Politikë

Ekskluzive/ Alibeaj e Kthupi tërhiqen nga rekursi për vulën e PD në Gjykatën e Lartë: S’kemi më interes! Basha: Jemi kërcënuar që të heqim dorë (DOKUMENTI)

4 Mars, 15:14| Përditesimi: 4 Mars, 19:58

  • Share

TIRANË- Enkelejd Alibeaj është tërhequr nga rekursi për vulën e Partisë Demokratike, të bërë në Gjykatën e Lartë, pasi vula i kaloi Sali Berishës më 11 Qershor të vitit të shkuar.

Përmes një kërkese të bërë nga përfaqësuesi i tij ligjor, Rezart Kthupi, njëherësh bashkë-themelues i subjektit të ri politik që Alibeaj përfaqëson “Djathtas 1912”, heqja dorë nga rekursi argumentohet me faktin se nuk ka më interes të ligjshëm pasi përfaqëson një tjetër parti, krejt të ndryshme nga ajo PD është sot. 

Kurse Demokratët Euroatlantikë të drejtuar nga Lulzim basha, kanë reaguar menjëherë duke theksuar se nuk do tërhiqen nga kjo betejë juridike, pavarësisht shantazheve dhe kërcënimeve që kanë marrë. Ata i bënë thirrje Gjykatës së Lartë që të marrë një vendim "të bazuar në ligj dhe jo me presione, shantazhe dhe me lojëra politike".

Në kërkesën e tij, Kthupi nënvizonte se:

"Nga ajo kohë e më pas, kanë ndodhur disa ndryshime në pozicionim partiak. Unë tashmë nuk përfaqësoj dhe nuk jam pjesë e grupimit politik e quajtur Partia Demokratike. Nuk mbaj asnjë post, e asnjë tagër përfaqësimi. Për më shumë, tashmë jam i angazhuar në një tjetër subjekt politik, tërësisht të dallueshëm e të ndryshëm nga subjekti i mësipërm. Është fakt publik tashmë, por edhe po ju vë në dijeni, se kanë ndodhur edhe disa akte juridike dhe politike të rëndësishme, sic është p.sh. regjistrimi pranë KQZ i subjektit politik ku unë bëj pjesë, si subjekt garues në zgjedhjet e pritshme të 2025, madje edhe në kuadër të një koalicioni politik.

Nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Përvec kësaj, sqaroj, se interesi i ligjshëm bazohej dikur edhe në pozicionimin politik të dikurshëm, i cili sic shpjegova më lart tashmë nuk ekziston më.

Duke qenë se konsideratat e pozicioneve politike janë të rëndësishme sidomos tani nën dritën zhvillimeve politike dhe elektorale, më imponon të qartësoj se mungesa e interesit të ligjshëm dhe atij politik në raport me subjektin politik PD, më pengon ligjerisht, dhe në rrafshin etiko-elektoral të përfaqësoj e të shtyj përpara një proces gjyqësor të tillë nga i cili nuk tërheq asnjë të drejtë apo detyrim. Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim",

Nën dritën e këtyre fakteve juridike, është shuar interesi i ligjshëm në vazhdimin e këtij procesi gjyqësor si kusht themelor mbi të cilin ngrihet e vazhdon një proces i tillë. Për më shumë me subjektin politik në fjalë, nuk më lidh asnjë raport politik e aq më pak juridik, madje e konsideroj një subjekt politik me interesa politiko elektorale tërësisht të ndryshme dhe pa asnjë interferim me subjektin politik në të cilin kam aderuar tani e në vazhdim.“-thuhet në kërkesë

Ky vendim i Alibeajt i heq shpresën e fundit për të rimarrë vulën e PD-së edhe Lulzim Bashës i cili kishte deklaruar se një subjekt të ri politik do ta krijojë vetëm pasi edhe Gjykata e Lartë të flasë për rekursin. Për këtë arsye, Basha për 11 majin mori me 'qira' një parti tjetër, duke i ndërruar emrin në Koalicioni Euro-atlantik, me kryetar njeriun e tij të afërt Endri Hasën.

Kliko këtu për të lexuar dokumentin

Ora 16:42
Kthupi u tërhoq nga rekursi i vulës së PD, Basha: Jemi kërcënuar që të tërhiqeshim! Gjykata e Lartë të vendosë sipas ligjit, pa shantazhe dhe lojëra politike

1740584214_lulzimbasha.jpg

Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, gjatë një komunikimi nga SHBA-të me mbështetësit e tij

Demokratët Euroatlantikë, të drejtuar nga Lulzim Basha, kanë reaguar menjëherë pas lajmit të tërheqjes nga rekursi në Gjykatën e Lartë të ankimuesve Rezart Kthupi dhe Enkelejd Alibeaj.

Në një njoftim të shpërndarë sot (4 mars), theksohet se ata nuk kanë hequr dorë nga shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë.

“Çdo kërkesë e depozituar sot, nga individë që nuk janë pjesë e Partisë Demokratike/ Demokratët Euroatlantikë, ka zero efekt në këtë proces. Ata që kanë shpallur sot tërheqjen janë vetëdemaskuar, si autorët e një shantazhi politik për interesa të ngushta personale. Vetëm dy ditë më parë drejtues të Koalicionit Euroatlantik /PD - Demokratët Euroatlantikë, janë kërcënuar, se nëse Koalicioni Euroatlantik, nuk do t’ju nënshtrohej kushteve për bashkëpunim, duke hequr dorë nga identiteti ynë politik, do të përballeshin me tërheqjen nga rekursi në Gjykatën e Lartë”, thuhet në reagim.

Më tej theksohet se beteja do të vazhdojë dhe se nuk ka shantazh që i bën që të tërhiqen.

“Demokratët Euroatlantikë e kanë provuar me vepra, se nuk ka forcë të na shantazhojë dhe se nuk biem pre e asnjë presioni. Ne kemi qëndruar dhe qëndrojmë për parime dhe vlera. Duhet të marrë fund koha kur interesat politike i mbivendosen të drejtës në këtë vend. Ne do ta vazhdojmë pa u ndalur, betejën ligjore dhe i kërkojmë Gjykatës së Lartë të marrë një vendim sa më shpejt, bazuar në ligj, pa u ndikuar nga presioni, shantazhet apo lojërat politike që synojnë të marrin peng Partinë Demokratike për tu mbrojtur nga drejtësia”, përfundon reagimi.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?