Menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas

Ekskluzive/ Menaxheri i Bankës Botërore Emanuel Salinas flet për skemën e pensioneve: Vetëm 60% e të punësuarve paguajnë kontribute, sfidë informaliteti e plakja e popullsisë! 

22 Mars, 20:41| Përditesimi: 22 Mars, 22:01

  • Share

Në një intervistë ekskluzive për Report TV, menaxheri i zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri, Emanuel Salinas flet me shifra mbi numrin e ulët të kontribuesve dhe për sfidat që po përballet aktualisht skema e pensioneve.

Salinas evidenton 3 sfida të skemës aktuale të pensioneve, rreziqet që sjellë punësimi i formal e mos deklarimi i pagave, si dhe jep sugjerimet e Bankës Botërore për reformën e re të pensioneve, pas një dekade në fuqi të skemës së 2015.

INTERVISTA E PLOTË

Gazetarja: Si e vlerëson Banka Botërore skemën aktuale të pensioneve e cila është miratuar në vitin 2015?

Salinas: Reforma e pensioneve në Shqipëri e vitit 2015 ishte një hap në drejtimin e duhur drejt vendosjes së një lidhjeje më të qartë midis kontributeve dhe përfitimeve, duke përmirësuar gjithashtu qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Ndryshimi në formulën e përfitimeve të përcaktuara në vitin 2015 nënkuptonte që individët që kontribuonin më shpesh në sistemin e pensioneve do të merrnin përfitime më të larta pensioni. Rritja graduale e moshës së pensionit e miratuar në vitin 2015 ishte gjithashtu në përputhje me praktikat më të mira të rekomanduara, duke pasur parasysh rritjen e jetëgjatësisë në Shqipëri.

Tashmë ka kaluar rreth një dekadë nga reforma e fundit dhe ndërkohë Shqipëria është përballur me sfida globale, rajonale dhe specifike të vendit, të cilat kanë pasur implikime në sistemin e pensioneve. Emigracioni i vazhdueshëm, vijimësia e punësimit informal, plakja e shpejtë e popullsisë dhe ndryshimi i tregut të punës ushtrojnë presion mbi mbulimin dhe qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve. Ndërkohë kontributi me më pak vite si dhe presionet inflacioniste po ngrenë shqetësime se sa i përshtatshëm është sistemi për disa grupe pensionistësh.

Gazetarja: Cilat janë disa nga problematikat që Banka Botërore ka konstatuar nga kjo skemë?

Salinas: Nga një analizë paraprake, kemi identifikuar tre sfida kryesore. Së pari, një bazë relativisht e vogël kontribuesish. Që nga viti 2022, shumica e të rriturve mbi moshën e daljes në pension marrin një lloj pensioni nga Sigurimet Shoqerore. Prandaj, pra, mbulimi i përfituesve është i lartë në Shqipëri, por e njëjta gjë nuk është e vërtetë për mbulimin e kontribuesve pasi vetëm përafërsisht. 60 për qind e fuqisë punëtore aktualisht kontribuon në skemën e pensioneve. Kjo mund të paraqesë sfida që lidhen me qëndrueshmërinë e skemës, sepse kontributet që mblidhen përdoren për të paguar pensionistët. Duke qenë se çdo deficit financohet nga qeveria, një rritje e deficitit nënkupton më pak të ardhura për prioritetet e tjera të shpenzimeve të qeverisë për zhvillimin njerëzor. Rritja e mbulimit të kontribuesve është e rëndësishme jo vetëm për të siguruar fluks të mjaftueshëm parash në periudhën afatshkurtër, por edhe për të siguruar që brezat e rinj në Shqipëri të marrin pensione të përshtatshme në të ardhmen.

Sfida e dytë lidhet me atë se sa të përshtatshme janë përfitimet, veçanërisht për pensionistët e rinj. Të dhënat kanë treguar një rënie të vazhdueshme të viteve të punës midis pensionistëve të rinj p.sh., ata që dolën në pension në 2012 kishin mesatarisht 33 vite kontribute, por pensionistët e rinj në 2022 kishin vetëm rreth 27 vjet kontribute, pavarësisht gjatë kësaj periudhe mosha e pensionit është rritur. Vite më të pakëta kontributi sjellin përfitime më të ulëta për pensionistët e rinj. Në mënyrë të ngjashme, ndërsa gjithnjë e më shumë individë (veçanërisht të vetëpunësuar) kontribuojnë me paga minimale, përfitimet mesatare të pensionit gjithashtu do të jenë më të ulëta. Këto janë shembuj klasikë se si ndryshimet në tregun e punës ose nënraportimi i pagave mund të ndikojnë në rezultatet e pensioneve.

Sfida e tretë, e cila shpesh nënvleftësohet, por është jashtëzakonisht e rëndësishme për të siguruar integritetin e sistemit të pensioneve, është drejtësia e sistemit. Skemat e sigurimeve shoqërore, sikurse janë hartuar, kanë disa elemente rishpërndarëse (p.sh. pensionet minimale) në mënyrë që ata që janë më vulnerabël të mbrohen. Megjithatë, sistemet duhet të vendosin një ekuilibër midis objektivave të rishpërndarjes dhe mbajtjes së nxitjes për të kontribuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të kujdesshme. Duke ecur përpara dhe duke u mbështetur në reformat e 2015-ës, do të jetë e dobishme të fokusohemi në përmirësimin e këtij aspekti të drejtësisë brenda të njëjtit brez dhe midis brezave, dhe ta bëjmë këtë pa përkeqësuar ndjeshëm qëndrueshmërinë e sistemit. Edukimi dhe komunikimi mbi pensionet është një fushë tjetër ku duhet fokusuar në mënyrë që individët të mund të vlerësojnë përfitimet e tyre dhe të kuptojnë se këto përfitime do të jenë më të larta sa më shumë vite kontribuojnë dhe sa më i lartë të jetë ky kontribut.

Gazetarja: Aktualisht Banka Botërore po bashkëpunon me Shqipërinë për një skemë të re pensionesh, cilat janë rekomandimet kryesore që keni bërë?

Salinas: Banka Botërore po punon me Institutin e Sigurimeve Shoqërore (ISSH) dhe Ministrinë e Financave për të vlerësuar mbulimin, përshtatshmërinë, qëndrueshmërinë dhe drejtësinë e skemes aktuale të pensioneve dhe për t'u ofruar politikëbërësve projeksionet e skenarëve të reformave alternative. Ne jemi duke punuar për një qasje shumëpalëshe për diskutimin, duke përfshirë edhe diskutimet me FMN-në. Rekomandimet tona së shpejti do të vihen në dispozicion si pjesë e një raporti që shqyrton jo vetëm pensionet, por edhe aspekte të tjera të financave publike.

Gazetarja: A keni përfshirë në rekomandimet tuaja, edhe ndryshim të viteve të nevojshme të punës për të përfituar pension, rritje të pensionit apo ndryshim të skemës së indeksimit vjetor të tij?

Salinas: Banka Botërore në analizën që po i bën sistemit të pensioneve po vlerëson situatën aktuale dhe një sërë opsione reformash, si dhe kombinimin e tyre, duke marrë parasysh ndikimin në tregun e punës dhe përballueshmërinë. Shumë nga sfidat e perceptuara të sistemit të pensioneve rrjedhin nga struktura e tregut të punës në Shqipëri dhe tendencat globale – të tilla si plakja, përhapja në rritje e punësimit jostandard dhe migrimi – ndaj të cilave Shqipëria nuk është imune, ndaj do të nevojiten iniciativa plotësuese për të siguruar qëndrueshmërinë e sistemit të pensioneve për të gjithë shqiptarët.

Gazetarja: Nëse rekomandimet tuaja pranohen dhe bëhen pjesë e skemës së re, cilat do të jenë përfitimet që do të kenë qytetarët?

Salinas: Ekipi i Bankës Botërore do t'i ofrojë Qeverisë së Shqipërisë një sërë opsionesh për t'i shqyrtuar, bazuar në vlerësimin aktual dhe për të rritur mbulimin, përshtatshmërinë, qëndrueshmërinë dhe drejtësinë e sistemit të pensioneve. Analiza merr parasysh sfidat e reja demografike dhe social-ekonomike, por edhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria.

Gazetarja: Numri mesatar i të punësuarve në Shqipëri sipas të dhënave të INSTAT, në fund të shtatorit 2023 ishte rreth 1.3 milionë, ndërsa kontributet janë paguar vetëm rreth 800 mijë punonjës. Si e komentoni këtë situatë?

Salinas: Siç e thashë edhe më parë, shifrat tregojnë një sfidë kyçe të sistemit të pensioneve me rreth 40 përqind të individëve të punësuar që nuk kontribuojnë në sistem. Të dhënat e kontribuesve që nga viti 2022 sugjerojnë gjithashtu se vitet e fundit, mbulimi midis të vetëpunësuarve ruralë ka rënë. Ka shumë arsye që mund të shkaktojnë në këtë mbulim relativisht të ulët të kontribuesve, p.sh. punësimi i vazhdueshëm informal dhe rritja e formave të tjera të punësimit jostandard; hezitimi për të kontribuar si i vetëpunësuar nëse individët mendojnë se nuk ka gjasa të plotësojnë 15 vitet e nevojshme për t'u kualifikuar për pension. Ka të ngjarë të ketë disa të vetëpunësuar (në zona rurale ose urbane) që kanë të ardhura të qëndrueshme, por nuk kontribuojnë sepse nuk shohin përfitimin e kontributit për sigurimet shoqërore.

Gazetarja: Sa e dëmton informalitetit dhe mos deklarimi real skemën e pensioneve dhe situatën ekonomike të pensionistëve në këndvështrimin tuaj?

Salinas: Në kuadrin e sistemit të pensioneve, informaliteti paraqet dy sfida kryesore. Nga njëra anë, qeveria nuk mund të varet nga të ardhurat prej pagave që të mbështetin skemën e pensioneve. Në vendet me informalitet të lartë, por me mbulim të lartë të përfituesve (si Shqipëria), shpesh ekziston presioni për të rritur normat e kontributeve ose për të kufizuar rritjen e përfitimeve për të mbajtur në një hap me rritjen e kostos së pensioneve. Nga ana tjetër, përdorimi i listës së pagave ose punësimit formal si kriter për marrjen e pensionit do të përjashtonte një pjesë të konsiderueshme të popullsisë nga përfitimi i  pensionit në të ardhmen, dhe shpenzimet për pensionet sociale do të rriteshin pasi më shumë njerëz do të kualifikoheshin për të. Në planin individual, atyre që punojnë në sektorin informal, ora që nuk kontribuojnë në sistemin e pensioneve do t'u mungojë siguria e të ardhurave kur të dalin në pension. Ndërlidhja e pensioneve me tregun e punës, kufizimet fiskale, ceshtjet gjinore etj. e bëjnë të rëndësishme që të shikohet skema e pensioneve (pensionet e detyrueshme, vullnetare, sociale) në tërësi dhe të identifikohen opsionet e politikave që balancojnë qëndrueshmërinë, përshtatshmërinë, drejtësinë dhe objektivat e mbulimit, duke përdorur instrumente të ndryshme në dispozicion të politikëbërësve.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?