Ekonomi

‘Ekonomia në rritje dhe e qëndrueshme’, Moody’s vlerëson Shqipërinë me ‘Ba3’: Ndikuan reformat dhe procesi i anëtarësimit në BE, deri më 2026 borxhi publik ulet me rreth 4%

9 Prill, 13:06| Përditesimi: 9 Prill, 19:32

  • Share

Reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit në BE, të shoqëruara edhe me progres në aspektin ekonomik e fiskal, e kanë bërë ekonominë e Shqipërisë më të qëndrueshme. Ky është vlerësimi i fundit i bërë nga agjencia prestigjioze ndërkombëtare e vlerësimit Moody’s që ka konfirmuar vlerësimin e Shqipërisë në “Ba3” me perspektivë “të qëndrueshme”.

Moody’s ka argumentuar se ekonomia e Shqipërisë i ka përballuar me sukses tri goditjet e mëdha në periudhën 2019-2023 dhe ka vijuar të rritet, ku për këtë vit ekonomia pritet të jetë 3.8% më e lartë dhe në vitin që vjen të ngadalësojë në 3.4%.

Vlerësimi i fundit i Moody’s parashikon një ulje të mëtejshme të borxhit publik në 53.7% deri në vitin 2026, i mbështetur nga rritja e fortë ekonomike dhe balanca fiskale primare.

“Ky përmirësim është mbështetur nga reformat fiskale, si Strategjia Afatmesme e të Ardhurave dhe nga menaxhimi më i mirë i investimeve publike”, vlerëson agjencia, e cila parashikon përmirësim edhe mëtejshëm fiskal në kuadër edhe të reformave që po ndërmerren për t’u bërë pjesë e BE.

Ky proces sipas Moody’s do të shoqërohet edhe me përmirësim të sundimit të ligjit në vend, avancim në luftën ndaj korrupsionit dhe të llogaridhënies.

Ky është vlerësimi i dytë që Shqipëria merr nga agjencitë ndërkombëtare, pasi në ditët e fundit të marsit “Standard&Poor’s” rriti vlerësimin për ekonominë në ‘perspektivë të qëndrueshme’ si rezultat i performancës pozitive të ekonomisë.

Këto vlerësime rrisin imazhin e vendit përpara ndërkombëtarëve, nxisin më tepër investitorët e huaj të vijnë në Shqipëri, si dhe lehtësojnë kushtet për të marrë financim në tregjet e huaja.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nisi fushata zgjedhore për 11 majin, si e parashikoni?