Gati gjysma e rritjes ekonomike prej 3.5% në periudhën prill-qershor 2025, erdhi nga shpenzimet për administratën publike, më pas 25% kontribuoi turizmi dhe shitjet e pronave.
Ndërsa sektorët me kontributin më të madh jo vetëm në Prodhimin Kombëtar por edhe në punësim, si bujqësia dhe industria ishin në rënie të fortë krahasuar me vjet, me përkatësisht -2,49% dhe 1,79%.
“Mbështetja e ekonomisë në faktorë, siç janë shpenzimet, buxhetore apo pagat në rastin konkret, apo sektori i dyshimtë i ndërtimit duhet të na shqetësojë për të ardhmen. Duhet të flasim për vendet e reja të punës që krijohen, duhet të flasim për produktivitetin në këto vende pune, duhet të flasim për shtim të prodhimit vendas dhe jo për ndërtim”, thotë eksperti i ekonomisë Zef Preçi.
Përsa kohë leva e rritjes do të jenë vetë shpenzimet e administratës, brishtësia e ekonomisë do të jetë e lartë thonë ekspertët
“Pagat e administratës publike janë pikërisht taksat e qytetarëve. Shumë mirë që pagat u rritën, pasi puna në administratë nuk ishte tërheqëse, por të mbështetet rritja ekonomike tek administrata publike, nuk krijon zhvillim të qëndrueshëm”, thotë ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi
Kriza në sektorin bujqësor dhe në atë industrial, për ekspertët duhet të jetë kambanë alarmi për institucionet që të reagojnë.
“Shqetësimi më i madh nuk duhet të jetë përqindja, se nuk ha askush përqindje, por dinamika që ka ekonomia në tërësi dhe prodhimi vendas. Fakti që kemi një rënie të numrit të bagëtive, fakti që nuk kemi asnjë hap për përpunimin e naftës, që është një potencial i rëndësishëm apo fakti që shumë sektorë të rëndësishëm si kromi apo bakri nuk luajnë asnjë rol, duhet të na shqetësojë të gjithëve”, thotë Preci.
“Problemi kryesor i ekonomisë është që nuk mbështetet në sektorë të qëndrueshëm, në bujqësi dhe industri, që japin prodhim, japin performancë të mirë ekonomike jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë, pasi do të rriste eksportet edhe më shumë”, pohon Radonshiqi
‘Faktorë të rastit’ i konsideron Preçi sektorët që kontribuuan më shumë në rritjen ekonomike në këtë tremujor të dytë të vitit.
“Rritja është e paqëndrueshme në kohë dhe rrezikon të mos përsëritet në vitet që vijnë dhe destinimi i fondeve në këto burime ka pasoja. Përshembull rritja e pagave në sektorin publik rrit shpenzimet buxhetore, dhe pakëson burimet e financimit për infrastrukturën në shkolla, spitale etj. Në ndërtim, indikatorët flasin për ngadalësim të shitjeve ndonëse lejet vazhdojnë të jepen, dhe jep sinjale për rreziqe për rënie të blerjeve, flluskë në ndërtim etj”, thotë Preçi.
“Edhe turizmi që është i rëndësishëm, nuk na garanton qëndrueshmëri, pasi kërkon cilësi. Nëse ne ofrojmë çmimet të larta dhe jo cilësi, edhe turizmi mund të na kthehet bumerang”, thotë Romina Radonshiqi.
Tkurrja e sektorit të bujqësisë dhe peshkimit nisi që në vitin 2020, dhe u duk se do të stoponte në fund të vitit 2021, por shifrat tregojnë se të paktën prej 27 muajsh është në rënie të vazhdueshme, ndërsa industria ka 6 tremujor ose 18 muaj që vijon të bjerë.
Komente

Z Preç por kur ishit ju në pushtet çfarë strukture kishit?Kuptohet ekonomike?Po ke të drejtë se ju shitët deri dhe Hidroçentralet,dhe jetuat(ekonomia)mbi bazën e privatizimit.
Përgjigju