TIRANË - Vetëm një muaj pas vendimit të dy prokurorëve të SPAK-ut, Ened Nakuçi dhe Ervin Kondili, për shpalljen e moskopetencës për dosjen “Bajri”, duke çuar aktet hetimore për gjykim në Gjykatës e Shkodrës, kjo gjykatë mësohet se ka kthyer sërish në SPAK materialin voluminoz, duke i lënë detyra prokurorisë së posaçme.
Në vendimin gjyqësor që “Shqiptarja.com” e disponon thuhet qartë se, dosja hetimore në ngarkim të Behar Bajrit, Enver Bajrit, Safet Rustemit, Ilir Rustemit, Emrah Plakut, Astmer Bilalit, Samet Hallunit, Ismet Idrizit, Sirjan Alija, Jorida Muratit, Senad Hallunaj, Florinë Hoxha dhe Mira Nikaj, duhet t'i kalojë sërish Prokurorisë së Posaçme në Tiranë.
Pikërisht kjo prokurori një muaj më parë në 31 janar 2020 vendosi të shpallë moskopetencën e kësaj dosje, me argumentin se nuk kishte elementë të veprës penale. Në vendimin prej 15 faqe të shpalljes së moskompetencës lëndore nga prokurorët Nakuçi dhe Kondili thuhet se: "për personat nën hetim Behar Brajoviç (Bajri), Enver Bajri, Safet Rustemi ose Ilir Rustemi (Bajri) Asmer Bilali, pavarësisht se hetohen për kryerjen e më shumë se një vepër penale, në asnjë rast nuk i kanë kryer veprat penale të bashkëpunimit, me më shumë se dy persona, element formal por dhe thelbësor për ekzistencën e “Grupit të strukturuar kriminal”. Në këto kushte ata duhen të hetohen për veprat respektive, por të kryera në formën e bashkëpunimit të thjeshtë dhe jo të organizuar".
Por duke marrë shkak nga ky argument në datën 20 shkurt 2020 gjyqtari i Shkodrës Besmir Stroka, ka vendosur që dosja hetimore me nr. 62 të kthehet sërish në prokurorinë nga e cila kishte ardhur në Shkodër. Gjyqtari i kërkon prokurorëve të SPAK-ut që në marrjen e vendimmarrjes për shpalljen e moskopetencës lëndore, duhet të paraqesin dhe vendimin tjetër, për pushimin e akuzave të “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarët publikë”. Kjo procedurë nuk është kryer nga prokurorët e SPAK, të cilën kanë marrë vendimmarrjen pa e paraqitur atë në Gjykatën e Posaçme, ku dhe të kërkonin pushimin e dy akuzave të sipërcituara. Nisur nga kjo situatë, Gjykata e Shkodrës, ka urdhëruar që dosja “Bajri” e ndërtuar me shumë bujë nga policia dhe prokuroria e Krimeve të Rënda, të kthehet sërish në vendin e origjinës, ku këtë herë duhet të jetë vetë SPAK-u, ai që duhet të pushojë akuzat për “Grupit të strukturuar kriminal” dhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm tek zyrtarët publikë”.
Pas pushimit të këtyre dy akuzave atëherë ka shumë gjasa që dosja penale të kalojë për gjykim në Shkodër, për akuzën e “Vrasjes me paramendim”, “Kanosjes me qëllim tjetërsimin e pasurisë”, “Shpërdorim detyre”, “Mbajtja pa lejë të armëve” etj.
Behar Bajri, akuzohet nga prokuroria për vrasjen me dashje në dëm të bashkëjetueses së tij Fabiola Hyseni. Kjo ngjarje ka ndodhur në 29 qershor 2002, kur 15-vjeçarja është raportuar si e vetëvrarë me tre plumba në shtëpinë e Bajrit. Njërin nga plumbat 15-vjeçarja e ka marrë pothuajse pas shpine. Behar Bajri, i arrestuari kryesor për këtë ngjarje dhe i dyshuari nga prokuroria si personi autor për këtë vrasje, ka mohuar në mënyrë kategorike se e ka kryer këtë krim. Por nga ana tjetër, prokuroria ka krijuar bindjen e fortë, tashmë të mbështetur jo vetëm tek sekuestrimi i armës, por dhe në një akt-ekspertim grafik të shkrimit të poezive të gjetura në vendngjarje,duke ngritur dyshime të forta se autor i dyshuar është pikërisht Behar Bajri, njëri prej personave më të përfolur në botën e krimit në Shkodër.
Ndërkohë në dosjen që disponon “Shqiptarja.com”, prokuroria thotë se me të njëjtën pistoletë tip “TT” që është qëlluar 15-vjeçaria Fabjola Hyseni në vitin 2002, është qëlluar në 7 shkurt 2001 Arben Tuzi, ngjarje kjo e ndodhur në rrugën “Qemal Stafa” në Shkodër, ku ka mbetur i plagosur dhe Lulzim Molla. Gjithashtu në dosje thuhet se Behar Bajri, Safet Rustemi, Ilir Rustemi, Astmer Bilali, Ismet Idrizi, Sirjan Alia dhe Jorida Murati, të akuzuar për gjobëvënien në ngarkim të një pronari restoranti në Shirokë, një pronar agjencie udhëtimi në Shkodër dhe një biznesmeni. Ndërsa të arrestuar të tjerë në këtë çështje penale por që tashmë janë në masa sigurie “arrest shtëpie” janë disa punonjës të personelit në Spitalin e Shkodrës, si Senad Halluni, Florine Hoxha dhe Mira Nikaj, të cilat kanë kryer punësimin e paligjshëm dhe kanë paguar pa asnjë ditë pune, Jorida Muratin, mikeshën e Behar Bajrit.