Ministria e Financave

Ekonomia që rritet, papunësia që ulet dhe të ardhurat fiskale që nuk realizohen

12 Korrik 2018, 07:08| Përditesimi: 12 Korrik 2018, 08:30

  • Share

Duket se është e kënaqshme panorama ekonomike e gjysmës së parë të vitit 2018! Shifrat zyrtare, të bëra të njohura për publikun në një dalje zyrtare të kreut të financave dhe të ekonomisë, janë mbresëlënëse. Shoqëruar me të dhënat e Institutit Zyrtar të Statistikave (INSTAT), këto të dhëna duhet ta bëjnë krenar çdo shqiptar, që është i interesuar për ritmet e rritjes ekonomike dhe performancën e ekonomisë, në tërësi.

Kështu ndodh përsa i përket rritjes ekonomike. Rritja ekonomike në tremujorin e parë 2018 kapi nivelin e 4.45%, e ndihmuar nga energjia, tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, bujqësia. Pothuajse të gjithë sektorët janë me rritje, që do të thotë se objektivi qeveritar për rritje ekonomike vjetore me 4.2 për qind për vitin 2018 të realizohet, të paktën dhe/ose, të tejkalohet ndjeshëm. Kjo edhe për faktin se, nisur nga historiku shumëvjeçar i të hyrave fiskale, në tremujorin e dytë dhe në tremujorin e tretë, efektet e investimeve publike, efektet e projekteve të mëdha, efektet e turizmit, mundësia që të jemi në këto nivele apo më lart, është shumë e madhe. Këtë e thotë me zë të plotë edhe ministri Ahmetaj.

Banka e Shqipërisë duket se është “në të njëjtën gjatësi vale” me Qeverinë, referuar treguesve që ajo mbikqyr dhe publikon. Rritja e besimit në ekonomi është në vazhdimësi në përmirësim. U rrit me 3.7 pikë gjatë tremujorit të parë të vitit 2018, duke vijuar të mbetet mbi mesataren afatgjatë të tij.

Aktorët vazhdojnë të kenë besim në rritje te ekonomia, qoftë konsumatorët, qoftë aktorët ekonomikë, pra sipërmarrjet private, dhe këtë mund ta konfirmojmë edhe me rritjen e shifrës së afarizmit, ku përfshin prodhimin dhe shërbimet. Shifra e afarizmit për prodhimin përgjatë tremujorit të parë të vitit 2018 shënoi një rritje prej 15.64 %.

Saktësoi kreu i Financave, Arben Ahmetaj

Punësimi? Vazhdojmë të jemi në nivelin më të ulët historik të papunësisë, 12.5%, në terma vjetore e ulur me 1.7%, e vazhdon trendi rënës i papunësisë tek të rinjtë. Janar-qershor janë gati 14,600 të punësuar vetëm nga zyrat e punës.

Ka akoma tregues të tjerë pozitive për ekonominë. Flukset e investimeve të huaja u rritën 62% në krahasim me tremujorin e njëjtë të vitit 2017. Për tremujorin e parë, zëri i shërbimeve të lidhura përgjithësisht me turizmin shënoi rritje në vlerën 331 milionë euro ose 10%, nga viti në vit. Projektet e mëdha, thonë zyrtarët, janë duke mbaruar fazën e investimit. Investimet e huaja po konsolidohen. Stoku në 2015-ën ishte 5 miliardë euro, stoku në dhjetor të 2017-ës ishte 6.5 miliardë euro, pra rritet me 16 % stoku i investimeve të huaja.

Edhe eksportet u rritën 18.4%, me gjithë lëvizjet në kursin e këmbimit, që tradicionalisht duhet të vlerësoheshin penguese, ndërkohë ka një rritje gati 7% të importeve.

Po deri këtu vijon “rrahja e gjoksit”, sepse problem të shumta evidentohen në krahun hyrës të të ardhurave. Rritja është  vetëm 3.3%. Edhe pse për 6 mujorin, ka gati 60 milionë dollarë më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar, trendi përmirësues dhe në të ardhura nuk po pasqyron, as angazhimin e agjencive shtetërore të mbledhjes së të ardhurave dhe, as planifikimin vjetor të qeverisë.

Të hyrat fiskale nuk janë realizuar asnjëherë, duke filluar nga janari i këtij viti. I janë afruar planifikimit, pa e prekur atë dhe, sigurisht që janë më shumë se një vit më parë! Po nuk është kjo mënyra e raportimit të të hyrave fiskale. Ato raportohen në raport me planin dhe prodhimin e brendshëm bruto, për të parë se cila është vlera e administrimit fiskal dhe se sa administratat janë eficente dhe përformojnë mirë! Prej 6 muajsh ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk i raporton në kohë të hyrat fiskale dhe nuk i krahason me planin, por me arritjet e një viti më parë!?

Kjo mënyrë të raportuari evidenton dy probleme (ato bëhen më të dukshme tani kur në Kuvend është depozituar për miratim edhe buxheti faktik 2017): E para, që dikasteri i hartimit të të hyrave fiskale nuk i ka kapacitetet për të parashikuar të ardhura sipas kapaciteteve të ekonomisë, duke marrë në konsideratë edhe konjukturat ekonomike ndërkombëtare dhe e dyta, ka probleme të ndjeshme në administrimin fiskal, për sa kohë asnjë prej administrative fiskale, tatime plus dogana, përfshirë edhe të ardhurat vendore, nuk kanë mundur të realizojnë detyrimin ligjor të të hyrave fiskale! Edhe viti 2017 nuk i ka realizuar të ardhurat, edhe viti 2018, me këtë ecuri, nuk do t’i realizojë të ardhurat! Nuk mund të rritet ekonomia, të ulet papunësia, të rritet kreditimi, të rriten investimet e huaja, të rriten investimet vendase, të rritet turizimi dhe…të “humbasin” të hyrat fiskale të qeverisë! Këtu duket se ka një problem të stërmadh që kërkon zgjidhje të shpejtë dhe efikase…

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?