Ekskluzive/ Flet spiuni i ish-oficerit Dritan Zaganit në Gjykatë: Ai na futi në varr…

22 Dhjetor 2018, 07:24| Përditesimi: 22 Dhjetor 2018, 12:36

  • Share

Teksa ishte në masën e sigurisë “arrest shtëpie” pasi ndiqej penalisht nga prokuroria, Dritan Zagani gati katër vite më parë vendosi të largohej fshehtas nga Shqipëria,duke kërkuar azil politik në Zvicër.Pikërisht nga Gjeneva, e Zvicrës, Zagani ish-shefi i sektorit të antidrogës në Fier filloi të flasë dhe denoncojë me emra konkretë zyrtarë të policisë së Fierit dhe Vlorës si të lidhur me krimin, duke akuzuar drejtpërdrejt ministrin e Brendshëm të kohës Saimir Tahiri, si të lidhur me grupin e Habilajve. Zagani në atë periudhë u cilësua hero nga opozita aktuale e vendit, ndërsa maxhoranca e cilësoi si një tradhtar të uniformës së policisë së Shtetit. Sot Zagani gëzon statusin e azilantit politik në Zvicër, ndërkohë herë pas here sulmon maxhorancën dhe bëhet protagonist i debateve televizive. Por nga ana tjetër, ky njeri që cilësohet herë si hero dhe herë si tradhtar, rezulton në Shqipëri dy herë i dënuar, ku vendimi më i fundit për dënimin e tij, me 4.6 vite burgim është marë nga gjykata e Fierit në nëntor 2018. “Shqiptarja.com” ka qënë ndër të parat media që raportoi dënimin e ish-oficerit të policisë së Shtetit, ndërsa sot e në vazhdim “Shqiptarja.com” do hedhë dritë mbi dokumenta gjyqësore, dëshmi të personazheve shqiptare dhe italiane, që janë dhënë në gjyqin kundër të pandehurit Zagani.

Nga dëshmitë e personave që janë paraqitur në gjykatë, del qartë roli i Zaganit mbi aktivitetin e tij, i cili merte onorare në euro nga një oficer italian i Guardia di Finanza i quajtur Alesandro Xhuliani, kundrejt informacioneve që i jepte. Në dokumentat e gjykatës del se këto informacione Dritan Zagani, i siguronte nga një shofer kamioni që punonte me linjat ndërkombëtare me inicialet V.D., duke i pohuar këtij të fundit se ishte i mbrojtur nga shteti dhe se emri i tij kishte shkuar shumë lart në Shqipëri dhe Itali.

Po kështu Zagani në dokumenta del se falë informacioneve që merte nga V.D pretendonte të ngrihej në detyrë, dhe siç bisedonte me spiunin e tij V.D, synimi ishte të kapte postin e kufirit në Vlorë, ku aty do të ishin mirë. Njëherësh Zagani kishte thithur në bashkëpunim edhe gruan e këtij të fundit me inicialet I.D, me të cilën kryente shpesh takime. Madje në një rast ka orientuar bashkëpuntoren e tij, se si duhet të sillej në polici, për një aksident me vdekje që djali i saj kryevi në qytetin e Vlorës.

Madje Zagani ka prezantuar V.D me vetë oficerin e Guardia di Finanza në Vlorë, ndërkohë që sipas dokumentave të gjykatës, Zagani ka instruktuar burrë e grua që të fusnin në makinë e burrit të mbesës së tyre, me emrin Arben një paisje përgjuese GPS, me të cilin do hetonin. Gjithmonë sipas dokumentave zyrtarë nëpërmjet spiunit të tij me inicialet V.D, Zagani në 2014, ka bërë arrestimin e Ermal Daja dhe Gani Shahaj, të cilët u kapën me mbi 100 kg drogë. Por sot pas katër vitesh, Zagani gëzon të mirat e Azilit në Zvicër, por V.D. bashkëpuntori i tij më i ngushtë, ku është, çfarë jete kryen ai në Vlorë, a ndihet i kërcënuar për jetën dhe familjen e tij?

Në dëshminë që V.D spiuni i Zaganit që ka dhënë përballë gjykatës së Fierit, e çuan Zaganin një plehrë, që e ka ngatëruar me shumë njerëz sapo iku në Zvicër. Sot “Shqiptarja.com” zbardh të plotë dëshminë e spiunit të Zaganit të dhënë në procesin gjyqësor në Fier ku në seancën gjyqsore të datës 24 prill 2018 është paraqitur shtetasi V.D dhe Gjykata i bëri me dije se është thirrur si i bashkëpandehur duke e pyetur nëse kërkon të perfaqesohet me një mbrojtës dhe se ka të drejtë për mos të dëshmuar…

Dëshmitari V.D deklaroi shprehimisht:”….Jo nuk e di se çfarë po ndodh kam kaluar trauma. Nuk kam nevojë për asnjë. Atë që më ka bërë ai njeri nuk mundem… Në lagje kemi qënë më pas tek firma “Kamberi”, unë kam qënë me kamion ai ka qënë komandant porti… Kam qënë biçuk i tij nëse bënte gjëra, kane kaluar 5 vjet nuk di ç’te them…. Unë mendoja se i bënte me prokurorin. Kemi bërë një operacion në Levan që u kapën 100 kg hashash më ka shpërblyer, kam marr 1 milion lekë…. Roli im ka qënë tërheqësi i palës për ti futur në grackë….. U arrestuan personat i kapën me mall, mua më lanë se isha ndermjetës dhe kam marrë dhe shpërblim 1 milion lekë…..

Pyetjes: Firmosët marrëveshje me Dritanin ?

 - Jo, ai më thoshte se ishin të bëra të gjitha nga lart….Jo nuk kam patur… Jo jam thirrur vetëm tek krimet e renda,… Bashkëshortja është arrestuar, pasi deklaroi se ishte drejtuese mjeti, për të mbrojtur djalin tonë ….Po Dritanit, të cilit i kam thënë se çfarë do të bëjmë … Ne rastin e Levanit… Po (Perfundoi ne organet e drejtesise), edhe mua me arrestuan, dhe më pas me lanë të lirë….. Jo nuk kam firmosur ndonjë dokement për të qënë bashkëpunëtor i policisë. Unë kam firmosur vetëm në bordero….Mendoja se isha i mbrojtur nga Dritani…. Se ai sdo më nxirrte…. Une e kam pranuar bashkëpunimin si mik si shok pastaj nuk e di me duket se donte të ngrihej në detyrë…. Na kanë marr zvarrë në orën 2 tek krimet e renda deri në orën 7 dhe une jam pyetur ne vend tjeter dhe gruaja ne vend tjetër. Çfarë kam thënë atje janë të sakta…. Unë kam 22 vjet që dalë jashtë shtetit….Në ngjarjen e Levanit, kishte forca të policisë në vendngjarje.Ishte operacion. kishte mbi 20 policë… Po kishte persona qe ishin në detyrë mbi Dritanin, ja harrova emrin…..

Pyetjes: Këtë person qe thua se ishte me detyre mbi Dritanin  ku e ke takuar?

…Tek ETC-ja ka qënë shef i Dritanit…. Ishte shefi i Dritanit, nuk e mbaj mend emrin…..

Pyetjes: Këtë shpërblimin në lidhje me rezultatin e operacionit të Levanit, ku e morët brenda ambjenteve të komisariatit apo jashtë?

… Jashtë tek ETC e kam firmosur mbi makinë procesverbalin…. Po (A.Dn) e njoh kisha patur porosi që ta mbaja në mbikqyrje, por nuk e bëra.

Pyetjes: Po shtetasin Aleksander Giulianini?

Nga Dritani e kam njohur….. Po kam folur në telefon me të …..nuk i kam dhënë informacion …GPS nuk e njoh ….

Pyetjes: Nga Aleksandro kane ardhur ne rruge te dokumentuar euro ne emrin tuaj?

Po 300 euro 200 euro kur i kam kërkuar për familjen, pasi kam qënë keq nga gjëndja ekonomike.

Pyetjeve të gjykatës: nëse ka ndikuar ndonjë faktor i jashtëm në pyetjen tuaj dhe përgjigjet që keni dhënë në këtë seancë gjyqesore, keni pasur probleme? Çfarë problemi keni? Kur kanë filluar problemet? Keni pasur probleme të tjera, ka komunikuar tjetër kush me ju? Çfarë problemi keni tani në lidhje me këtë? Ndiheni i kërcënuar, keni marrë kërcënime?

Unë probleme kam, por do i përballoj vet… Me personat që ai ka lakuar emrat mua më kërcënojnë. Do e përballoj vetë…. Që pas largimit të tij nga Shqipëria... Vetëm këto probleme këtyre tre persona. Më ler ta përballoj vet. Nuk dua as mbrojtje asgjë do ia dal vet. Unë një djalë e kam në burg. Çupën e kam 20 vjeçe..…Do e përballoj me forcat e mia, se qenkam marrë me një plehrë, më futi në këtë valle dhe s’po dal dot nga kjo valle. Me lini ta përballoj vet….Kam marrë, nuk ka rëndësi, do i përballoj vet…. Thashë do e përballoj vet të dalë ku të dalë kjo situatë. Dritanin dhe shefin që nga dështimi i parë ka qënë një javë, u takuam në Fier. Erdhi Dritani bashkë me Skënderin, u ulëm trajtuam si dështuam. Do lozësh rolin e s'do hapesh telefonin tha dhe më morën. Bëra lojën si më mësuan. E hapa, jo s'më pëlqen, sa u futa. U futëm në rregull. Lamë ditën e orën. Kemi punuar me telefona. Kam folur me Dritanin me telefonin e policisë. Me Skënderin nuk kam folur më telefon jemi takuar. Dhe arrestimin që më bënë aty e mori Skënderi që më shoqëroi në Fier…. Nuk di të shpjegohem ai kaq me thoshte, do bëhet, do marrësh lek, i kam dhënë informacionet lart, antidrogës lart…Nuk e di të them. Thoshte emri yt ka vajtur lart je i mbrojtur. Ai na futi në varr…..Kam qënë në strukturat e policisë në vitin ‘97, shofer. Kam dalë me dëshirë. Nuk kam bërë më kërkesë për të rifilluar….Kur thoshte lart, me struktura më të mëdha nga Fieri, me ministrinë…. Sokol Bizhgën e kam njohur, sa ka ardhur në policinë e Vlorës, ‘92 a ’94, ka qënë shef krimesh… Ka 20 vjet nuk mbaj mend, edhe mund të jem takuar me të. Unë jam thirrur tek prokurori Anton Martini.

Por prokuroria e Fierit, kërkoi të lexohen procesverbalet për të riprodhuar edhe njëherë dëshminë e  V.D. Duke qene se ka dhene nje informcion te detajuar dhe sot shprehet se nuk mbaj mend është vendosur të lexohet dëshmia e këtij dëshmitari i cili ka deklaruar si më poshtë:

Po, Dritan Zaganin unë e njoh prej shum vitesh, qysh nga koha kur ai ka punuar si punonjës policie me krimet, rreth vitit 1994-1995, në Komisariatin e Policisë Vlorë. Dua të sqaroj se unë mendoj se ai ka punuar me krimet sepse e shihja që ai ishte civil gjatë ushtrimit të detyrës së tij. Për Dritanin di se ai ka qënë nga veriu, dhe se në fshatrat e Vlorës ai ka pasur dajot e tij. Gjatë kësaj kohe me të përshëndetëshim kur shkëmbehëshim me njëri-tjetrin dhe gjatë momentit që ai u shkëput nga policia, ka punuar pranë firmës rentjere “Kamberi”, ku në këtë firmë punonte edhe im vëlla Leonard Dukaj. Ky ka qënë momenti kur shoqëria ndërmjet nesh u bë më e zgjeruar. Diku rreth vitit 2011-2012 gjatë kohës që unë punoja me kamion prane firmës “Norga”, gjate kalimit në Pikën Kufitare të Portit të Vlorës me kamion për të udhëtuar për në Itali jam takuar përsëri me Dritan Zaganin, me të cilin kisha vite që nuk isha takuar. Gjatë bisedës me të, prej tij mesova se ai punonte si oficer kufiri në Portin e Vlorës. Nga ana e tij m’u kërkua shoqërore që unë gjatë kohës që levizja me kamion nga Shqipëria nëpër Europë, të interesohesha e të mësoja mbi personat që merreshin me trafikime të paligjshme armësh, drogë, etj. Nga ana e tij mu la numri i tij i telefonit celularë, që ishte numri i policisë me 41, dhe më pas më ka dhënë një numër tjetër “Vodafone”, ku numri nuk më kujtohet, por di se atë e kam të regjistruar në një karte “Vodafoni” që ndodhet në shtëpi. Nuk kam dijeni nësë kam ndonjë numër të tij tek karta Italjane Uind 003938.....9 që unë e kam në përdorim prej më shumë se 6-të vitesh, të cilën e kam me vete.

Kur u bë informator i Dritan Zaganit?

Diku një muaj përpara zgjedhjeve të vitit 2013, gjatë kohës që unë ndodhesha në Portin e Vlorës, në pritje për të udhëtuar jashtë shtetit, jam takuar me Zaganin me të cilin kemi pirë nga një kafe së bashku. Gjatë bisedës prej tij mësova se ai ishte transferuar shef qarkullimi në Drejtorinë e Policisë Qarkut Fier. Pas zgjedhjeve ai më ka telefonuar, ku ka kërkuar që të takoheshim dhe pinim së bashku kafe. Jemi takuar ne lokalin “Gead” që ndodhet në hyrje të Portit Vlorë, ku aty gjatë bisedave më tregoj se kishte ndryshuar pozicionin, ku kishte kaluar shef zyre në sektorin e luftës kundër drogës në Fier. Më kërkoj që unë ta ndihmoja duke i dhënë informacion në lidhje me personat që punonin me kamion, të zonës Vlorë, Fier, Berat, etj, të cilët merreshin me trafikime të paligjshme, kryesisht armë dhe drogë. Me premtoj se për ndihmën që unë do ti jepja, ai do të më shpërblente si përfaqesues në strukturat e policisë së shtetit. Më premtoj se po të bëja diçka të bukur, ai do te kishte mundësinë të vinte përsëri në Vlorë tek Porti, dhe aty do të jemi mirë.

Si ndihmoi në arrestimin e dy personave me drogë?

Gjatë kësaj kohe nga ana e personave të ndryshëm mua më është afruar si ofert që ti ndihmoja për transport lënde narkotike për në shtetin italian. Unë për të dhënat e mësipërme kam vënë në dijeni Dritan Zaganin, ku nga ana e tij më është kërkuar që unë të hyja në lidhje me ta. Dritani më ka kërkuar që unë të merrja përsipër transportin e lëndës narkotike nga Shqipërija dhe ta transportoja atë për në Itali. Nga ana ime, me dijenin e Zaganit dhe ndihmën e një punonjësi tjetër të zyrës së drogës në Fier, që quhej Skënder është bërë e mundur që unë të bashkëpunoja me dy persona nga Vlora, të quajtur Gani dhe Ermal ku prej tyre do të merrja përsipër transportimin e lëndës narkotike që ata kishin.

Dua të sqaroj se Ganiu dhe Ermali kanë sjellur lëndën narkotike në Levan, ku unë sipas marveshjes që kisha me D.Z dhe Skënderin, ju kërkova dy personave trafikantë që ata të më ndiqnin me makinën e tyre nga pas dhe në momentin që unë do të shkoja afër vendit që më kërkoj policia, aty ata do të më jepnin makinën e tyre të ngarkuar me lëndë narkotike, ndërsa unë do t’ju jepja makinën time që ata të ktheheshin në Vlorë. Kjo operacion ishte i sajuar nga ana ime, ku gjoja unë lëndën narkotike të ngarkuar në makinën e tyre, do ta çoja tek vendi ku kisha kamionin, vend të cilin dy trafikantët nuk e dinin. Kjo ishte një lojë e ndërtuar nga policia, ku gjatë lëvizjes në rrugën e Levanit dy trafikantët Ganiu dhe Ermali do të kapeshin nga policia, gjatë rrugës që ata do të më ndiqnin nga pas me makinën e tyre të ngarkuar me lëndë narkotike. Finalizimi i kapjes së tyre do të bëhej në rrugën në qëndër të Levanit, ku lëvizja e mjeteve ishte e ngarkuar dhe mundësia për kapjen e tyre ishte më e madhe. Dhe kështu u finalizua ky operacion i drejtuar nga policia, ku dy trafikantëve u kapën gjatë lëvizjes në qëndër të Levanit, ku pasi u bllokua lëvizja e mjeteve nga ana e policisë u bë e mundur që në makinën e tyre të kapeshin një sasi prej rreth 100 ose 130 kg kanabis sattiva e paketuar, ku së bashku me lëndën u kapën dhe dy trafikantët e lëndës narkotike.

Si futi GPS në makinën e burrit të mbesës së gruas

Krahas këtij bashkëpunimi nga ana e Dritan Zaganit më është kërkuar që unë të merrja informacion edhe për persona të tjerë konkret, që ishin të dyshuar se merreshin me transport lënde narkotike. Nga ana e Dritanit më është kërkuar që unë ti jepja informacion atij në lidhje me shtetasin Ben D, banor i qytetit të Vlorës, person i cili kishte lidhje bashkëshortore me mbesën e gruas time që quhet Ketrina Haruni dhe që banonte në Babicë.

Për këtë nga ana e Dritanit më është kërkuar që unë të bashkëpunoja edhe me një shtetas Italian, që ishte shefi i antidrogës së Pulias, që quhej Aleksandro. Me Aleksandron jam prezantuar nëpërmjet Dritanit, që ishte miku i tij. Prezantimi im me Aleksandrin është bërë nëpërmjet Dritanit, tek lokali Bar “Dolce Vita” me afërsi të Portit të Vlorës. Nga ana e tyre më është kërkuar që unë të merrja informacion për A.D si dhe për persona të tjerë që transportonin lëndë narkotike me gomone për në drejtim të Italisë. Ata me premtuan se unë do të shpërblehesha financiarisht si i infiltruar nga ana e të dy shteteve. Nga ana e Dritanit mu tregua situata se në datën 18 ose 19 Korrik të vitit 2013, nga ana e Arbenit dyshohej se kishte braktisur një gomone me drogë në brigjet e zonës së Bari-t. Për këtë rast ata më kërkuan që unë të merrja informacion tek njerëzit e mi, në lidhje me këtë ngjarje.

Nga ana ime për këtë ngjarje i është kërkuar gruas time që ajo të pyeste mbesën e saj Katerina Haruni në lidhje me këtë ngjarje. Katerina i kishte treguar gruas time se pasi kishte mësuar këtë ngjarje, ajo ishte nisur me makinën e saj “Benz Clasi A” me targa AA 288 CR, nëpërmjet linjës së tragetit Durrës-Bari, ku me të mbritur atje ishte takuar me Arbenin me të cilin ishte kthyer në Shqipëri nëpërmjet rrugës tokësore nga Kroacia. Këtë informacion unë pasi e sigurova ja kam treguar Dritanit, ku ai më ka takuar me Aleksandron në 5-6 raste. Gjithashtu unë me Dritanin në një rast, në janar të vitit 2014 kemi shkuar në Borsh, ku atje Dritani kërkonte të merrte informacion për lëvizjen e Arbenit me gomone për në drejtim të Italisë. Në Borsh kemi shkuar rreth orës 19:30-20:00 me makinën e tij, ku kemi bërë lëvizje të ndryshme nga vija e bregut të detit, nga vija e kufirit, në pjesë të rrugës në hyrje dhe dalje të Borshit, si dhe në pika të larta, prej nga ai shikonte dhe kontrollonte sipërfaqen e detit. Dritani më tregoj se në Borsh kishte vilën e tij edhe djali i dajos së tij nga Vlora. Kujtoj se atë mbrëmje kemi qëndruar deri në orët e mesnatës, ku gjatë kësaj kohe Dritani ka biseduar në disa raste në telefon me Aleksandron, deri në momentin që ora ka shkuar 01:00-01:30, ku më pas jemi kthyer në Vlorë. Me qënëse nga ana e Dritanit nuk u bë e mundur identifikimi i ditës orës dhe vendit të nisjes me gomone të Arbenit, më kërkoj mendim se si mund të vendosnim një paisje GBS tek makina e Arbenit, pasi kështu do ta kishim më të lehtë kontrollin e levizjeve të tij. Më tregoj se kishte marrë dy paisje GBS (xhibijes) nga Aleksandro, të cilat do ti vendosnim njërën tek makina e Arbenit dhe tjetrën tek makina e Katerinës. Vendosja e këtyre paisjeve do të bëhej nga ana ime gjatë kohës që këta dy persona do të bënin shërbimet e mjeteve tek servisi i vëllait tim Gentjan Dukaj. Me Aleksandrin jam prezantuar 2-3 muaj pas zgjedhjeve të Qershorit 2013, dhe prej tij jam shpërblyer 4-5 raste me shuma të ndryshme 100 deri 300 euro, të cilat mi dërgonte Aleksandro nëpërmjet shërbimit “Monigram” dhe “Western Union”.

Zhdukja e kartave ishin të 3 në përgjim

Përpara një jave më ka telefonuar Dritan Zagani, ku kërkonte që unë të dilja e të takohesha me të. Ai ka ardhur e më ka marrë tek shtepija, ku kemi bërë një xhiro me një makinë BME të sekuestruar nga policia e Fierit, që e përdorte Dritani. Gjatë xhiros Dritani më kërkoj që unë të hiqja nga përdorimi dy kartat e mija të telefonit sepse ishim në përgjim unë, ai dhe Aleksandri. Unë i tregova se kartat e mija nuk mund ti hiqja së pari sepse humbja lidhje me njerëzit e mi, se dyti sepse nuk kisha kryer asnje lloj veprimtarie të jashtligjshme, përveç veprimeve që më kishte kërkuar Dritani si përfaqsues i shtetit në polici. Me Aleksandrin unë kam folur në disa raste, në kohë të ndryshme, ku bisedat kanë qënë rreth fushës së të dhënave që unë i jepja për detyra konkrete që më ishin ngarkuar nga ana e Dritan Zaganit dhe Aleksandros. Ndër këto biseda unë kam biseduar dhe për problemin e dy GBS (xhibiesve) që ai i kishte dërguar Dritanit ose do t’ja dërgonte ato ditë, ku krahas tyre do të sillte për mua një pasqyrë,një dinamo dhe një motorino për makinën time. Gjithashtu Aleksandri më kërkoi të dinte se si do të mundësoja vendosjen e dy GBS-ve tek makinat e Arbenit dhe Katerinës. Unë i tregova se ato do të vendoseshin në makinat e tyre gjatë momentit që ata do të bënin shërbimet e mjeteve të tyre tek servisi i vellait tim. Aleksandro më shpjegoj se mënyrën e vendosjes dhe funksionimit të tyre do t’ma tregonte Dritani. Këtë bisedë unë e kam bërë me telefonin e Dritanit, ku edhe ai ka folur në këtë rast me Aleksandrin. Kjo bisedë është bërë në Vlorë nga ana jonë, ndersa Aleksandri ndodhej në Itali.

Spiunimi dhe kapja e djalit të biznesmenit

Më tej në dëshminë e tij dëshmitari V.D ka deklaruar dhe një rast tjetër dhe më konkretisht ai pohon se “...në muaj shkurt 2014, ku unë kam udhëtuar me kamionin e firmës '‘Mario & Adi” për në drejtim të Hollandës. Në këtë udhëtim unë kam qënë i shoqëruar me Marjon, djalin e Beos, pronarit të firmës së mësipërme. Gjatë kohës që ne ishim në Hollandë, konstatova se nga ana e Marios u mor një ngarkes lënde narkotike, për të cilën mësova prej Marjos se sasia e saj ishte 3 kg. Në momentin që ne jemi kthyer në Itali, mua më ka telefonuar Dritan Zagani,të cilit i kam treguar për situatën në të cilën ndodhesha dhe për lëndën narkotike, që i përkiste Marios, i cili më shoqëronte në këtë udhëtim. I kërkova bashkëpunimin sipas marëveshjes, Dritanit, ku ai më bëri të njohur se operacioni nuk mund të bëhej në Shqipëri, por për këtë ishte më mirë që unë të bashkëpunoja me Aleksandron. Gjatë momentit që ndodhesha në terminalin e Brindizit, më ka telefonuar Aleksandri, ku mendoj se situatën ja kishte bërë prezente Dritani. Unë e sqarova Aleksandron duke i thënë për konstatimet që unë kisha për 3 kg lëndë narkotike. Pas kësaj bisede, Aleksandri ka bashkëpunuar dhe organizuar punën me policinë e Leçes, ku ata kanë shkuar tek kamioni, gjatë momentit që unë nuk ndodhesha atje. Gjatë kërkimeve të tyre mësova nga Aleksandri se në kamion kishin gjetur 3 kg kokainë të cilat ishin të fshehura në gabinën e kamionit. Ndërsa unë pas kësaj ngjarje kam udhëtuar për në Shqipëri, duke mos u përfshirë në ngjarjen e mësipërme.

Gjykata pyeti shtetasin  V.D :Pasi dëgjuat deklarimet dhëna para oficerëve të policisë gjyqësore, cilat janë të verteta, ai deklaroi shprehimisht:

Çfare lexoi prokurorja në procesverbal është e vërtetë…Sa më thellë të futesh nuk del dot më. Kur më ka thirrur Martini dhe jam pyetur këto kam thënë, janë të vërteta.

Avokati Agim Tirana Kundërshtoi leximin e procesverbalit të deklarimeve të shtetasit V.D të mbajtur gjatë hetimeve paraprake.

Gjykata pyeti shtetasin  V.D : Në dëshminë që dhatë sot,ka ndikuar ndonjë faktor  ose ndiheni i kërcënuar në përgjigjet tuaja?

Dëshmitari V.D deklaroi shprehimisht: Nuk kam frikë nga asngjë nëse kam thënë diçka, kam menduar se kam qënë i mbrojtur nga Dritani.

Duke parë gjëndjen e rënduar psikologjike të dëshmitarit V.D gjykata e pyeti nëse ndihej i kërcënuar nga dikush dhe e orientoi se në çdo moment mund të bënte denoncim dhe V.D u përgjigj shprehimisht: “…Jo do ta kaloj vet. Unë jam i kërcënuar edhe me fëmijët, por nuk bëj denoncim në polici. Do ta kaloj vet…”.

Vijon në numrin e nesërm, ku do të lexoni në gazetën Shqiptarja.com

1.Dëshmia e gruas së spiunit të Zaganit dhe takimet e shpeshta

2.Orientimi i gruas nga Zagani per aksidentin me vdekje ne Vlore

3.Bisedat e përgjuara nga Zagani me oficerin Italian te Guardia di Finanza.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Genti: 22/12/2018 16:09

    Ik ore Zagar legeni do te behesh dhe shef kufiri ti.duhesh kryeintrigant te behesh shef te kufiriVlores.lepirs.qelbesir.ka shum kritere

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?