TIRANË- Korrupsion më shumë se një herë gjatë detyrës, mbyllje dosjesh në këmbim të parave, kërkesa për ryshfet dhe afera me gjyqtarë e avokatë. Këto janë disa nga konstatimet në një raport sekret që Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, në bashkëpunim me Shërbimin Informativ, ka hartuar për prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli. Raporti është hartuar për llogari të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, i cili e shkarkoi prokurorin nga detyra në korrik të vitit 2020, me argumentin se nuk kishte arritur nivelin minimal të aftësive profesionale.
Në raportin që sjell Shqiptarja.com, janë renditur 9 afera korruptive të pretenduara të prokurorit Çoçoli, i cili sipas DSIK u kërkonte ryshfet të pandehurve për t’i favorizuar dhe lehtësuar pozitat. “Të dhënat që disponohen për subjektin e rivlerësimit, vlerësohen për aktualitetin e tyre, kohëzgjatjen, pra më shumë se një herë, të përfshirjes apo implikimit në veprimtari të kundërligjshme, në formën e korrupsionit pasiv të prokurorit, në papajtueshmëri të plotë me ushtrimin e detyrës së tij funksionale”, thuhet në raport.
Sipas raportit, Spartak Çoçoli ka bashkëpunuar në veprimtarinë e tij korruptive edhe me gjyqtarë dhe avokatë. “Marrëdhënia e dyshuar korruptive ndërmjetësohet dhe shtrihet në persona të te tjerë (gjyqtarë dhe avokatë), lidhje punë të subjektit të rivlerësimit, duke vendosur sipas përcaktimit të pikës 6, të nenit 3, të ligjit nr. 84/2016, një ‘kontakt të papërshtatshëm’, në papajtueshmëri të plotë me ushtrimin e detyrës nga ky subjekt rivlerësimi”, thuhet në raport.
Edhe pse KPK e pa me rezerva raportin, Çoçoli u shkarkua nga detyra. Komisioni i Vetingut thotë se agjencitë ligjzbatuese shqiptare kishin pasur informacione prej vitit 2007 për përfshirjen e Çoçolit në veprimtari të kundraligjshme, por këto informacione nuk ishin vlerësuar dhe adresuar, deri kur nisi procedimi penal ndaj prokurorit në vitin 2019. Një procedimi disiplinor të Prokurorisë së Përgjithshme, Çoçoli i kishte shpëtuar me një “Vërejtje” në vitin 2012. Një tjetër kallëzim penal për marrje ryshfeti ishte pushuar në vitin 2015.
Ndërkaq, në shtator të vitit 2020, Spartak Çoçoli i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK për shkarkimin e tij si dhe rikthimin në detyrë. Kërkesa është në proces gjykimi nga KPA. Po në muajin shtator 2020, Gjykata Speciale e dënoi prokurorin Çoçoli me dy vite burg, konvertuar në 4 vjet qëndrim shërbim prove, për korrupsion pasiv. Çoçoli u arrestua nga policia dhe prokuroria për akuzën e korrupsionit, pasi tentoi të lironte nga ambientet e policisë një makinë të bllokuar dhe pa letra. Gjatë arrestimit iu kapën 100 euro.
Gjatë dhënies së vendimit gjykata urdhëroi konfiskimin e 100 eurove të kapura. Çoçoli deklaroi se eurot i kishte me djersën e ballit dhe jo me korrupsion. Dënimit nuk i shpëtoi dhe miku i tij sekser Ernest Doro, i cili u dënua me 1 vit burgim, por ky dënim ju pezullua duke u vënë në shërbim prove për një periudhë 2 vjeçare. Megjithatë, ky vendim nuk është i formës së prerë.
Pse vetem ky ? Te gjithe pa perjashtim jane tmerresisht te Korruptuar. Cdo vendim sado ordiner te jete shitet nga kto super plehra te pashpirt, qe e varferuan kete popull deri ne mjerim!!!!
PërgjigjuÇ'ja fusni kot ju, a thu se ky është i vetmi prokuror i korruptuar në shqipëri. Pa shkuar në ekstrem dhe pa e ekzaxheruar nuk ka prokuror apo gjykatës në shqipëri pa u korruptuar asnjëherë. Po nuk i ndoqët të gjithë skeni asgjë në terezi or mik.
PërgjigjuMire e ke... Po ke te vene.. te gjithe e kane mendjen tek leket