Ritmi i rritjes ekonomike është përshpejtuar lehtë në tremujorin e tretë të këtij viti, që përkon me periudhën e sezonit veror. Instituti i Statistikave raportin se ekonomia gjatë muajve korrik-gusht-shtator është rritur me 3.46% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2022.
Motorët kryesor të rritjes ekonomike ndryshe nga sa pritej edhe në këtë periudhë kanë qenë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme të cilat kanë kontribuar me 1.13% në rritjen ekonomike të këtij tremujori.
Rritja e pagave për punonjësit e administratës publike kanë dhënë po ashtu ndikim pozitiv pasi kanë rritur me 1.20% ekonominë, ndjekur nga aktivitetet profesionale e administrative dhe informacioni dhe komunikacioni që janë rritur me përkatësisht 0.37% dhe 0.26%.
Kurse turizmi që pritej të kishte ndikimin kryesor në këtë tremujor për shkak edhe të bumit të lartë të pushuesve, ka dhënë një kontribut minimal në rritjen ekonomike me vetëm 0.24%. Shkak për këtë rezultat është edhe informalitetin i lartë që mbizotëron në këtë sektor, si për strukturat që ushtrojnë aktivitetin të pa licencuar, po ashtu edhe pasi bizneset nuk deklarojnë xhiron reale të tyre.
Ndërkohë kanë pasur ndikim negativ dy sektorë kryesor të ekonomisë, bujqësia e industria, që kanë pësuar rënie me 0.50% dhe 2.89%.
Shkak për këtë situatë është kriza që ka përfshirë sektorin bujqësore prej vitesh për shkak të uljes së numrit të bagëtive, ndërsa tek industria ka ndikuar negativisht rënia e euros që ju ka zhvlerësuar fitimet.