Ervin Metalla

Ekskluzive/ Gjyqtari i 21 Janarit që u ndëshkua për ‘sjellje të keqe’, prapaskenat e shkarkimit

14 Janar 2020, 17:34| Përditesimi: 14 Janar 2020, 17:40

  • Share

TIRANE- Ervin Metalla ka ushtruar funksionin e gjyqtarit të Apelit në Tiranë deri në korrik të vitit 2018, kur u shkarkua nga detyra nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut’, me arsyetimin e kishte kryer një seri transaksionesh fiktive me qëllim përfitimin e padrejtë të një kredie të butë, që financohet nga buxheti i shtetit si dhe ishte përpjekur që të fshihte një pjesë të pasurisë. Metalla ka qenë pjesë e trupës gjyqësore në Apel, e cila vrasjet e kryera nga ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi dhe gardisti Agim Llupo në 21 Janar 2011, i ka konsideruar "vrasje nga pakujdesia". Pjesë e turpit gjykues që dha këtë vendim shumë të diskutuar dhe indinjues për familjarët e viktimave të 21 Janarit, ishin edhe Evjeni Sinoimeri dhe Agim Bendo.  

Metalla e ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, me pretendimin se është i pabazuar në prova dhe ligj. Nga ana e tij, Kolegji i Apelimit, në 30 tetor 2019, me shumicë votash 3 me 2, ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e KPK-së, duke shkarkuar përfundimisht nga detyra Ervin Metallën, bashkë me shërbimin sipas të cilit Meta nuk ka të drejtë të bëhet pjesë e drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Shqiptarja.com ka siguruar përmbajtjen e vendimit të Kolegjit të Apelimit. Kolegji ka marrë në shqyrtim një konstatim të KPK-së, sipas të cilit Metalla ka kryer ka kryer një sërë veprimesh juridike fiktive të simuluara, të cilat nuk përputhen me sjelljet ë që një gjyqtar pritet të ketë. Metalla ka pretenduar se ‘nuk ka kryer asnjë veprim që përbën sjellje joetike për një gjyqtar dhe hetimi për të tria kriteret e procesit të rivlerësimit do të tregonte që sjellja jashtëgjyqësore, ndryshe nga sa ka arsyetuar Komisioni, konsiston në një kontribut të shtuar për sistemin e drejtësisë’.  

Kolegji ka konfirmuar konkluzionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për sjelljen joetike të gjyqtarit. Kolegji i Apelimit ka konstatuar se ‘ky pretendim i subjektit nuk qëndron dhe përfundimi i Komisionit është i drejtë. Siç është shtjelluar edhe më sipër, kredia në kushte lehtësuese është përfituar në shkelje të kritereve ligjore. Jo vetëm që subjekti nuk e përdori kredinë për të siguruar strehimin në vendin e punës së tij, në Durrës, por sikurse është dëshmuar në hetimin dhe vendimin e Komisionit dhe siç rezultoi nga vlerësimi i kryer nga Kolegji, subjekti i rivlerësimit ndërmori një sërë hapash dhe veprimesh juridike të shtjelluara gjerësisht më sipër, vetëm në funksion të plotësimit formal të kushteve të përfitimit të kredisë, përfshirë aneksin e kontratës paraprake të shitjes të datës 22.03.2011, kontratën fiktive për sipërmarrje ndërtimi me shoqërinë “{*}”ShPK për prenotimin e një apartamenti në Durrës, revokimin e së cilës e negocioi vetëm tre muaj pasi e nënshkroi, dhe lëvizjet financiare të kredisë fillimisht te shoqëria “{*}”ShPK, ndërsa destinacioni final rezultoi llogaria bankare e të atit, në disponim të vetë subjektit’. 

Kolegji thekson më tej se kjo mënyrë sjelljeje e subjektit të rivlerësimit tregon qasjen e tij në raport me respektimin e ligjit, zbatimi i të cilit është detyra parësore e një gjyqtari, nëpërmjet vendimeve të dhëna, por jo vetëm. Sjellja jashtëgjyqësore e gjyqtarit, sipas Kolegjit, për shkak të rëndësisë që ka besimi i publikut tek integriteti dhe autoriteti i pushtetit gjyqësor, është objekt rregullimi i normave të etikës gjyqësore në Shqipëri dhe pjesë e standardeve ndërkombëtare që udhëzojnë shembujt më të mirë të sjelljes dhe integritetit. “Në përmbledhje të sa më sipër, trupi gjykues vëren se sjellja e subjektit të rivlerësimit bie ndesh me mënyrën e sjelljes që pritet nga një gjyqtar, i cili edhe jashtë orarit të punës duhet të kujdeset që sjellja e tij të jetë në të mirë të funksionit zyrtar që ushtron, të mos karakterizohet nga fiktiviteti dhe mashtrimi i çdo lloji”, thuhet në vendim.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?