Mbledhja e KLD

Ekskluzive/ Gjyqtarët që shpëtoi KLD nga Ken Dhima te Gjin Gjoni

10 Maj 2018, 07:38| Përditesimi: 14 Maj, 19:04

  • Share

Fillimi i zbatimit të ligjit të Vetingut, jo vetëm konfirmon, por edhe tejkalon perceptimin publik mbi shkallën e degradimit dhe kalbëzimit të drejtësisë shqiptare, ku në pesë gjyqtarë të kontrolluar, për ligjshmërinë e pasurive, kontaktet e papërshtatshme me krimin dhe aftësitë profesionale, katër nuk e kalojnë testin për të shërbyer në sistemin e ri të drejtësisë.

Ky bilanc tejkalon perceptimin e qytetarëve, sipas të cilit 80 për qind e prokurorëve dhe gjyqtarëve duhet të përjashtohen nga sistemi. Por, në kundërshtim me këtë realitet, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vijon rezistencën duke mbrojtur gjyqtarët, deri ditën e fundit, kur ky Këshill të shkrihet, për t’u zëvendësuar me Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Edhe në mbledhjen e fundit, kur KLD kishte marrë një sinjal të qartë nga procesi i Vetingut, ky Këshill rrëzoi me shumicë votash kërkesën Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj për shkarkimin e katër gjyqtarëve, për shkelje të rënda në detyrë. Po kush janë gjyqtarët të cilët janë shpëtuar nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë vitet e fundit? Pjesë e listës së gjyqtarëve që janë shpëtuar nga KLD është vetë anëtari i këtij Këshilli Gjin Gjoni.

Në vitin 2014, Ministria e Drejtësisë, i kërkoi KLD shkarkimin e Gjin Gjonit për fshehje pasurie, por Gjoni u shpëtuar nga kolegët e tij. Gjithashtu, KLD ka shpëtuar dy herë nga shkarkimi gjyqtarin e Vlorës Ken Dhima. Edhe ky i fundit është kallëzuar penalisht për fshehje pasurie. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka shpëtuar gjithashtu nga shkarkimi dhe nga masa më të buta disiplinore edhe gjyqtarët Ergys Selmani, Gjykata e Fierit, Ahmet Jangulli, Gjykata e Shkodrës, Shpëtime Pitaku, Gjykata e Durrësit, Ardian Kalia, Gjykata e Tiranës, Astrit Shema, Gjykata e Vlorës, Tomorr Kullolli, Gjykata e Elbasanit.

Në kohë të ndryshme, KLD ka refuzuar që të ndëshkojë gjyqtarët të Matilda Llangozi, Gentiana Xhelili, Ali Koleci, Laurent Fuçia, Enkeleda Doda, Petraq Çurri etj., për të cilët Ministria e Drejtësisë ka pretenduar se kanë kryer shkelje të rënda në detyrë. Që nga dita e parë e funksionimit, KLD ka ndëshkuar një numër të papërfillshëm gjyqtarësh, në raport me mosbesimin e qytetarëve tek sistemi i drejtësisë dhe alarmin e raporteve ndërkombëtare për degradimin e drejtësisë.


Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka rrëzuar edhe kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë për të shkaktuar nga detyra kryetaren e Gjykatës së Durrësit, J.Q., për shkak të një vendimi të dhënë lidhur me pronësinë e 45 mijë m2 tokë në Gjirin e Lalëzit, e cila u bë shkak për dhunimin dhe largimin nga Shqipëria të biznesmenit libanez, Fadi Mitri. Ky i fundit, me anë të kompanisë “Omnix” kishte planifikuar të ndërtonte një kompleks gjigant turistik me vlerë 450 milionë dollarë.

Znj. Q. ka punuar pranë Studios Ligjore “Kola&Associates”, në pronësi të Flutura Kolës, ortakes së Argita Berishës në biznes, ndërsa merrej me regjistrimin e kompanive të Damir Fazlliçit në QKR. Gjatë dominimit të KLD nga Partia Demokratike, me anë të Bujar Nishanit, Gjin Gjonit etj., ajo i bëri një karrierë të shpejtë në gjyqësor.

Anëtarët që mbrojtën gjyqtarët
Në bazë të procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë anëtarët e KLD që kanë votuar kundër kërkesave të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e gjyqtarëve janë kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, Gerd Hoxha, Gjin Gjoni anëtar i KLD, Ridvan Hado, Neritan Cena, Petrit Çomo, Brunilda Kadi, Eneida Civici etj. Sipas disa prej këtyre anëtarëve, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së re dhe të ligjeve të reja për pushtetin gjyqësor, KLD nuk ka më tagër ligjor për të shkarkuar gjyqtarët.

Por, KLD ka votuar pro masave disiplinore më të buta ndaj gjyqtarëve, si paralajmërim për shkarkim nga detyra, por jo shkarkim nga detyra. Nga ana tjetër, KLD i ka mbrojtur gjyqtarët e akuzuar për shkelje të rënda në detyrë edhe para se të miratohej reforma në drejtësi.

Gjyqtarët e shpëtuar nga KLD
Gjin Gjoni, anëtar i KLD, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Tiranë

Ken Dhima, Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Vlorë,

Ergys Selmani, Gjykata e Fierit

Ahmet Jangulli, Gjykata e Shkodrës  

Shpëtime Pitaku, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Ardian Kalia, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Astrit Shema, Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Vlorë

Tomorr Kullolli, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Matilda Llangozi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat

Gentiana Xhelili, Gjykata Administrative të Shkallës së Parë Vlorë

Ali Koleci, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat

Laurent Fuçia, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë

Enkeleda Doda, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë

Petraq Çurri, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Neritan Cena.

Petrit Aliaj, Gjykata e Apelit Vlorë

Dhurata Bilo, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës

Maksim Qirjazi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë

Ilir Pashaj, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan

Elidon Papazisi, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Gjirokastër

Lindita Hoxha Gjykata e Shkodrës (Vërejtje)

Kaçe Agolli Gjykata e Tiranës (Vërejtje)

Valbona Durraj Gjykata e Shkodrës

Ibrahim Hoxha Gjyqtari i Tiranës (i shkarkuar nga KLD vetëm pas dënimit)

//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?