Dosje

Ekskluzive në ‘Esencë’/ Artisti Lulzim Beqiri: Babanë e takova pas 40 vitesh për herë të parë, por edhe pikturat i gjeta pas 46 vitesh!

16 Maj, 22:33| Përditesimi: 16 Maj, 22:44

  • Share

Pas shumë vitesh, Lulzim Beqiri mori përsëri dy nga pikturat e tij të humbura dhe emocionet që përjetoi ishin të përziera.

Fillimisht nuk mund ta kuptonte se kur dhe si i kishte realizuar ato, por më pas, duke lexuar dosjen dhe të shkuarën e tij, e rinjohu arsyen modeste të atyre viteve të mbushura me dashuri dhe trishtim.

Rikthimi i veprave i hapi rrugën për të realizuar ekspozitën e tij të parë.

Gazetarja Blerina Gjoka, e cila shkroi skenarin e dokumentarit mbi jetën e tij, tregon se gjithçka nisi kur u njoh me arkivistin Astrit Jegeni, i cili i tregoi për dy piktura që kishte ruajtur në shtëpi prej dekadash. Jegeni, që prej vitit 1992, ishte përpjekur të gjente autorin e atyre pikturave, duke ditur vetëm inicilet L.B.

Pasi arriti të gjente numrin e telefonit të Lulzim Beqirit, Blerina organizoi takimin mes tyre, i cili u filmua dhe shënoi fillimin e një miqësie të re. Ndërkohë, Beqiri, që prej kohësh nuk pikturonte më, ka rifilluar të krijojë. Flasin me Eljan Taninin, Blerina Gjoka, gazetare, Lulzim Beqiri, artist. Esencë, çdo të premte, ora 21:00 në Report Tv.

Eljan Tanini: -Gazetarja Blerina Gjoka rrëfen historinë e ndjeshme dhe të dhimbshme të Lulzim Beqirit, i cili takoi për herë të parë babain pas 40 vitesh, ndërsa pikturat e tij të humbura i gjeti pas 46 vitesh, falë një telefonate miqësore nga vetë ajo. Si është kjo histori arti shqiptare me dhimbje?

Blerina Gjoka: -Astrit Jegeni, historian dhe arkivist i njohur, kishte ruajtur në shtëpinë e tij për më shumë se 30 vjet dy piktura të firmosura nga Lulzim Beqiri. Ai kishte bërë përpjekje për vite me radhë që të gjente autorin e tyre, por pa rezultat. E kishte për amanet që ato vepra t’i riktheheshin autorit, pasi mbartnin një vlerë të jashtëzakonshme shpirtërore. I premtova Astrit Jegenit se do ta gjeja Lulzimin. Dhe e gjeta.

Së bashku me regjisorin Elton Baxhaku, realizuam një dokumentar për jetën e tij. Ishte një nder për ne të sillnim në dritë historinë e një artisti që, si shumë të tjerë gjatë diktaturës, jo vetëm që u burgos, por nuk iu kthyen kurrë veprat. Astrit Jegeni është gjithashtu personi që hapi dhe pa për herë të parë dosjen e Mehmet Shehut.

Ndërkohë, piktori dhe karikaturisti i njohur Bujar Kapexhiu ka vlerësuar në mënyrë të veçantë veprën e Lulzim Beqirit. Një ndër veprat më të ndjera të tij është "Piktura e Nënës", e realizuar përmes një fotografie të vogël gjatë qëndrimit në burg, në një proces krijimi që zgjati 8 muaj. Lulzim Beqiri është një talent që u dëmtua padrejtësisht nga sistemi dhe mungesa e lirisë.

Eljan Tanini: -Si e shihni sot procesin e muzealizimit të së shkuarës sonë moniste?

Blerina Gjoka: -Sot ekziston një etje reale për të njohur dhe dokumentuar më shumë mbi të kaluarën tonë diktatoriale, njësoj siç ekziston një etje për drejtësi. Rinia duhet të mësojë më shumë për sistemet autoritare dhe pasojat e tyre. Historia e Lulzim Beqirit është një rrëfim i një jete plot vuajtje, që buron edhe nga fakti se nuk njohu kurrë të atin. Takimi me të ndodhi pas më shumë se 40 vitesh, një ngjarje që ndodhi falë hapjes së kufijve.

Jemi shumë të vonuar në dokumentimin e këtyre dëshmive. Më është dashur të përballem me raste kur personazhet kanë ndërruar jetë përpara se të publikohej dokumentari mbi jetën e tyre. Kjo është një humbje e dyfishtë — për historinë dhe për kujtesën kolektive.

Intervistë me artistin dhe piktorin Lulzim Beqiri në studion e tij:

Eljan Tanini: -Cila është historia e jetës suaj mes artit dhe dhimbjes për të qenë ai që gjithmonë keni dashur të jeni?

Lulzim Beqiri: -Gjatë regjimit komunist, kurrë nuk kam mundur të festoj datëlindjen më 7 prill. Babai im, kur unë isha vetëm disa muajsh, u arratis nga Shqipëria në moshën 20-vjeçare. Ai na shkruante, na dërgonte fotografi, madje edhe me familjen e tij të re.

Nuk e kisha parë kurrë. Takimi ynë i parë ndodhi në Australi. Ai më bleu biletën, dhe kur mbërrita atje, më pritën shumë shqiptarë. Edhe bashkëshortja e tij më priti me shumë dashuri. Qëndrova rreth 6 muaj. Kur më pa për herë të parë, babai mbeti pa fjalë. Kishte ende frikë nga regjimi. Në vitin 1994, ai erdhi në Shqipëri. Nëna ime nuk doli ta priste në aeroport. Takimi i tyre ishte i ftohtë dhe i frikshëm. Unë nuk dija se me kë të bëhesha palë.

Historia ime nis që nga lindja, e vazhdon deri në ditën që përfundova në burg. Babai vinte e ikte, tashmë në kohën e demokracisë. Kam një motër australiane, e cila është shumë e dashur dhe përkujdeset për ne. Një nga veprat më të rëndësishme që kam realizuar është “Pema e Dashurisë”, e krijuar në vitin 1976.

Në dhjetor të vitit 2022, mora një telefonatë nga gazetarja Blerina Gjoka. Donte të më bënte një surprizë. Falë ndërmjetësimit të saj dhe Astrit Jegenit, pikturat e mia të humbura për 46 vite më në fund u rikthyen. Kjo surprizë… nuk do të më shkonte kurrë në mendje. Në këtë rrëfim të thellë njerëzor, historia personale ndërthuret me fatin e një brezi të tërë artistësh të shtypur nga liria e për të bërë art, e që ende ruajnë një shpirt të gjallë, kujtesë të kthjellët dhe një dashuri të palëkundur për artin dhe jetën.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Samiti europian, besoni se do forcojë rolin ndërkombëtar të Shqipërisë?