshimet në projektligjin për lojërat e fatit parashikojnë rikthimin e basteve sportive vetëm online 5 vite pasi u mbyllën mijëra pika fizike në të gjithë territorin. E drejta për ta ushtruar këtë aktivitet do t’i jepet vetëm për 10 operatorëve dhe përzgjedhja e tyre nëpërmjet një komisioni të veçantë.