Ekskluzive/ Ja si rropi malin me pyll e kullotë për kromin, kompania turke ndiqet penalisht

15 Nëntor 2019, 15:47| Përditesimi: 15 Nëntor 2019, 18:11

  • Share

KUKES - Një masakër ambientaliste është shkaktuar në fondin pyjor dhe kullotë që i përkasin zonës së Kukësit, ku kompania “Illyria Minerals Industry” jo vetëm që shkatërruar ambientin por ka ndotur dhe ujërat e liqenit të Fierzës,të nominuar së fundi nga qeveria për kultivimin e peshkut. Tashmë kjo kompani konçesionare e vënë në qendër të akuzave për shkatërrimin e mjedisit në territorin e Bashkisë Kukës,po përballet me një hetim penal nga prokuroria e këtij qyteti.

Report Tv ka qenë në terren për të parë më nga afër situatën e masakrimit të sipërfaqes malore, të cilën kompania koncensionare nuk ka lejë për  shfrytëzim minerali në këtë zonë. Ekskavatorë që punojnë pa pushim, skrepa që çajnë masivin shkëmbor të kromit dhe që më pas ngarkohet në kamionë, kjo është gjendja në këtë teren malor. Pamjet tregojnë një mjedis të shkatërruar në përmasa apokaliptike dhe që është e pamundur ta kthesh në gjendjen e mëparshme.

1573830043_kukesi1.jpg

Mësohet se bashkia Kukës, i është drejtuar me një kallëzim penal prokurorisë, ku kërkon ndjekjen penale të këtij subjekti dhe administratorit të saj, turkut Akin Atik, por dhe pronarëve të këtij konçesioni, që kontrollohet në 100 për qind të aksioneve nga kompania “Energy Resources”.

Në kallëzimin e saj, bashkia Kukës ngre si shkelje një sërë veprimesh penale të kryera nga kompania konçesionare, e cila ka fituar të drejtën e shfrytëzimit për 35 vite të minierës së Kromit dhe Bakrit në Kalimash. Sipas kallëzimit “Illyria Minerals Industry” ka ndërhyrë në mënyrë të kundraligjshme për shfrytëzimin e mineralit, duke hapur pesë kantiere shfrytëzimi në një sipërfaqe totale prej 782 mijë metra katror tokë, pyje dhe kullotë.

Si pasojë e kësaj ndërhyrje, kompania konçesionare ka hapur rrugë pa leje, me gjatësi prej 18 km dhe gjerësi 3 metra, me një sipërfaqe prej 54 mijë e 600 metra katror, për të lidhur 5 kantieret e shfrytëzimit me fabrikën e pasurimit të kromit në Kalimash. Për më tepër kjo kompani konçesionare ka sjellë dëmtime të riparueshme jo vetëm në shpatet malore, por edhe në ujërat e liqenit të Fierzës, pasi të gjitha sterilat e dala nga fabrika e kromit, i hedh në lumë duke ndotur liqenin e Fierzës, i cili së fundi është nominuar nga qeveria shqiptare për të kultivuar peshkun në ujërat e tij.

Dëmi i llogaritur nga Bashkia e Kukes shkon në shifra astronomike 37 miliardë dhe 892 milion lekë të reja.

 “…Dëmtimi i pyjeve dhe mjedisit pyjor është prishja e karakteristikave fiziko-kimike e strukturore të ekosistemit pyjor, ulja e prodhimtarisë biologjike…”, -thuhet në kallëzimin penal.

1573830069_kukesi3.jpg

Report Tv hedh dritë mbi këtë konçesion të dyshimtë dhe aspak të favorshëm për qeverinë shqiptare dhe mjedisin në Kukës, pasi kompania ka ndërhyrë në mënyrë të paligjshme në ekonominë pyjore të mësipërme në mungesë të lejeve përkatëse si dhe procedurës së heqjes nga Fondi Pyjor Publik të sipërfaqeve të shfrytëzuara. Ky konçesion është firmosur në 23 prill 2010 dhe në kontratën që disponon Report Tv konstatohet se konçesioni është nënshkruar nga ish-ministri i Energjitikës Dritan Prifti, që shërbente pranë qeverisë “Berisha”.Në këtë marrëveshje konçesionare kompania “Illyria Minerals Industry”, i ka pasur të qartë kufijtë e veprimit të saj për të nxjerrë mineralin e kromit dhe bakrit. Por pavarësisht kësaj situate, bashkia e Kukësit ngre akuza të forta ndaj drejtuesve turq të kësaj kompanie, duke pohuar se gjatë veprimtarisë së saj, kjo kompani ka dalë nga kufiri i përcaktuar në kontratë, duke gllabëruar dhe asgjësuar sipërfaqe të tëra me pyll dhe kullota, që janë në administrimin e bashkisë së Kukësit dhe Inspektoratit të Policisë Pyjore.

Bashkia pretendon në kallëzimin e saj se, kompania “Illyria Minerals Industry” në asnjë moment nuk ka pasur tagër për të vepruar në këtë zonë,por e ka aneksuar këtë sipërfaqe toke, duke e kthyer nga zonë pyjore në një teren industrial, dhe për pasojë ka sjellë një dëm të parikuperueshëm që nga bashkia është përllogaritur në një vlerë prej 37 miliard e 892 milion e 700 mijë lekë të reja. Verifikimi mbi dëmtimin e fondit pyjor nga ana e “Illyria Minerals Industry”, është mbajtur në prezencë të përfaqësuesit të kësaj firme Lorenc Hastopalli, i cili nuk ka pranuar të firmosë proces-verbalin e datës 21 tetor 2019 “Për vlerësimin e dëmit të fondit pyjor”.Për më tepër kompania që ka rrjepur me eskavatorë sipërfaqen e malit duke kryer një masakër mjedisore, nuk ka denjuar qoftë edhe të paraqesë pranë bashkisë Kukës dokumentacionin tekniko-ligjor për shfrytëzimin e fondit pyjor.

1573830087_kukesi5.jpg

Në një komunikim me telefon që Report Tv pati me kryetarin e bashkisë Kukës, Safet Gjici, ky i fundit pohoi se nga ana e baskisë po ndiqet e gjithë rruga ligjore ndaj këtij rasti. “…ne po e ndjekim problemin në rrugë institucionale. Ne si bashki nuk kemi vendosur asnjë masë administratiove me gjobë, por kemi marë një vendim për pezullimin e punimeve të kompanisë, në territorin ku kjo kompani nuk ka tagra të kërkimit dhe shfrytëzimit të mineralit.Ai është një territor i bashkisë Kukës, dhe kompania ska leje shfrytëzimi. Raportin tonë, mbi dëmin financiar të shkaktuar në mjedis ja kemi përcjellë Inspektoriatit të Policisë Pyjore, të cilët pritet që këto ditë të dalin me një konkluzjon të qartë për penalizimin e kësaj kompanie me gjobë financiare…”. Gjici shtoi se tashmë i janë drejtuar dhe me një kallëzim penal prokurorisë së Kukësit, duke kërkuar ndjekjen penale të drejtuesve të kompanisë dhe çuarjen e tyre para gjyqit, për këtë masakër mjedisore që kanë shkaktuar.

Ekstrakti në QKR i kompanisë “Illyria Minerals Industry”

Sipas kallëzimit dorëzuar nga bashkia e Kukësit, kompania konçesionare “Illyria Minerals Industry” ka asgjësuar pyllin dhe kullotën në zonën “Leproj”, duke hapur trashe, rrugë për kalimin e kamionëve dhe gropa me diametër të ndryshëm,me qëllim kërkimin e nxjerrjen e mineralit të kromit. Kjo veprimtari kriminale është kryer në një teren që kompania, nuk e ka të ligjëruar në kufijtë e saj të kërkimit dhe nxjerrjes së mineralit.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • asd: 16/11/2019 08:47

    Ministria e mjedisit ve gjoba gjithe diten bizneseve ne Tirane. Me siguri qe edhe kete e kane pare, por si gjithnje i kane syte tek leku dhe korrupsioni. Asgje tjeter.

    Përgjigju
  • Spiro: 15/11/2019 20:28

    Situate akoma me skandaloze keni ne Ure Vajgurore por nuk merr njeri mundimin te investigoj sepse boset e guroreve dhe furrave kane pas mbeshtetje politike! Tym guri e gelqere 24 ore dhe rruge lagje te shkaterruara nga kamionet e rende! Rilindje reago se po i deboni njerezit neper bote pasi ketu jeta eshte me standarte afrikane!!!

    Përgjigju
  • Pyka: 15/11/2019 16:09

    Yxhym osmanllinj!!!Mjerë Kukësi dhe kukësianët!KÇK !O Safet hiqi prej b*the këta pisa!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?