Ekskluzive/ 17 zyrtarë ranë në 'rrjetën' e dekriminalizimit në 2019, largohen e kallëzohen penalisht për fshehje të të shkuarës së zezë

28 Maj 2020, 17:25| Përditesimi: 28 Maj 2020, 18:32

  • Share

TIRANE-17 zyrtarë të niveleve të ndryshme kanë rënë gjatë vitit 2019 në ‘rrjetën’ e ligjit të dekriminalizimit. Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se nga verifikimit i 163 zyrtarëve gjatë vitit që shkoi, 17 subjekte kanë rezultuar në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, për shkak të parashikimeve të ligjit të dekriminalizimit. Zyrtarët janë zbuluar pas verifikimeve të kryera nga njësia e dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme, në bazë të kërkesave të institucioneve publike. 17 zyrtarët janë kallëzuar më pas penalisht për falsifikim dokumentesh, pasi kanë fshehur të dhënat rreth së shkuarës së tyre në formularët e dekriminalizimit.

Departamenti Administratës Publike ka referuar në njësinë e dekriminalizimit 71 kërkesa për verifikim të zyrtarëve, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë 40 kërkesa, Kuvendi 21 kërkesa, Këshilli i Lartë Gjyqësor 50 kërkesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve 9 kërkesa, Gjykata e Lartë 8 kërkesa dhe individët kanë bërë 5 kërkesa. Nga 204 kërkesa, janë shqyrtuar vetëm 163, ndërsa të tjerat janë mbartur për vitin 2020. Sa i takon nivelit dhe pozicionit, 2 zyrtar të prekur nga ligji i dekriminalizimit janë të nivelit të lartë, gjashtë subjekte janë të nivelit ekzekutiv, gjatë të tjerë të nivelit drejtues dhe tre subjekte të nivelit të mesëm.

Vetëm gjatë muajit janar 2020, njësia e dekriminalizimit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka regjistruar 21 kërkesa për verifikimin e zyrtarëve të niveleve të ndryshme nëse janë apo jo në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit. Shtatë kërkesa janë bërë nga Departamenti Administratës Publike, 9 kërkesa nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, 1 kërkesë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, 1 kërkesë  nga KQZ, 1 kërkesë nga Lëvizja Qytetare Sopoti dhe 2 kërkesa nga Partia Demokratike. Ligji për dekriminalizimin është miratuar në vitin 2015. Zbatimi i ligjit ka ‘djegur’ disa deputetë, kryetarë bashkish dhe një numër të konsiderueshëm drejtorësh.

(Kliko ketu per te lexuar verifikimet e Njesise se dekriminializimit )

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?