Ekskluzive/ Godinë e re për të arrestuarit e policisë! Tirana me bllok sigurie, jo më të ndaluar në komisariate

2 Maj 2022, 17:43| Përditesimi: 2 Maj 2022, 20:15

  • Share

TIRANË- Një godinë e re do të presë së shpejti të gjithë të arrestuarit dhe ndaluarit e komisariateve të Tiranës, deri para daljes në gjykatë, për t’u mësuar me masën e sigurisë. Nëse gjykata do të caktojë masë më të butë ata do të rikthehen në shtëpi, përndryshe sistemimi i tyre do të bëhet në paraburgimet “302” dhe 313”, në rastin e Tiranës.

Kjo godinë, investim i Policisë së Shtetit e emëruar “Blloku i Sigurisë” është drejt përfundimit dhe ndodhet ngjitur me burgun “302” në kryeqytet, në rrugën “Mine Peza”.

Burime nga policia i thanë Report Tv se pritet të ketë kapacitet të mjaftueshëm për të përballuar fluksin e personave të arrestuar dhe ndaluar. Më kryesorja, kjo godinë, pritet t’i japë zgjidhje njëherë e mirë edhe problemeve të kushteve higjenike të komisariateve dhe mungesës së kapaciteteve. Do të jetë e survejuar me kamera sigurie dhe staf të veçantë. Nuk dihet akoma kur pritet të vihet në funksion, por gjithsesi, ky investim synon zgjidhjen e një problemi të trashëguar në vite dhe është drejt përfundimit.

Sipërfaqja totale e kësaj godine është 746 metra katrorë dhe përbëhet nga një strukturë e vetme 5 kate me 1 kat bodrum. Blloku i Sigurisë do të ketë në katin nëntokë dhomë kontrolli për të ndaluarit, detektorë dhe garazh. Kati i parë përdhe parashikohet të ketë zyrë për shefin e seksionit, ambiente për veshjet e armët, sallë mbledhjesh etj. Kati i parë parashikohet të ketë dhomë mjeku, dhomë intervistimi, dhomë për paraqitje e për njohje, dhoma sigurie, ambiente për veshje dhe ushqime për të ndaluarit etj. Katet 2 dhe 3 janë parashikuar gjithashtu që të kenë dhoma mjeku, dhoma intervistimi, ambiente për veshjet e ushqimet për të ndaluarit. Ndërsa kati i katërt veç dhomës së mjekut, dhomës së njohjes, e zyrave të administratës, parashikohet të ketë 15 dhoma sigurie.

Mbipopullimi në komisariate për personat e ndaluar dhe të arrestuar është problem prej vitesh i Policisë së Shtetit, i ngritur nga Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Këto kushte të vështira e bënë situatën edhe më tragjike mbrëmjen e 26 marsit, kur Arben Mici u vuri flakën qelisë duke u vetëflijuar nëKomisariatin nr. 5 në Kamëz.

Jo vetëm mbipopullim, por edhe kushte të vështira higjeno-sanitare e mungesë shërbimesh, janë trashëguar ndër vite. Kulmi i një problemi të tillë u pa mbrëmjen e 26 marsit, ku u përfshinë nga flakët qelitë e Komisariatit nr. 5 në Kamëz, si pasojë e të cilit humbi jetën një person. Arben Mici, 26 vjeç, ishte mësuar me masën e sigurisë “arrest me burg” nga gjykata, por ishte rikthyer sërish aty.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Grupi: 02/05/2022 20:06

    Djemte e Tom Doshit do i futni aty apo u harrua plagosja e rende se kaluan tre dite. Keni ndertuar alamet paraburgimi per fukarenjte, bravo!

    Përgjigju
    • Boti: 03/05/2022 09:55

      Po normale, tani kalamajt qe kapen me cigare hashash do jen ne kontrollin e hekurt te shtetit.Cunat e tomes i kemi me kimet.Sa te harrohet ai muhabet dhe prap te blloki i ke

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?