ReportTv mëson ekskluzivisht nga burime pranë komisionit të ligjeve se prokuroria e posaçme ka depozituar dy kërkesë me anë të së cilës hetuesit kërkojnë shtesën e pagës prej 60% për vështirësi në punë dhe privimin e lirive e privatësisë së familjarëve të tyre.
Dy shkresat rezultojnë se në sirtarët e parlamentit janë prej Janar 2020 dhe 30 Maj 2020 por ende nuk ka një vendim që hetuesit të përfitojnë shtesën e kërkuar.
ReportTv ka mundur të lexojë shkresën në të cilën SPAK thotë: “Të heqësh dorë nga privatësia për vete dhe familjarët e afërm, është një kufizim drastik i të drejtave të individit. Ky kufizim i të drejtave individuale vlerësuar nga ligjvënësi si i domosdoshëm për të garantuar objektivat e ligjit dhe njëkohësisht si kusht skualifikues për kandidatët që nuk e plotësonin. Për të baraspeshuar këtë kufizim të të drejtave individuale ligjvënësi ka parashikuar që të ketë pagesë shtesë", shprehet SPAK.
Struktura e posaçme kundër krimit dhe korrupsionit shprehet se shtesa e pagës nxit aplikimin e kandidatëve më të mirë jo vetëm për prokuror, por edhe për byronë kombëtare të hetimit dhe administratën e punonjësve civil.
Një tjetër kërkesë e SPAK është edhe përcaktimi i pagës së kreut të byrosë kombëtare të hetimit e cila deri më tani në mënyrë të çuditshme nuk është përcaktuar kurrë as në ligjin 95/2019 as në ligjin 25/2019.
Shkresa e depozituar në kuvend kërkon nga deputetët të miratojnë një pagë për drejtuesin e byrosë kombëtare të hetimit sa ajo e prokurorit të SPAK në nivelin bruto me shtesën për vjetërsi si magjistratët, 10% shtesë për postin e drejtuesit si dhe shtesë për vështirësi në nivelin e 50% të pagës bruto fillestare.
Aktualisht paga për hetuesit e SPAK është në nivelet e 170 deri në 190 mijë lekë por mos marrja e shtesës që nga nisja e punës, për hetuesit të cilët nuk pranuan të flasin me kamera është një demotivim për ta.
Por çfarë ka ndodhur me pagën e hetuesve të SPAK?
Me propozim të tre deputetëve Adnor Shameti, Alket Hyseni dhe Edmond Leka parlamenti e miratoi në 12 shkurt shtesën e pagës për vështirësi dhe privim privatësi të prokurorëve të SPAK duke e inkorporuar në ndryshimet e propozuara në formulën e betimit të gjyqtarëve e prokurorëve.
Por me anë të dekretit numër 11444 presidenti Meta e ktheu pas këtë ligj me argumentin se është pro rritjes së pagës për prokurorët por kundër formulës së re të betimin e cila sipas tij ishte cenim i kompetencave të presidentit.
Nga ky moment ligjvënësi ende s’ka gjetur një zgjidhje teksa prokurorët kërkojnë pagesën siç dhe ata kanë rënë dakord para se të merrnin këtë detyrë.