Në përfundim të procesit të transportimit të votës së diasporës, kompania postare DHL ka prerë fatura tatimore dhe i kërkon KQZ së vlerën e plotë të kontratës prej 9,2 mln euro. Faturat janë të pa detajuara, por janë thjesht të ndarë në muaj e dërgim/kthim, jo me numra konkrete se sa dërgime e kthime, e aq më pak të ndara sipas shteteve.
Report TV ka mësuar se KQZ ka refuzuar t'i paguajë faturat në këtë formë. Komisioni i ka kërkuar DHL-së të sjellë faturë të veçantë për çdo shtet që ka bërë transport dhe për çdo shtet të sjellë edhe kopje elektronike të firmave të zgjedhësve që kanë tërhequr zarfet zgjedhore.
Deri më tani DHL ka sjellë firmat për një pjesë të madhe të shteteve, dhe stafi i KQZ ka filluar punën për kontrollin e nënshkrimeve. Rezulton se krahas firmave të rregullta, ka raste kur në vend të firmës është një vizë, një pikë, ose mungon fare.
Burimet pranë KQZ pohojnë se do të paguhen vetëm transportet e zarfeve të rregullt me firmë, dhe jo ato që nuk kanë nënshkrim fare, apo kanë shenja të tjera si vizë (_) apo pikë (.) në vend të firmës. Deri më tani burime për Report Tv konfimojnë se DHL nuk ka marrë asnjë pagesë.
Se sa firma mungojnë, do të kuptohet në fund të procesit, kur KQZ të bëjë zbritje nga fatura e tenderit 9.2 mln eurosh. Transporti dhe shpërndarja e votave në diasporë u kritikua fort nga PD dhe vërejtjet nuk munguan as nga socialistët.
Për zgjedhjet e 11 majit, u aplikua për herë të parë vota e diasporës përmes postës. 245 mijë shqiptarë u regjistruan si zgjedhës nga jashtë, por në Shqipëri erdhën 202 mijë vota. 43 mijë të tjerë, ose nuk u takuan dot asnjëherë me postën, ose e tërhoqën zarfin, por nuk e kthyen votën e plotësuar në KQZ.
Kliko këtu për të lexuar faturën e DHL
Komente

Eshte per te ardhur keq pasi jo te gjithe qe morem zarfet kemi hedhur firme por ama votuam. Me nje proces kaq te shtrenjte nuk besoj se eshte e nevojshme vota e diaspores. Ne e lame vendin e nuk paguajme me taksa aty, mendoj se votimi duhet te mbyllet vetem me shqiptaret rezidente ne Shqiperi qe preken drejt per se drejti nga politikat qeveritare.
Përgjigju