Ekskluzive/ Investigimi pas aksidentit me 'Blue Panorama', reforma e Aviacionit Civil kërcënon transportin ajror?

Pak ditë më parë, një avion i kompanisë “Blue Panorama” shënoi incidentin e radhës. Mbushur me pasagjerë, 20 minuta pas nisjes nga Rinasi, pilotët u detyruan të rikthehen në pistën shqiptare, në kushtet e një tymnaje të dëndur në kabinë, që shkaktoi një panik të madh tek 136 udhëtarët, ndër të cilët kishte edhe fëmijë dhe gra shtatzëna. Ky ishte rasti më i fundit në kuadrin e një numri difektesh – fatmirësisht pa pasoja në njerëz – të cilët kanë sjellë që nga vonesat në fluturime e deri tek uljet emergjente.

Si kompania, ashtu edhe institucioni i ngarkuar me ligj që të garantojë sigurinë në sektorin e fluturimeve, Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë, janë përpjekur ta zbutin shumë ngjarjen me njoftime e tyre. Kompania dhe Autoriteti duket se janë mësuar tashmë me difekte të tilla, duke iu gëzuar vetëm faktit që nuk pati viktima.

Institucioni

Por, në rast se kompanitë shkelin rregullat, që mund të kenë pasoja të pallogaritshme, shumë më të rënda se këto që cituam, shteti ka një institucion, detyra e vetme e të cilit është pikërisht siguria e pasagjerëve në transportin ajror. Autoriteti i Aviacionit Civil duhet të jetë gjithnjë një “polic” dhe “doktor” në rolin e tij institucional të mbikëqyrjes së operimit të sigurtë të avionëve që ulen dhe ngrihen në Shqipëri. 

Sipas rregullave ndërkombëtare, përgjegjësia e operimit të sigurtë të avionëve civilë bie mbi shtetin, në të cilin është regjistruar avioni konkret. Kjo do të thotë që, psh, në rastin e “Blue Panorama”, do të ishte Italia ajo, që përgjigjet për sigurinë e avionëve që përdor kompania. Por kjo nuk përjashton rolin shumë të rëndësishëm të Autoritetit shqiptar, që ka të drejtën dhe detyrën e inspektimit në terren (aeroport) dhe madje mundësinë që të ndalë, anulojë apo kthejë mbrapsht një fluturim, duke njoftuar njëkohësisht palën e huaj, ku është regjistruar avioni.

Kjo është sanksionuar nga ana e BE me direktivën 2004/36/CE, të miratuar nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian, që detyron si vendet e Bashkimit, ashtu edhe ato jashtë BE-së, që kanë aderuar në Marrëveshjen ECAA të Zonës së Përbashkët Ajrore Evropiane, ku përfshihet edhe Shqipëria, të kryejnë inspektime në aeroportet përkatëse. Gjatë kohës kur një avion qendron në pistë, autoritetet vendase duhet inspektojnë licensat e pilotëve, dokumentat dhe manualet e pilotimit, kushtet e përgjithshme të avionit, pajisjet e sigurisë në kabinë, etj, për 54 lloje të ndryshme inspektimesh (i ashtuquajturi SAFA Ramp check).     

Pra, në rastin e Shqipërisë, është detyrim ndërkombëtar – jo vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë – që, nëpërmjet inspektorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, të kryejë këto detyra në mënyrë sa më të rregullt të mundshme dhe me profesionalizëm e kompetencë të lartë. Por, pa një numër të duhur inspektorësh dhe pa një Departament të fuqishëm të Mbikëqyrjes së Sigurisë së Fluturimeve brenda Autoritetit të Aviacionit Civil shqiptar, ky detyrim ndërkombëtar nuk mund të realizohet.

Redaksia investigative e Shqiptarja.com zbulon se, me ardhjen, në nëntor 2017, në krye të këtij institucioni, të drejtorit të ri Krislen Keri (ish-shef i kabinetit në Ministrinë e Transporteve që nga koha kur ministër ishte Edmond Haxhinasto), praktikisht ka ndodhur një çoroditje e Autoritetit, si në planin organizativ, ashtu edhe në atë operativ, duke ndryshuar 75% të strukturave. Kështu, departamenti përkatës tek Autoriteti, që duhet të merret me mbikëqyrjen e Sigurisë së Fluturimeve dhe miratimin e Mirëmbajtjes në Tokë, nuk drejtohet nga një drejtor që nga muaji qershor i vitit 2018, por nga një koordinator “në detyrë”, i cili, ndonëse ka përvojë në fushën e aviacionit civil, gjithsesi ka si formim bazë ekonomiko-financiar, pra nuk përputhet me kërkesat e pozicionit. Drejtori i mëparshëm, i cili ishte ekspert i fushës, duke qenë edhe vete pilot, u shty të jepte dorëheqjen pa asnjë arsye dhe pa asnjë shkak.

Nga ana tjetër, përgjegjës për dhënien apo jo të miratimit për një avion se ai është i përshtatshëm për fluturim, është emëruar që para gati tetë muajsh një person, i cili nuk ka patur asnjë përvojë të mëparshme në fushën e Aviacionit Civil.       
Në po këtë Departament të rëndësishëm të Sigurisë mbeten gjithnjë 3-5 vende vakante, si rezultat i shkurtimeve që janë bërë dy vjet më parë nga drejtuesit e mëparshëm, por që nuk janë zëvendësuar. Fakti që, fatmirësisht, pjesa e punonjësve, të cilët vazhdojnë punën atje, janë në të vërtetë kompetentë dhe me përvojë, nuk mund të plotësojë mungesën e personelit, kur dihet që puna aty është me turne.

Drejtoria e Standardizimit Teknik u eliminua krejtësisht.

Drejtoria e Mbikëqyrjes së Aeroportit ka mbetur me vetëm një punonjës, nga tetë poste që duhej të plotësoheshin me ekspertë të fushës.

I vetmi department që mbetet i plotësuar dhe efektiv është ai i Navigacionit Ajror dhe kjo, për faktin se personeli dhe organizimi i tij nuk u prek.

Të gjithë personat e larguar ishin trajnuar për një kohë të gjatë me fonde të Bashkimit Evropian me një vlerë totale prej 3 milionë eurosh. Ata që janë marrë në vend të tyre duhet të trajnohen nga e para, por këtë herë me fonde të shtetit shqiptar.

Sipas një dokumenti që zotëron Redaksia Investigative e Shqiptarja.com, gjithë këto vërejtje, tashmë janë adresuar edhe tek EASA, Agjencia evropiane që trajton çështjet e transportit ndërkombëtar ajror. Nga Brukseli kanë premtuar se në javët e ardhshme do të vijë në Tiranë një komision për të verifikuar situatën.

E gjithë kjo “reformë” në këtë segment të administratës nuk ka sjellë përmirësim, por përkeqësim të dukshëm të punës në këtë sektor jetik. Transporti ajror është një nga sektorët më të përdorur nga shqiptarë, por edhe nga turistët e huaj së fundmi, me një rritje të ndjeshme dhe të vazhdueshme. Por, sa vjen e më shumë po shtohen edhe incidentet, vonesat, anulimet, uljet emergjente, që deri tani kanë sjellë dëme, apo panik, pa sjellë viktima. Nuk duket se drejtuesit dhe personeli i Aviacionit Civil apo i ministrisë përkatëse të Infrastrukturës dhe Energjisë, që e mbulon, të kenë vënë ujin në zjarr për t’iu përgjigjur kësaj rritjeje.

Ristrukturimi

Shqiptarja.com zbulon se, me ardhjen e drejtorit të ri Krislen Keri në krye të këtij institucioni, praktikisht ka ndodhur një çoroditje e Autoritetit, si në planin organizativ, ashtu edhe në atë operativ. Duke ndryshuar 75% të strukturave 

Detyrimi

Shqipëra ka detyrim ndërkombëtar – jo vetëm ndaj qytetarëve shqiptarë – që, nëpërmjet inspektorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil, të kryejë angazhimet e marra me nënshkrimin e rregullave evropiane me profesionalizëm e kompetencë të lartë. Por, pa një numër të duhur inspektorësh dhe pa një Departament të fuqishëm të Mbikëqyrjes së Sigurisë, ky detyrim ndërkombëtar nuk mund të realizohet /Redaksia Investigative

G.M.//ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?