Ekonomi

‘Ekonomia’ ‘ok’ ligjit të ri për bashkëpronësinë në pallate! Kujdes, jo vetëm gjoba nëse nuk paguan administratorin por edhe 'bllokim' në hipotekë

30 Qershor, 18:46| Përditesimi: 30 Qershor, 18:52

  • Share

Të gjithë qytetarët që kanë në pronësi një banesë në një pallat do të pajisen për herë të parë edhe me certifikatën e bashkëpronësisë, në të cilën do të detajohen hapësirat e përbashkëta të familjeve që banojnë në atë godinë, nga oborri deri në tarracë.

“Ligji krijon mundësinë që për çdo apartament të dalë edhe një certifikatë bashkëpronësie. Kjo krijon qartësinë për bashkëpronësisë”, tha Arbjan Mazniku.

Teksa prezantoi në Komisionin e Ekonomisë, projektligjin “Për administrimin e bashkëpronësisë në ndërtesa", ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku tha se caktimi i administratorit do të jetë detyrim, ndërsa tarifa që do paguhet do të caktohet nga vetë ‘asambleja e pronarëve të pallatit’.

“Ligji parashikon që tarifa përcaktohet nga asambleja. Kur nuk e caktojnë administratori e merr tarifën në bazë të referencës së caktuar nga bashkia që merr për bazë një sërë elementësh mbi tipologjinë e ndërtesës”, tha Mazniku.

Nga pagesa e tarifës së administrimit nuk do të ketë përjashtime, madje nëse ajo nuk paguhet për 1 vit, shkohet deri tek bllokimi i hipotekës së shtëpisë.

“Për grupet vulnerabil u jepet e drejta bashkive që të vlerësojnë rastet që të mbështesin si për tarifë grupet vulnerabil ashtu edhe për mirëmbajtjet e qenësishme kur duhen bërë. Kur nuk paguhet tarifa do të ketë një shënim hipotekor, që në dokumentin hipotekor thuhet se subjekti në fjalë ka X detyrim dhe nuk bëhen dot veprime mbi pronën pa u shlyer detyrimi. Shton mekanizimin për të mbledhur paratë dhe zgjidh edhe problemin e banorëve që janë emigrantë”, u shpreh ministri Mazniku.

Përveç pagesës së administrimit dhe mirëmbajtjes së pallatit, banorët do të paguajnë çdo muaj një tjetër tarifë që do të përdoret për riparime të mëdha, si sistemet kapot, eficencë energjie apo vendosje ashensori.

“Kur i vjen koha një pallati për tu riparuar kostoja i takon pronarëve të objektit dhe jo bashkisë. Për këtë arsye përveç tarifës një pagesë mujore e posaçme do të bëhet për këto riparimet e mëdha. Por ky mekanizëm nuk i ndalon bashkitë të ndërhyjnë kur e shohin të arsyeshme”, thekson ministri.

Ndryshe nga sa ka funksionuar deri më tani, kur administratori merr pagesën pa faturë dhe ku shumica e pallateve nuk kanë fare administrim, me këtë projektligj të ri, fatura e administrimit do të jetë titull ekzekutiv.

“Administratori do të ketë nipt, dhe do të lëshojë fatura që të njihen si titull ekzekutiv, do hapë llogari në emër të NIPT-it”, tha Mazniku.

Një tjetër detyrim i këtij projektligji të miratuar në komision është edhe ngritja e ‘Librit të Bashkëpronësisë’ nga bashkitë, në të cilin hidhen të dhëna për llojin e ndërtesës, vitin e ndërtimit etj.

“Libri i bashkëpronësisë, do të jetë detyrë e çdo bashkie që të krijojë një regjistër që përmban llojin e ndërtesës, vitin kur është ndërtuar, tipologjinë e ndërtesës, organet e kryesimit, asamble administrator, certifikatën e bashkëpronësisë, fondin rezervë. Përmes këtij regjistri bën edhe kontrollet ka apo jo administrator”, thotë ai.

Aktualisht në Shqipëri janë 432 mijë banesa me shumë kate, subjekt i zbatimit të këtij projektligji, pas miratimit në seancë plenare.

“Rreth 40% e totalit të banesave janë në pallate me shumë kate dhe ka bashkëpronësi. Pjesa më e madhe e këtyre banesave janë pa një administrator. 26% e banesave janë ndërtuar para vitit 1981, 36% janë ndërtuar në pragun 1981-2000, 36% janë ndërtuar pas vitit 2001”, theksoi ministri në Komision.

K.T./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Artani: 30/06/2025 21:34

    Pupupupu cfare behet keshtu ? Po cdo idiotllik nga italia do merret ne shqiperi? Po lerini administratoret po lironi oborret e pallateve! Ju plasi shume banorve te nje pallati ne nje qyteze te vogel per administratorin! Po garant kush del per administratorin ne rast se vjedh rezervat dhe pagaesat e banoreve? Do lejne peng garanci per cdo pallat qe administrojne? Apo i garanton bashkia ?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?