Politikë

Raporti i KE: Kritika të forta për KLP dhe KLGJ! E rëndë që në Magjistraturë japin mësim të larguarit nga Vettingu

16 Qershor, 21:30| Përditesimi: 16 Qershor, 23:08

  • Share

Shteti i së drejtës në Shqipëri ka ardhur duke u konsoliduar por problematikat ‘post vetting’, sidomos të lidhura me dy organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë KLP e KLGJ, janë të rëndësishme dhe duhet të gjejnë zgjidhje. Rekomandimi i qartë është bërë nga Bashkimi Evropian, përmes raportit vjetor të Komisionit Evropian për shtetin e së drejtës, raport i cili pritet të dalë në javët në vijim, draftin konfidencial të të cilit Report Tv e ka siguruar.

Në 2016-ën, Shqipëria ndërmori një reformë të thellë të Drejtësisë, duke ngritur institucione tërësisht të reja, dhe duke i nënshtruar gjyqtarët dhe prokurorët, në një proces të thellë rivlerësimi, i njohur si Vettingu. Tani që në shkallë të parë, ky proces ka përfunduar dhe kanë mbetur vetëm disa dhjetëra raste në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, shqetësim ngelet vijimësia e procesit dhe ruajtja e llogaridhënies së sistemit gjyqësor.

Draft raporti konfidencial i Komisionit evropian, vëren se mbeten boshllëqe për të ruajtur standardet e larta të vendosura gjatë Vettingut. Nga ana tjetër ky proces ka krijuar problem për shkak të reduktimit të ndjeshëm të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që I mbijetuan. “Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët, vijon të ndikojë negativisht në cilësinë e drejtësisë”, thekson dokumenti i Brukselit, i cili ngre shqetësim për kuotat e ulëta të parashikuara për vitin e ri akademik në shkollën e magjistraturës “të cilat janë thelbësisht të pamjaftueshme për të siguruar mbushjen graduale të vakancave në afat mesatar”.

Po në lidhje me shkollën e magjistraturës, konsiderohet “i rëndë”, “fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës”.

Shqetësim për Brukselin mbeten problemet e vërejtura dhe më parë, në dy organet kryesore të sistemit, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

“Sfidat për të kryer në kohë dhe me cilësi, vlerësimet, emërimet, ngritjet në detyrë dhe transferimet e magjistratëve mbeten të pranishme, ndërkohë që Këshillat vijojnë të mos kenë rregulla të rëndësishme funksionimi”.

Sipas draft Raportit “nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja, në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”, vë në dukje dokumenti i Brukselit.

Komisioni Europian përsërit shqetësimin e shprehur më herët dhe për emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët zgjidhen nga parlamenti. Po ashtu vihet në dukje se mangësitë vazhdojnë në praktikë dhe në kuadrin ligjor për procedurën e emërimit të anëtarëve jo-magjistratë në KLGJ dhe KLP, të cilët nuk i nënshtrohen të njëjtave standarde për kontrollin e të kaluarës dhe deklarimin e pasurisë si anëtarët magjistratë, gjë që ndikon në transparencën dhe meritokracinë e procesit.

Draft raporti i Brukselit sheh si shqetësim serioz, “përpjekjet nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndërhyrje të pajustifikuara dhe presion ndaj sistemit gjyqësor”. Dokumenti sjellë në vëmendje dy raste. “Prokuroria e Posaçme nisi një hetim penal në lidhje me një përpjekje për ushtrim presioni ndaj një magjistrati në një çështje që përfshinte një deputet”, shkruhet në raport, I cili duket se i referohet kryetarit demokrat Sali Berisha dhe sulmeve të tij ndaj gjykatës së çështjes Irena Gjoka. Kjo e fundit ka bërë dhe kallëzim ndaj tij dhe së bijës, Argita Malltezi. Ndërsa rasti i dytë duket se lidhet me reagimet për arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar në shkurt 2025 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë – gjë që ngre shqetësime serioze”.

Aksesi në drejtësi ende jo në nivelin e duhur, me sistemin e integruar modern elektronik që sipas KE pritet të bëhet funksional vetëm në vitin 2030. Situata me stokun e çështjeve të mbartura është përkeqësuar sipas Komisionit Evropian “ndërkohë që masa vendimtare për rritjen e efeciencës ende nuk janë zbatuar”.

Dy janë institucionet e vlerësuara nga ky raport: SPAK dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Për SPAK-un, dokumenti vë në dukje se:"ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, megjithëse vijojnë mungesat në staf dhe infrastrukturë. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat e posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. SPAK shfaq një vizion të qartë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. SPAK gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku.Është bërë përparim i prekshëm nga SPAK drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërkohë që është përmirësuar përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive."

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, raporti kujton se Shqipëria ka miratuar një strategji të posaçme në dhjetor të vitit 2024. Por, sipas Brukselit "strategjia kundër korrupsionit paraqet disa dobësi, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e monitorimit dhe koordinimin institucional, gjë që mund të reduktojë efektivitetin e saj në parandalimin dhe uljen e korrupsionit. Edhe pse ekziston një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për luftën kundër korrupsionit, mbeten disa boshllëqe."

Po sipas raportit, "edhe pse janë ndërmarrë disa hapa organizativë, kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit mbetet kryesisht joefektiv dhe bashkëpunimi me strukturat ligjzbatuese vijon të jetë i dobët."

Sa i përket ILD-së, dokumenti i Brukselit vë në dukje se, "Inspektori i Lartë i Drejtësisë është funksional, por numri i lartë i vendeve vakante për inspektorë-magjistratë ndikon në funksionimin efektiv të tij. Aktualisht janë në detyrë vetëm 9 nga 20 inspektorë. Procesi përzgjedhës për katër inspektorë jo-magjistratë është ende në zhvillim. Ka ende vështirësi për ta bërë pozicionin e inspektorit tërheqës për magjistratët dhe kërkohen ndryshime ligjore për të rritur tërheqjen e këtij pozicioni. Procedura e rekrutimit për komandimin e gjashtë magjistratëve në ILD ka rezultuar e pasuksesshme."

Nga viti i kaluar Komisioni evropian ka nisur të publikojë, krahas raporteve vjetore të progresit për vendet në proces anëtarësimi, dhe një raport dedikuar shtetit të së drejtës. Dokumenti këtë herë pritet të paraqitet zyrtarisht në ditët e para të korrikut.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?