EKSKLUZIVE - INVESTIGIMI/ Ja historia e 15 gjyqeve, si Endrit Dokle përdori gjyqtaren e Krujës për të fituar lirinë

22 Janar 2020, 21:51| Përditesimi: 23 Janar 2020, 00:34

  • Share

*Një shkrim investigativ nga gazetari i Shqiptarja.com, Elton Qyno, transmetuar ekskluzivisht në emisionin "Repolitix" në Report Tv shoqëruar nga debati mbi paketën ligjore "Anti-KÇK".

Gjyqtarja e Krujës, Enkeleida Hoxha liroi me kusht nga burgu i Fushë-Krujës, Endrit Doklen, njërin nga anëtarët e të ashtuquajturës banda e Durrësit, i dënuar pak vite më parë me burgim të përjetshëm me formë të prerë për tre vrasje,e 3 tentativa vrasjeje dhe trafik droge nga qelitë e paraburgimit 302 në Tiranë.

Gjyqtarja Enkeleida Hoxha 3 dite pasi dha vendimin per lirimin e Endrit Dokles

Është ditë e premte, kur Enkeleida Hoxha, del nga gjykata e Krujës, së bashku me dy kolege të saj, për të shkuar në gjykimin e një çështje tjetër penale në gjykatën e Kurbinit, ku kjo trupë gjykuese është deleguar nga KLGJ. Gjyqtarja Hoxha, hipën në një Fuoristradë tip “Tuareg” që në kroskotë mban logon dhe identifikohet si një mjet i institucionit më të lartë të Drejtësisë, “Këshillit të Lartë Gjyqësor”, dhe largohet në drejtim të Laçit.

Pas saj shkojnë dhe dy gjyqtaret e Krujës, të cilat hipin në një automjet pa targa.

Nga verifikimet e “Report Tv” rezultoi se automjeti tip “Wolsfagen Tuareg” me targë AA 594 HJ i përdorur nga Enkeleida Hoxha, ka qenë pjesë e automjeteve të inventarizuara pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, por vetëm pesë ditë më parë, kjo makinë i ka kaluar në përdorim Gjykatës së Rrethit të Krujës. Por Enkeleida Hoxha me krenari vazhdon ta mbajë mbi kroskotin e makinës një tabelë të organit suprem të Drejtësisë, që shumë shpejt mund ta gjykojë, për vendimmarrjet e saj.

Në fakt vetëm pak orë pas këtij momenti në Krujë, në Tiranë Ministria e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në një dalje publike, e sulmon ashpër për lirimin me Kusht të dënuarit me burgim të përjetshëm, Endrit Dokle.

"Nisur nga analiza e detajuar rezulton se gjyqtarja ka marre vendim ne kundershtim te hapur me parashikimet ligjore te Kodit Penal. Edhe pse ministrja e Drejtesise nuk ka kompetenca te drejtperdrejta ligjore mbi sistemin e drejtesise, ndjej detyrimin kushtetues dhe qytetar te sjell ne vemendjen e te gjithe institucioneve te drejtesise, dhe aktoreve te tjere, nevojen per te ndermarre vendime institucionale ne pergjigje te abuzimeve te gjyqtareve dhe prokuroreve qe me vendimmmarrjet e tyre, haptazi ne shkelje te ligjit po cenojne hapur rendin kushtetues dhe jurudik, interesin e qytetareve. Ne daten 15 janar i jam drejtuar Keshillit te Larte Gjyqesor per pezullimin e menjehershem te gjyqtares nga detyra si dhe marrjen e masave per shkarkimin e saj. I kam kerkuar prokurorise ushtrimin e ndjekjes penale ndaj gjyqtares. I jam drejtuar Komisionit te Pavarur te Kualifikimit dhe Operacionit Nderkombetar te Monitorimit per ndjekjen me prioritet te pershpejtuar te procesit te rivleresimit kalimtar te gjyqtares, por dhe te rasteve te ngjashme mbi te cilet ne vite rendojne akuza te shumta publike per paligjshmeri dhe korrupsion", u shpreh ministrja e Drejtesise, Etilda Gjonaj, me 17 janar 2020.

Duke kaluar pa dëme nga akuzat e shumta të viteve të kaluara, gjyqtarja Enkeleida Hoxha, është kthyer në personazhin kryesor të këtyre ditëve, për shkak të lirimit me kusht të Endrit Dokles, i dënuar në 16 korrik 2014 me burgim të përjetshëm, me një vendim të Gjykatës së Lartë.

Dokle, është shpallur fajtor për akuzën e vrasjes me paramendim në bashkëpunim me Dritan Dishën, ngjarje kjo e ndodhur në 9 korrik 2000, për vrasjen me paramendim në bashkëpunim të Erion Lames ndodhur në 14 janar 2002, për tre tentativa vrasjeje me paramendim në bashkëpunim, në dëm të Lulzim Berishës, ngjarje të ndodhura në Durrës në 5 prill 2005, në 5 maj 2005, dhe në 30 gusht 2005; për vrasjen me paramendim kryer në bashkëpunim, ndaj Avni Gashit, ngjarje kjo e ndodhur në 12 tetor 2005 në Tiranë dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”.

Njëherësh Dokle, është dënuar me 16 vjet burgim edhe për akuzën e “Trafikut të narkotikëve në bashkëpunim“, kryer në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”, dënim i cili është dhënë në 8 janar 2013.

Endrit Dokle është arrestuar në 2 nëntor 2005 dhe sipas përllogaritjes së gjykatëses, Enkeleida Hoxha, Dokle ka vuajtur pjesën dërmuese të dënimit me burgim të përjetshëm dhe për pasojë, ka vendosur ta lirojë me kusht, duke e lënë në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare.

Por si ka mundësi që një vrasës dhe trafikant droge, del i lirë vetëm 6 vite pas një dënimi me burg përjetë me forma të prerë?

Strategjia e Endrit Dokles për të shmangur burgimin e përjetshëm fillon të vihet në zbatim më pak se dy vite përpara. Në sistemin online të gjykatave, zbulohet se duke filluar prej prillit 2018, Endrit Dokle ka nisur 15 procese në Gjykatën e Krujës me kërkesa të ndryshme penale, përfshi atë të fundit për lirimin me kusht. Ai ka kërkuar 8 herë përfitim nga amnisti të ndryshme që prej vitit 2012 e deri tek amnistia e vitit 2016, një kërkesë për rillogaritje të kohës së paraburgimit, dy kërkesa për ulje të dënimit dhe 2 herë përjashtim të gjykatëses Engjëllushe Tahiri.

Dy kërkesat e fundit të Endrit Dokles, janë bërë në shtator dhe tetor 2019, një për ndryshimin e vendit të vuajtjes së dënimit dhe një për lirimin me kusht.

Shtatë nga këto kërkesa që Dokle ka depozituar në gjykatë janë gjykuar nga Enkelejda Hoxha, dhe ka dalë gjithmonë fitues. Ndërkohë në të gjitha gjykimet e tjera kur nuk ishte Enkelejda Hoxha si gjyqtare, Dokle është tërhequr nga kërkesa dhe në rastet e tjera kërkesat e tij janë rrëzuar nga gjyqtarët e Krujës.

Madje në një nga gjyqet e hapur për “njohje amnistie”, Endrit Dokle ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Ëngjëllushe Tahiri.

Gjyqtarja Engjellushe Tahiri

Kërkesa e tij është marrë në shqyrtim pikërisht nga gjyqtarja Enkeleda Hoxha, e cila pranoi të përjashtojë kolegen e saj, Ëngjëllushe Tahirin, me argumentin se: ”Gjykata e ka zvarritur çështjen në mënyrë të vazhdueshme ku e ka caktuar seancën e fundit gjyqësore tej afatit 15 ditor, e konkretisht nga data 28 maj 2018 që ishte seanca, ka caktuar seancën pasuese në datë 18 qershor 2018, pra pas 21 ditësh”.

Pra sipas gjyqtares, Enkelejda Hoxha, Endrit Dokle, i dënuar me burgim të përjetshëm, nuk mund të presë 21 ditë për një vendim. Por teksa ka përjashtuar gjyqtaren, Ëngjëllushe Tahiri, Enkeleida Hoxha, disa muaj më vonë e ka marrë vetë në shqyrtim këtë kërkesë të Endrit Dokles për “njohje të amnistisë”, natyrisht duke ia pranuar kërkesën.

Vendimi i parë i gjyqtare Enkeleida Hoxha, në favor të Endrit Dokles, është dhënë në 17 tetor 2018, kur i ka pranuar kërkesën për njohjen e ditëve si kohë paraburgimi nga data 2 korrik 2012 deri më 16 korrik 2014, kur ai ndodhej në paraburgim, duke i ulur 1 vit burgim.

Por situata në favor të Endrit Dokles, që atëherë vuante dënimin në ambientet e Sigurisë së Lartë në burgun e Fushë-Krujës, ka filluar të ndryshojë dhe të ngjallë shpresë për liri,në 8 shkurt 2019, kur gjyqtarja Enkeleida Hoxha vendosi t'i ulë për çdo vit burgimi, 45 ditë dënim. Referuar vendimit të gjykatës, ulja 45 ditore është kryer nga data 2 nëntor 2005 deri në datën 2 nëntor 2018.

Pra nëse do llogaritet kjo periudhë 13 vjetore kundrejt uljes 45 ditëshe burgim për çdo vit, kuptohet qartë se gjyqtarja Hoxha, i ka falur Dokles plot 585 ditë burgim ose e përllogaritur në vite, del 1.7 vite burgim.

Në vendimin prej 5 faqe gjyqtarja Hoxha thotë se: "Referuar dinamikës së vuajtjes së dënimit, i dënuari Endrit Dokle ka vuajtur deri tani 18 vjet e 29 ditë burgim dhe nuk ka përfituar asnjë herë ulje dënimi”

Më tej Enkeleida Hoxha në arsyet se pse pranon t'i ulë dënimin me 585 ditë Endrit Dokles nënvizon se: ”Endrit Dokle ka respektuar me korrektësi rregulloren, nuk ka pasur asnjë masë disiplinore përgjatë periudhës së vuajtjes së dënimit nga moment i ndalimit viti 2005 e deri më tani. Ka marrëdhënie shumë të mira me bashkëvuajtësit dhe aktivizohet në veprimtaritë me natyrë edukative si dhe është i përfshirë në organikën e punës”

Por pranimi i uljes së dënimit të Dokles, bie në kundërshtim me një vendim tjetër, mbi një kërkesë të ngjashme gjykuar nga e njëjta gjykatë, por me gjyqtare Alma Kolgjokën. Kolgjoka në muajin Prill 2019 kishte vendosur rrëzimin kërkesës së Dokles që kërkonte pikërisht ulje dënimi nga 45 ditë, për çdo vit prej vitit 2005 kur ai ishte arrestuar. Gjyqtarja Kolgjoka arsyeton ndër të tjera se: ”Një i dënuar me burgim të përjetshëm nuk mund të përfitojë ulje dënimi, pasi nuk mund ti llogariten tek koha e mbetur për të vuajtur, pasqyruar kjo edhe tek dinamika e vuajtjes së dënimit. Ky është shkaku që sipas dinamikës së vuajtjes së dënimit ai nuk ka përfituar asnjëherë ulje dënimi me vendim gjykate.”

Ky vendim gjykate i marrë nga Enkeleida Hoxha, mësohet të jetë kundërshtuar në Gjykatën e Apelit Tiranë nga prokurori Bujar Memia, por çështja ende vijon të jetë e papërfunduar në tavolinën e gjykatëses Valdete Hoxha, ndërkohë Endrit Dokle ka dalë i lirë nga burgu.

Pesë muaj nga ulja e dënimit me 1.7 vite burgim, sërish Endrit Dokle, nëpërmjet avokatit të tij, Aldo Tabaku, i drejtohet me tre kërkesa gjykatës së Krujës, duke kërkuar njohjen e amnistisë të vitit 2012, 2015 dhe vitit 2016. Për çudi në datën 6 shtator 2019, brenda një kohe rekord dhe brenda një dite të vetme, të treja kërkesat janë pranuar prapë nga gjyqtarja Enkeleida Hoxha.

Njohja e tre amnistive të kërkuara nga Dokle, automatikisht kanë çuar Doklen drejt përfitimit të zbritjes së dënimit, me 4 vite burgim te tjera. Dhe e gjitha kjo masë dënimi është ulur brenda tre seancave gjyqësore të zhvilluara në një ditë të vetme, në gjykatën e Krujës.

Duke përfshirë dhe vendimin e uljes së dënimit me 1.7 vite burgim, në total gjyqtarja Enkeleida Hoxha, i ka ulur Dokles 5.7 vite burgim. Nëse llogaritet dhe njohja e paraburgimit 2-vjeçar që Dokle ka qëndruar nga 2014 deri në 2016, dhe e njohur si ulje nga gjykata në masën me 1 vit burgim, atëherë Dokle ka përfituar në total 6.7 vite burgim.

Në të treja këto kërkesa për njohje amnistie të bëra nga Dokle, qëndrimi i prokurorit të çështjes, Bujar Memia, ka qenë ky: "Lënien në çmim të gjykatës të kërkesës së Endrit Dokles”.

Por shoqerimi i Endrit Dokles drejt lirimit nuk mbaron ketu.

Vetëm 14 ditë pas njohjes së tre amnistive dhe uljes së dënimit në letra me totalin e 6.7 vite burgim, Enkeleida Hoxha ka marrë një tjetër vendim në favor të Endri Dokles. Në datën 20 shtator 2019, kjo gjyqtare vendos t'i pranojë një kërkesë tjetër, duke i ndryshuar qëndrimin nga burgu i Sigurisë së Lartë dhe duke e transferuar Doklen në një burg të sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Fushë-Krujë.

Normalisht ulja e viteve të burgut llogaritet mbi kohën e mbetur nga dënimi, por në rastin e Endrit Dokles, kjo llogaritje ishte e pamundur, pasi dënimi i tij është i përjetshëm, pra nuk mbaron kurrë. Gjyqtarja Enkeljeda Hoxha atëherë, me një interpretim krejt personal dhe skandaloz, e ka llogaritur uljen si të ishin vite që Dokle ka kaluar në burg, dhe duke manipuluar kalendarin e ka zgjatur kohen e qëndrimit në burg të Dokles. Gjyqtarja ka llogaritur që nga dita e arrestimit në vitin 2005 deri në datën e vendimit, në shkurt te vitit 2019, se Dokle ka kaluar në burg plot 24 vite e 7 muaj burgim, edhe nese realisht jane kaluar vetem 18 vite e 29 dite. Duke llogaritur dhe qëndrimin 12 mujor të Endrit Dokles në qeli nga periudha shtator 2019 deri në 14 janar 2020, plotësohet periudha prej 25 vitesh e 9 muaj burgim.

Po pse gjithë kjo artificë logjike, duke kaluar në qesharake me zmadhimin e kalendarit?

Plani ishte i qartë. Gjyqtarja dashamirëse Enkelejda Hoxha, duhet të lironte Endrit Doklen duke përdorur nenin 64 dhe 65 të Kodit Penal, i cili parashikon mundesine per lirimin me kusht. Pra sipas Kodit: “Vetëm në raste të jashtëzakonshme i dënuari me burgim të përjetshëm mund të lirohet me kusht kur ka vuajtur jo më pak se 25 vjet burgim dhe, gjatë vuajtjes së dënimit ka mbajtur sjellje shembullore dhe çmohet se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tij”.

Dhe ne fakt në 23 tetor 2019 Endrit Dokle rishfaqet sërish me një kërkesë finale në dyert e gjykatës së Krujës. Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, nuk kërkon ulje dënimi por “lirimin me kusht” nga burgu i Fushë-Krujës. Për çudi, shorti elektronik sërish ka zgjedhur gjyqtaren, Enkeleida Hoxha, për të shqyrtuar kërkesën e Dokles.

Prokuroria e Krujës ka bërë një lëvizje duke kërkuar në muajin dhjetor 2019 përjashtimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha, pasi sipas organit të akuzës kjo gjyqtare ka dhënë disa vendime për të njëjtin të dënuar. Kjo kërkesë e prokurorisë në datën 21 dhjetor 2019 është rrëzuar nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, duke e quajtur si të pabazuar në ligj.

Në kërkesën për lirim me kusht depozituar në gjykatë, Endrit Dokle ka bashkangjitur dhe një raport mjekësor të mjekut psikiatër që vërtetonte se ai, vuan nga sëmundja “çrregullim depresiv madhor me tipare psikotike”.

Mes listës së dokumenteve dorëzuar gjyqtares Hoxha është dhe një dokument,që premton punësimin e Dokles në një kompani ndërtimi të quajtur “Mateo Konstruksion”, menjëherë sapo ai të dilte nga burgu. Pronari i kompanisë “Mateo Konstruksion”, quhet Agim Çako.

Çako është ndërtuesi i një superkompleksi banimi në zonën e kopshtit Zoologjik në Tiranë, ku burime pranë policisë së Tiranës, pohojnë për “Report Tv” se pas tij fshihet hija e një tjetër biznesmeni të fuqishëm nga Fieri, me inicialet A.I.

Në këtë dokument që flet për “Premtimin e lidhjes së kontratës së punës mes Dokles dhe Agim Çakos, thuhet: “Unë administratori i shoqërisë Agim Çako deklaroj se pas vuajtjes së dënimit prej shtetasit Endrit Dokle, do ta punësoj pranë shoqërisë “Mateo Konstruksion” sh.p.k. me detyrë punëtor ndërtimi. Kontrata e punësimit midis shoqërisë “Mateo Konstruksion” dhe shtetasit Endrit Dokle pas marrjes në provë për një afat 3 muaj, do të jetë me afat 1-vjeçar me të drejtë përsëritje. Koha e punës së shtetasit Endrit Dokle në shoqërinë “Mateo konstruksion” do të jetë 8 orë në ditë ose 40 orë në javë. Pagesa neto që do të kryhet për punëmarrësin Endrit Dokle nga punëdhënësi “Mateo Konstruksion”, do të jetë 35.000 lekë në muaj. Punëdhënësi merr përsipër që të paguajë edhe detyrimet tatimore”.

Nga një vëzhgimi në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se kjo kompani është regjistruar në 20 tetor 2007 dhe në historikun e saj, ka disa vendimi sekuestroje nga Përmbarimi, të cilat më pas janë shfuqizuar. Vendimi i fundit i sekuestros ndaj kësaj kompanie, mban datën 30 prill 2019 dhe vijon të jetë ende në fuqi.

Por as akuza për evazion tatimor ndaj Agim Çakos të ngritur disa vite më parë, as ky vendim sekuestrimi nuk pengon aspak lirimin me kusht të dënuarit me burgim të përjetshëm të Endrit Dokles. Në 14 janar 2020 në orën 13:55, në gjykatën e Krujës, gjykatësja Enkeleida Hoxha, vendosi të pranojë kërkesën e Endrit Dokles, për lirimin e tij nga burgu i Fushë-Krujës, duke e vënë në shërbim prove për një periudhë  5-vjeçare.

Në dispozitivin e vendimit të lirimit me kusht të Dokles, gjyqtarja Enkeleida Hoxha thotë: “Endrit Dokle gjatë kohës së provës të mos shoqërohet me persona të caktuar kryesisht me të dënuar apo bashkëpunëtorët e veprës penale. Endrit Dokle gjatë kohës së provës të mos zotërojë, mbajë apo përdorë armë".

Vendimi është ekzekutuar me shpejtësi maksimale pasditen e të martës, të 14 janarit 2020 nga prokuroria e Krujës, e cila ka urdhëruar Drejtorinë e Burgut të Fushë-Krujë, të lirojë të dënuarin Endrit Dokle. Pasi ka lënë qelitë e këtij burgu, burime nga policia e Tiranës thanë për “Report Tv”, se Dokle është akomoduar në një apartament të bllokut të banimit në zonën e “Astirit” në Tiranë.

Por vetëm një ditë sapo kishte ekzekutuar vendimin e gjykatës për lirimin e Endrit Dokles, prokuroria e Krujës ka vendosur ta kundërshtojë këtë vendim në gjykatën e Apelit Tiranë, duke kundërshtuar interpretimin që ka bërë Enkeleida Hoxha, të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal, pra nenet që lejojnë në rastet të jashtëzakonshme, për një të dënuar me burgim të përjetshëm të përfitojë nga lirimi me kusht: “Kërkuesi Endrit Dokle nuk plotësonte kushtet e përmendura në ligj pse nuk provohet ekzistenca e arsyeve të veçanta apo sjelljes shembullore,nuk ka vuajtur as 25 vite sipas ligjit para ndryshimeve dhe as 35 vite sipas ligjit në fuqi nga dënimi i dhënë. Në rastin konkret duhen hequr kohën e përfituar me amnisti rreth 5 vite, kështu kërkuesi konsiderohet se ka vuajtur për efekt të nenit 64 dhe 65 të Kodit Penal, rreth 20 vite pra nuk ka plotësuar kohën e vuajtjes së dënimit” -thotë prokuroria e Krujës në Apelimin e vendimit.

Ne fakt ne vitin 2017 ato dy nene jane ndryshuar duke rritur masen e qendrimit ne burg per ta perfituar lirimin me kusht deri ne 35 vjet. Por Enkeleida Hoxha e ka vendosur te interpretoje Kodin e  vjeter qe parashikonte vetem 25 vjet.

Por çfarë interpretimi i japin juristët dy neneve 64 dhe 65 të Kodit Penal?

"Lirimi me kusht ne Shqiperi sa i perket burgimit te perjetshem, ajo qe eshte pjesa me delikate dhe se si behen llogarite jep dy momente. Momenti i pare, para reformes te 2017-es, ku flitet qe lirimi me kusht jepet mbasi te jete kryer 25 vite efektive te denimit. Sot si pasoje e ndryshimeve legjislative, edhe lirimi me kusht eshte ndryshuar persa i perket denimit te perjetshem, ku thuhet ne rastet kur kemi burgim te perjetshem sipas dispozitave te parashikuara nga neni 65 nuk lejohet lirimi me kusht per te denuarit me burgim te perjetshem, qe eshte dispozita e pare. Pra kodi, apriori, perjashton lirimin ne kohe pa kohe le te themi", thote avokate Enida Buzhegu.

Por a mund te mjaftoje vetem nje gjykates per te lene te lire nje super-killer duke neutralizuar gjithe aparatin e drejtesise, apo Enkeleida Hoxha perfitoi nga bashkepunime te tjera dhe mbrojtje?! Pse prokuroria pershembull nuk ka bere oponence si duhet?

Degjojme cfare ka denoncuar publikisht ministrja e Drejtesise Etilda Gjonaj!

"Sjell ne kujtesen e publikut se shqetesimi yne per gjyqtaren Enkeleida Hoxha eshte adresuar qe ne daten 8 janar te vitit 2018 pas publikimit te lajmit te lirimit te nje tjeter te denuari me burgim te perjtshem, Genc Tafili. E njejta gjyqtare, e njejta sjellje skandaloze me ligjin, i njejti rezultat deshpetues per drejtesine dhe shoqerine qe pret vetem drejtesi nga gjykatat e ketij vendi. Zyrtarisht i jam drejtuar atehere, Inspektoratit te Keshillit, ne ate kohe Keshilli i Larte i Drejtesise, duke kerkuar fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtares por duke ndeshur ne te njejten heshjte dhe papergjegjshmeri qe per shume vite ka kalbezuar sistemin e drejtesise ne Shqiperi", tha Gjonaj më 17 janar 2020. 

Ne krye te Keshillit te Larte te Drejtesise ishte Marsida Xhaferllari qe presidenti Meta e ka emeruar me kembengulje anetare te Gjykates Kushtetuese.

Ne pritje per te mesuar vendimet e Keshillit te Larte te Gjykates qe do te marre tani per kete rast deri me tani i vetmi qe ka paguar eshte drejtori i sherbimit te Proves ne Kruje dhe eshte depozituar ndjekje penale ndaj tij...Teper pak per te menduar se drejtesia ka fituar!!!

Tre muaj para lirimit të Endrit Dokles nga burgu i Fushë-Krujës, Sardjan Sulejmani, i denuar me 25 vite burgim, shok me Doklen, dhe i denuar si bashkepunetor me krimin e tij, doli me kusht nga qelitë e burgut të Fierit në Tetor të vitit 2019. Nje tjeter gjyaktes i ka falur plot 4 vjet, 10 muaj e 17 ditë burgim.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Durresi: 23/01/2020 19:12

    Po kete zgjedhjen elektronike te gjykatesve... a po e heton njeri?

    Përgjigju
  • shkurt2014: 23/01/2020 10:10

    Kto jane reformat ne drejtesi te bera nga edvin narkomani me banditet e tije,Kto qe behen ne vendin tone jane te tmershme.I denuar me burge te perjetshem ne 2014 e sot lirohet,fatale por ne vendin tone ska asgje per tu habitur,kure ne vendin tone nuke funksionon asnji istitucion.Ku eshte prokuroria,pse nuke kundershtojne lirimin e ktyre kriminelve,ne vendin e ktije krimineli duhet te shkojne kta gjyqtare,e te marrin denimin e tyre.

    Përgjigju
  • Klodi: 23/01/2020 08:08

    Ju lumte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?