Kultura
Speciale

Ekskluzive/ Jenny Berggren, anëtarja e vetme e ‘Ace of Base’, që vazhdon të këndojë! Rrëfen për Report Tv 'odisenë' e grupit (VIDEO)

21 Qershor, 11:41| Përditesimi: 21 Qershor, 12:57

  • Share

Ajo njihet si zëri që u ka dhënë jetë hiteve, si: “All that she wants” apo “Don't turn around”. Këto këngë, vokalistja lider e grupit “Ace of Base” Jenny Berggren, i solli për publikun shqiptar, në një koncert Live në Sheshin “Skënderbej”. Në intervistën për Report TV, Jenny Berggren tregon odisenë e grupit të famshëm në vitet’ 90.

Përshëndetje Jenny dhe mirësevini në Shqipëri! Çfarë mund të thoni për koncertin tuaj në Tiranë. Është hera juaj e parë në vendin tonë? Keni dëgjuar më herët për Shqipërinë?

Është hera ime e parë në Shqipëri. Kam dëgjuar shumë për Shqipërinë dhe tani jam këtu. Kam miq që janë shqiptarë, kanë apartament këtu dhe janë përpjekur edhe të më mësojnë pak shqip, por është e vështirë. Ju keni gjuhë të bukur dhe një vend të bukur.

Pjesë e koncertit janë shumë këngë të ‘Ace of Base’, disa këngë personale të miat sigurisht, sepse jam unë, Jenny e ‘Ace of Base’ dhe jo ne të katërt. Për mua është kënaqësi të interpretoj këto këngë, nga një skenë ku të këndoj drejtpërdrejt për njerëzit. Më pëlqen kjo, është hera e parë që e bëj në Shqipëri dhe për mua është e rëndësishme.

Çfarë mund të thoni për udhëtimin tuaj personal në “Ace of Base”? Si ndryshoi e u zhvillua me kohën roli juaj si pjesë e grupit? Mund të flisni për fillimet e “Ace of Base”?

Të jesh me motrën dhe vëllain që nga mosha 14 vjeçare, sepse kam kënduar me ta që kur isha 14 vjeç, për mua ishte diçka normale. Më pas ne u bëmë grup edhe me dy djem të tjerë, por ata u larguan. Më vonë na u bashkua anëtari i katërt. Të katërt ne bëmë koncert në sheshin tonë, në Gothenburg, në vendin tim, ashtu siç do të bëj në sheshin “Skënderbej”. Kjo ishte mahnitëse, të kishim mundësi të këndonim për njerëzit atje. Këtu filloi një epokë që na bashkoi, jo vetëm familjarisht. (Në atë kohë Ulf ishte i dashuri im, por mos ia trego askujt.) Të katërt ne argëtoheshim shumë. Kjo ishte fantastike. Suksesi ishte diçka mahnitëse, por në të njëjtën kohë filluan edhe kërkesat. Ne ishim suedezë, por filluam në Danimarkë dhe nga Danimarka shkuam në Norvegji e më pas në Gjermani dhe atje, tregu i tretë muzikor më i madh në atë kohë, ishim në ngjitje. Më pas shkuam në Angli dhe më tej u bëmë të mëdhenj në Suedi. Sepse suedezët nuk i duan suedezët që janë të suksesshëm, kjo është qasja në Suedi, por ne atëherë ishim shumë të sukesshëm, kështu që muzika jonë do të dëgjohej edhe në Suedi. Aktualisht jemi në Ambasadën Suedeze dhe ndihem shumë mirë që më ftuan këtu dhe jam e lumtur.

Gjithmonë kam pasur sytë e motrës sime mbi mua dhe nëse do të thoja: jam e famshme, ajo do të thoshte: Ou? Jam motra jote!

Dhe të njëjtën gjë bëja dhe unë me motrën dhe vëllain. Kështu që ne e mbajtëm njëri-tjetrin në një nivel të këndshëm, duke bërë një punë të vështirë dhe diskutuam që do të ishim bashkë në moshën 87-vjeçare, por nuk do të kishim sukses gjithmonë me ‘Ace of Base’.

Kështu që duhej të kishim kujdes dhe të diskutonim me vëmendje para se të merrnim vendime. Por në atë kohë kishim njëri-tjetrin dhe e donim këtë gjë.

Kënga e parë që kemi krijuar është shkruar nga unë. Atëherë isha 11 vjeç dhe nuk është e bukur. Por singli i parë nga ‘Ace of Base’ është “Wheel of fortune”. I dyti ishte “All that she Wants”. Dhe të dyja ishin numër 1 dhe numër 2 në Danimarkë sa i përket shitjeve, por nuk kishin asnjë fotografi tonën.

Çfarë influencash muzikore formësuan muzikën e Ace of Bace? Si është të krijosh një grup me motrën dhe vëllanë dhe të shohësh që më pas ky grup të bëhet i njohur ndërkombëtarisht?

Ne kishim ndikime të ndryshme muzikore: nga Britania, Hollanda, nga Gjermania, SHBA-të. Ishte Technokronic, por jo vetëm. Ishte përzierje. Unë pëlqeja Ëhitney Houston. Motra ime Majkëll Xhekson. Ne donim Prince dhe atë lloj muzike, ndërsa djemtë pëlqenin më tepër disco-beats. Vëllai im ishte më tepër te ‘ital-disco’, ndërsa Ulf ishte më tepër mjeshtër i fjalës. Ishte një përzierje e madhe jona, qëndronim bashkë dhe bënim gjërat tona, duke përzier talentet tona. Ne çonim në tavolinë ato që kishim dhe kështu erdhi ‘Ace of Base’.

Zëri juaj është sinonim me disa prej hiteve më të njohura të viteve’90-të. Jeni ndier ndonjëherë në presion, për faktin se keni qenë një ndër anëtaret më të njohura të grupit?

Ne jemi ndier në presion, unë dhe ime motër, shumë herë. Ne duhet të kujdeseshim gjithmonë dhe të merreshim me fansat. Nuk ka rëndësi nëse unë këndoj mirë për veten time dhe këndoj mirë në banjo.

Të gjithë këndojnë mirë në tualet, por të lesh trashëgimi, të vish me këngë të reja, të këndosh bukur çdo mëngjes, kur nuk ke fjetur dhe ke ndryshuar oraret, pasi ke qenë gjashtë javë në ture, do të thotë që truri jot nuk është i fokusuar. Hipofiza në tru, humbet kujtesën dhe kjo na ka ndodhur disa herë dhe kemi qenë edhe duke bërë shënime, të tipit: me kë jam duke folur në telefon? Pra, kam qenë nën presion, por gjithashtu kam mësuar teknika se si të kontrolloj zërin, si të këndoj kur jam e sëmurë, si të këndoj bashkëtingëlloret dhe të fokusohem te to më tepër se te vokali. Pra, kam mësuar shumë teknika. Kjo më mori pesë vjet por arrita ta menaxhoj. 

Keni ndonjë këngë të preferuar të “Ace of Base” dhe që ka domethënie të veçantë për ju?

Më pëlqen të interpretoj vërtet ‘Beautiful Life’. Më pëlqejnë të gjithë këngët, por ajo ka kuptim të veçantë për mua, se pavarësisht se si jeta vjen, se jeta është e vështirë për të gjithë ne, pavarësisht si vjen, të kujtojmë që kjo jetë është e bukur, ia vlen ta jetojmë dhe të luftojmë për të. Dhe çdo gjë që është e bukur nuk kushton financiarisht. Dashuria përshembull është falas, por duhet të luftoni për të.

Mund të sillni në vëmendje momente apo kujtime gjatë regjistrimeve të këngëve apo tureve të ndryshme, që sipas jush kanë qenë shumë sfiduese apo që ju kanë ndryshuar?

Një natë u zgjova në mes të natës me një thikë në fytin tim dhe një grua gjermane qëndronte para meje duke më kërcënuar me jetë. Ishte një grua, që nuk ndihej mirë. Ishte një fanse e imja. Nuk e fajësoj dhe shprsoj të jetë mirë tani. M’u desh të rifilloja të vlerësoja shumë gjëra në jetën time. Çfarë është e bukur? Pse jam këtu? Pse këndoj? Pse jam duke bërë këtë? Mund të isha vrarë atë natë. Shkoi mirë, sigurisht, për aq kohë sa qëndroj e ulur këtu. Zgjodha të jap, sepse plagosesh në shpirt pas një përvoje si kjo. Je e lënduar, e trembur nga gjërat dhe fshihesh, por nuk është perfekte. Çfarë bëra ishte, që i thashë Zotit: Ti kujdesesh për mua tani, sepse nuk di si të jetoj më këtë jetë. Nëse ke një plan, le të vazhdojmë me të. Shkrova një libër disa vite më vonë, si të bëhesh e plotë sërish pas një përvoje si kjo. Ishte një përvojë e shumë viteve më parë, por mund të them që sot jam më e fortë dhe e di shumë më mirë mirë për shkak të saj. Kuptoj njerëzit që janë lënduar dhe në një formë tjetër mund të isha ndryshe, kështu që në këtë mënyrë jam mirënjohëse që u shërova, por sigurisht nuk jam mirënjohëse për përvojën.

Si ndikoi në mënyrën se si e shikonit botën përvoja juaj me famën apo familjen? Nga ana tjetër, si ndikoi në jetën tuaj muzikore dhe personale besimi juaj kristian?

Çfarë ndodhi ishte që nuk iu besoja më njerëzvve sepse mund të më lëndonin. Isha vërtet shumë e rënë moralisht. Nuk më pëlqente kur njerëzit shfaqeshin në dhomë, kur më preknin. Nuk më pëlqente kur njerëzit flisnin, ishin pas meje, nuk më pëlqente errësira. Shumë gjëra ishin dëmtuar. Jeta ime kishte shkuar, ishte rrëzuar dhe papritmas fillova të jetoj përsëri, por ishin dy persona të ndryshëm. Mendoj se të gjithë kanë një përvojë pak a shumë si kjo, por dua të them që e kam pasur dhe unë. I vetmi që mund ta rregullonte këtë prerje në jetën time është ai që më krijoi. Për mua ishte logjikë e pastër. Isha krijuar nga dikush dhe ai ishte dikush që mund të më rregullonte.  Dhe ai e bëri. Kjo ndodhi në 1994, më shumë se 35 vjet më parë. Kjo ndryshoi jetën time, por edhe jetën artistike rreth meje, sepse ne ishim në majat e shitjes. Ne ishim nr. 1 në SHBA një javë më pas. Dhe unë thashë: tani i përket së shkuarës dhe po përjetoj diçka tjetër. Nuk doja t’ia dija më për suksesin. Doja të fokusohesha te vetja. Ndryshoi çdo gjë. Të gjithë kishim më tepër truproja. Të gjithë mendonin për sigurinë e tyre. Ishte një ndryshim në botën artistike për shkak të kësaj përvoje që pata.

A ka pasur ndonjë këngë që ju personalisht e keni ndier të afërt apo jeni ndier e lidhur, por që nuk është lançuar?

Aktualisht interpretova një në koncertin në Tiranë, që është kënga ime e re, “Lion’s Den”. E kam krijuar pak para Krishtlindjes. E shkrova këtë këngë kur dëgjoja për pushtimin rus në Ukrainë. Nuk dua të flas për politikë, por kam qenë në Odesa, kam qenë në Kiev. Kam qenë dhe kam parë rrugët dhe e di ku detyrohen të ulen dhe të kenë frikë për jetët e tyre sepse sipër tyre janë bombat. Kur bëra atë këngë isha plot me ndjesinë se si ndihen kur zvarriten në luftë dhe përpiqen të fshihen nga bombat. Po këndoja me emocione që nuk e dija se i kisha dhe u bë këngë dhe e titullova ‘Lion’s Den’, sepse disa herë duhet të mbash qëndrim në jetë për dashurinë të themi. Disa herë duhet të jesh trim dhe të duash shumë fort dhe disa herë trajtohesh keq për këtë. Ka dhe një lloj alterimi me Biblën, me Danielin që është hedhur në ‘Lion’s den’ për shkak të politikës pak a shumë, se mbreti donte ta vriste por ai nuk vdes. Kështu ishte dhe përvoja ime.

Në atë kohë dikush më kërcënonte që kishte të bënte me fuqinë e medias. Media në atë kohë mud të kishte shkruar diçka për mua që ishte shumë e keqe por në fakt vendosën ta ekspozonin në mënyrë pozitive. Media në mendimin tim është shumë e rëndësishme, por edhe kaq e frikshme kur pasqyron një ‘portret’ të gabuar tëndin.

Çfarë mësimesh keni marrë nga shkëlqimi i industrisë së popit të viteve ’90-të dhe sfidat e atyre viteve?

Kur je një grua e re e suksesshme njerëzit duan të jenë krah teje dhe duan të bëjnë biznes me ty. “Ace of Base” ishin shumë të suksesshëm. Në atë kohë ishte diçka e fuqishme dhe njerëzit donin ta kontrollonin: si dukeshim, si uleshim, si flisnim. Dhe unë thosha: më falni, por kam motrën dhe vëllain këtu. Ky është lloji i yllit të popit që ju doni, por nuk jam unë. Kështu që të tre në ‘u tërhoqëm’ pak për të qenë vetja. Por ke nevojë që njerëzit të jenë krah teje dhe që të jenë të suksesshëm bashkë me ty dhe kështu bëhesh i fortë. Dhe kjo është miqësia dhe dashuria.

Por si e shihni industrinë muzikore në ditët e sotme?

Është industri dhe nuk duhet ta harroni. Dhe e pistë. Por sa kohë që luan drejt dhe je më i zgjuar se sa ata nuk ka pse shqetësohesh. Sot mund t’i drejtohesh edhe internetit dhe të bëhesh i suksesshëm për shkak të Tik-Tok, të Facebook. Mund të futesh online në media sociale dhe të bëhesh dikush. Dhe kjo është bukuria e kësaj gjëje. Por nuk dua të them gjë për këtë pjesë që është e mirë. Dua t’i them diçka vetes sime: Çdokush që ulet atje me telefon dhe vëzhgon çfarë mësojmë? Zakonisht, të jemi të ndershëm, shikon budallallëqe. Mund të ulem një orë dhe habitem. Por çfarë ndodhi me kohën? Kjo është ajo ku dua të punoj. Të vendos Jenny-n në qendër të telefonit të saj në vend që telefoni të më vendosë mua në qendër. Kjo është diferenca në ditët e sotme. Gjithashtu kur shoh diçka të mirë e kapërcej, sepse janë algoritme dhe kjo është diçka e keqe. Dua t’i them diçka atij që mban telefonin në dorë, që të shikojë gjëra që ia vlejnë. 

“Ace of Base” ka ndihmuar për të shtruar udhën grupeve të njohura suedeze të popit, si: Robyn, Zara Larsson e madje kanë influencuar edhe artisten Lady Gaga. Mendoni se kontributi i grupit në muzikën pop është njohur dhe vlerësuar plotësisht?

Ndihem shumë e përulur për situatën ku ndodhemi sot, sepse këngët ekzistojnë ende dhe janë të njohura në median sociale dhe ky është bekim. Mund të ishin këngët e kujtdo por janë këngët tona dhe është fantastike. Për mua dhe motrën time ka pasur gjithmonë rëndësi ku janë fansat tanë, si t’u këndojmë këngët. Kjo është ajo gjithmonë që kemi bërë, të këndojmë këngët dhe të vazhdojmë, sepse gëzimi është diçka falas. Ju mund të këndoni gjithashtu dhe kjo nuk kushton. Të gjithë mund të këndojnë. Është argëtuese, fantastike dhe është diçka që të ndërton, të përmbush. Pra, jam mirënjohëse dhe e bekuar. Ne ishim shumë të suksesshëm 30 vite më parë, por kjo do të thoshte shumë edhe për mjaft njerëz të tjerë dhe ky është një falenderim i madh nga ana ime për të gjithë.

A ju njohin ende sot fansat dhe a ju ndalojnë në rrugë për të folur për muzikën e ‘Ace of Base’? Ç’do të thotë për ju diçka e tillë sot? Për çfarë do të donit që ‘Ace of Base’ të kujtohej?

Shpresoj të jetë për këngët, për bujarinë e melodive, për gëzimin. Sepse gjithmonë ka qenë muzika diku atje, edhe kur bëhet fjalë për acarimin, urrejtjen, indiferencën- kur përpiqen të jenë ‘cool’, por kurrë nuk mund të jesh një grup ‘cool’ kështu. Ne përpiqemi, fokusohemi të këndojmë këngë të gëzuara. Kur filluam, edhe ne si “Ace of Base’ kishim anën tonë të errët, por kuptuam që bota nuk kishte nevojë për këtë, por për këngë të gëzuara. Ne u fokusuam në këngë të gëzura dhe shpresoj që njerëzit të fokusohen në gjëra të gëzuara.

A i dëgjoni këngët tuaja të vjetra? A shikoni një rikthim të mundshëm tuajin në muzikën pop apo dance në të ardhmen? A e rikonsideroni një ribashkim të “Ace of Base”?

Mendoj se “Ace of Base” ka pasur vitet e tij të arta kur ishim kreativë, ishim më të rinj, nuk kishim fëmijë, nuk ishim të lidhur në shtëpi për shkak të fëmijëve dhe kishim sukses. Ne e bëmë atë punë, ishte e vështirë, argëtuese por na mori gjithçka që kishim. Nuk mund të kisha marrëdhënie, nuk mund të kisha asgjë. Ishte sikur të isha e martuar me profesionin tim. Të gjithë ne duhet të vendosnim të parën punën dhe pastaj vinin jetët tona. Kjo nuk mund të vazhdojë për shumë vite. Njerëzit nuk mund të jetojnë në këtë mënyrë. Dhe ne gjithashtu dëshironim gjëra të ndryshme. Dikush donte të largohej, dikush donte të krijonte familje, dikush donte të bënte vend në botë për dikë a diçka tjetër. Unë dëshiroja… Nuk e di, nuk më kujtohet. Isha diku në mes, duke thënë: Po, ne mund ta bëjmë këtë. Kështu, “Ace of Base” që ishte në atë kohë është “Ace of Base”, që duam ta kemi si kujtim. 

Kështu që ne e donim të ndryshuar, të punonim me të në një mënyrë tjetër dhe për aq sa di, nëse motra ime, vëllai dhe Ulf vijnë në derën time dhe trokasin e më thonë: Jenny, le ta fillojmë sërish, do t’iu them: Futuni brenda dhe ta diskutojmë! Kjo është që mund të bëj! Sepse e di se si funksionon tani. E di si të bëj ture, si të bëj regjistrime, si të bëj video, foto. Dhe e di historinë pas këtyre dhe anët e pista. Tani di gjithçka. Lexoj marrëveshjet e mia, kam mësuar pjesën e ligjore, kam mësuar vetë gjithçka. Tani mund ta bëj. Por tani nuk është koha për “Ace of Base” të ribashkohen sepse asnjë nuk do që të bëjë “Ace of Base” sërish.

Nuk po shoh për diçka të tillë. Thjesht po bëj muzikë. Dhe po bëj muzikën time. Po përpiqem të vij e flas me atë çfarë bëj sot. Kam shkruar një libër, një autobiografi për veten dhe do ta publikoj në anglisht. Kam mbajtur leksione, kam mësuar njerëz, kam trajnuar artistë të tjerë sepse njerëzit duhet ta dinë që është e vështirë ta bësh këtë. Kjo është ajo që bëj dhe nuk kam kohë për gjë tjetër. Dua të shkruaj edhe një libër tjetër, por duhet të gjej historinë më parë.

Si ishte të fillonit një karrierë solo, të ndryshme nga ajo me grupin? Çfarë të lejon të shprehësh muzika solo që nuk ta lejonte ‘Ace of Base’?

Për të më kuptuar mua, pse po e bëj këtë solo duhet të dini se gjatë gjithë kohës me “Ace of Base” kam pasur një grup tjetër muzikor, vetëm që të këndoja këngët e mia dhe të kujdesesha vetë për pajisjet e mia, të mbaja pajisjet e rënda të ndriçimit dhe bëja spektakle ‘live’. E bëja këtë gjë në kisha dhe në vende të tjera. Mbaja leksione prej 1 ore e gjysmë, vetëm unë duke folur dhe duke treguar historinë e jetës sime. Qëllimi im është që një ditë t’i bëj bashkë këto pjesë: muzikën e “Ace of Base” dhe historinë e jetës sime për të bërë një spektakël, një shfaqje më të gjatë. Kjo është ajo çfarë dua të bëj dhe mendoj do të jetë fantastike. Por nuk jam ende në atë pikë. Jam vetëm 53 vjeç. Do të jem në atë pikë kur të jem te të 60-at por dua ta bëj. Kam akoma ëndrrat e mia. Tani fëmijët e mi janë më të mëdhenj. Djali im është në një grup muzikor dhe publikon muzikën e tij. Vajza ime këndon gjithashtu. Djali im është i suksesshëm me grupin e tij muzikor, që quhet “Offbalance” dhe tani do të publikojnë singlin e tyre të tretë.

Ata pëlqejnë Majkëll Xhekson dhe muzikën e vjetër dhe kjo është arsyeja pse më pëlqen. Ndërsa unë pëlqej Stromae, “Dirty Loops”. Nuk dua melodinë e thjeshtë të popit sepse më pëlqen të tregoj në gjëra të vështira në mënyra të thjeshta. Por gjithashtu mendoj se kur mund të krijosh… ne po dëgjonim një këngë shqiptare dhe po thosha: dua atë version, atë harmoni fantastike që ka ajo këngë. Është argëtuese. Jam e interesuar në lloje të ndryshme muzike. Jam këngëtare klasike, jam mezzo-soprano, kështu që nuk kam kufizime, nuk kam kufinj. Vetëm shko, bëj muzikën tënde dhe shijoje. Kjo është gjëja ime.

Mund të na rrëfeni mesazhin që ka albumi juaj solo “Historia ime” dhe si e reflekton ai udhëtimin dhe jetën tuaj?

Albumi “Historia ime” bashkëlidhet me librin. Ishte menduar të ishte albumi i “Ace of Base” por djemtë shkuan me dy vajza të tjera kështu që bëra diçka vetë. Aktualisht kam bërë një album tjetër në 2002 që nuk e publikova. Pra kam bërë këngë gjatë gjithë kohës. Kam pasur atë interes që të bëj muzikë vetë. Të interpretoj dhe krijoj vetëmo është diçka që e kam bërë gjithmonë në shumë mënyra sepse unë jam ai lloj personi që i pëlqen të këndojë. Kjo është ajo që bëj. Ky është profesioni im. Nëse “Ace of Base” ka ikur, unë qëndroj akoma, por nuk e di kush dëshiron të dëgjojë. Por dëshirojnë të më dëgjojnë. Tani u ftova këtu në rezidencën suedeze.

Është java e Kulturës suedeze dhe jam shumë e lumtur dhe e bekuar që jam këtu dhe mund të promovoj diçka të vogël nga Suedia sepse jam suedeze. Jam shumë e emocionuar për koncertin. Por interpretimin solo e kam bërë gjithmonë. Dhe “Historia ime” është gjëja e parë që njerëzit kanë parë që kam bërë vetë. Kam bërë dhe disa këngë të “Ace of Base”, por pastaj bëra një album të tërë sepse ishte ajo që doja. Atje mund të shikoni besimin tim që shfaqet. Atë mund të shihni edhe “Ravine”, këngën që bëra pasi u sulmova vite më parë dhe që është dhe në një album të “Ace of Base”.

A mund të flisni për ndonjë projekt apo ide për të cilën po punoni aktualisht?

Po lançoj librin tim në anglisht. Po punoj gjithashtu për të interpretuar këngë nga fëmijëria ime. Në fëmijërinë time kam mësuar shumë këngë sepse muzika ka qenë gjithmonë e pranishme në familjen tonë. Kam mësuar shumë tekste dhe kam kuptuar që ky është folklor, nga njerëz të tjerë. Mësova përshembull që një prej këngëve ishte himni kombëtar i Izraelit, por unë e këndoja se kishte tekst në suedisht dhe nuk korrespondonte fare me atë çfarë thuhej në versionin izraelit. Por muzika i kalon të gjithë kufinjtë dhe është përkthyer, transkiptuar dhe është mahnitëse. Tani po punoj për të marrë të drejtat për ta interpretuar. Janë dhe disa këngë të tjera suedeze që i këndonim në kishë e që i këndoja që kur isha fëmijë dhe dua t’i sjell edhe ato. Tani po regjistrojmë këto dhe do të jetë një përzierje e shumë gjërave dhe sigurisht “Lion’s Den” dhe një këngë tjetër që kam bërë, “Keep Quiet” dhe një këngë tjetër, “Open and alive”. Këto janë disa këngë që doja t’i publikoja për fansat në të 50-at e mia.  Jam unë. “Open and alive” është një këngë dance, shumë e mirë për në palestër, si dhe një këngë që mund ta dëgjosh duke i dhënë makinës, si dhe “Lion’s Den” që është baladë.

Së fundi, çfarë mesazhi do t’u jepni atyre që janë rritur duke dëgjuar këngët e “Ace of Base” dhe atyre që zbulojnë zërin tuaj për herë të parë?

Po. Dua t’iu them: shumë faleminderit që gjithmonë keni qëndruar në krah të këngëve tona. Do të thotë shumë për mua dhe zemrën time. Faleminderit që na krijuat në vendin tuaj dhe na dhatë një bazë, ku mund të shkoj të këndoj këngë të viteve ’90-të. Shumë faleminderit që më ftuat në vendin tuaj dhe e di që këngët tona kanë pasur domethënie të veçantë si një tjetër fllad ajri që ka hyrë në vendin tuaj shumë vite më parë. Shpresoj që këtë ajër ta keni gjithmonë në mushkëritë tuaja: ajër i freskët, i lirë dhe i gëzueshëm! Zoti ju bekoftë!

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Or tej: 21/06/2025 13:03

    Kjo po qe eshte artiste. Uroj qe te frymozoje ndonje albanistanas or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?