Dosje

Ekskluzive në Report Tv/ Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë, si u krijua nga italianët në vitin 1936 dhe si vazhdon të punojë ende sot!

22 Qershor, 21:50| Përditesimi: 22 Qershor, 22:11

  • Share

Zanafilla, e krijuan italianët në vitin 1936.

Vazhdimi, gjatë sistemit monist u zgjerua dhe u modernizua me rol të madh në industrinë e naftës shqiptare.

Në fillim të viteve 90, përjetoi sfida të mëdha, arriti të përshtatet megjithëse e dërrmuar gati si çdo gjë në ato vite! Sot, vazhdon ende të punojë ku mbush gati një shekull punë!

Historia e Uzinës Mekanike të Naftës në Kuçovë, uzina me jetën më të gjatë në Shqipëri! Eljan Tanini bisedoi me: Petrika Shtrepin, kryeinxhinier i uzinës, Jani Kurizon, ish-inxhinier mekanik, Astrit Dokajn, përgjegjës reparti i Sektorit Numër 2. Cikli i reportazheve ‘Amarcord’ shfaqet të dielave mbrëma, ora 21:00, në Report Tv.

Kuçova nuk është një qytet, është një kapitull i hapur i historisë së punës shqiptare. E ngritur mbi naftë, djersë dhe ëndrra të përbashkëta, kjo zonë mbart brenda saj një nga monumentet më të gjalla të kujtesës industriale Shqiptare: UZINA MEKANIKE E NAFTËS.

E themeluar nga italianët më 1936 dhe më pas e rritur si fëmijë ideologjik i socializmit të Enver Hoxhës, ajo u kthye në truallin ku shteti prodhonte motorë dhe pjesë këmbyese me krenari.

Sot kjo uzinë fisnike nuk është pjesë e kolanës së arkeologjisë industriale shqiptare, vazhdon të punojë, vazhdon të mbështesë industrinë e naftës dhe të tjera prodhime shtetërore shqiptare. Emisioni “Amarcord” kthehet mes tullave të gërryera dhe gjurmëve të vajit për të folur me ata që e shndërruan këtë hapësirë në zemër që rrihte për Shqipërinë.

Jani Kurizo ish mekanik foli me shumë nostalgji në lidhje me punën e tij gjysmë shekullore në këtë uzinë gati 100 vjeçare: 

"-Kjo uzinë s’kishte vetëm bulona e çelik. Kishte dashuri. Dashuria lindte në turnet e natës, në ndarjen e një cigareje apo të një lugë supe. Dhe në çdo motor që montoja, ndihesha sikur bëja pjesë në një orkestër që i binte një simfonie që s’do mbaronte kurrë. Nga kjo uzinë unë kam mbajtur deri vonë familjen time. Këtu hyje me mëdyshje për jetën dhe dilje njeri. Në vitin 1997 unë dhe shokët e mi, madje edhe gratë, e kemi mbrojtur uzinën me armë"

Petrika Shtrepi sot kryeinxhinier i uzinës dhe matës i thelluar i detajeve, njohës i të gjitha segmenteve të saj, teksa na shoqëron ne vendet e uzinës dhe ne arkivin e saj, tregon:

"-Teknikët më të mirë dilnin nga këtu. Uzina Mekanike e Naftës në Kuçovë është nëna e të gjithë industrisë shqiptare të para viteve 90. Kishim makina italiane, por mendje shqiptare. Patëm edhe makineri lindore, ruse, kineze dhe europiane, nga ato bëmë më të mirën për këtë vend. Po të mos kishte ardhur 90-ta, sot do të ishim ‘Ferrari i Shqipërisë’. E ndoshta, edhe më shumë. Sepse kishim pasion dhe sens sakrifice që s’e mëson dot në universitete. Edhe rusët kur erdhën këtu janë habitur. Sot unë ende për këto makineri dhe për këtë punë këshillohem me literaturën ruse që kemi në bibliotekë dhe në arkivë. Ky vend, kjo industri nuk të lë kurrë në baltë megjithëse sot janë rreth 100 punonjës që punojnë ende sot këtu. "

Fakte historike që s’duhen harruar: 

- Uzina Mekanike e Kuçovës u ndërtua nga inxhinierët italianë si pjesë e kolonisë së naftës në vitet ’30. 

- Gjatë komunizmit, prodhonte pjesë për naftë, makineri për miniera dhe u shndërrua në qendër të zhvillimit teknik shtetëror. 

- Deri në fund të viteve 80, punonin mbi 900 specialistë. 

- Kishte shkollë teknike, mjedise sociale, biblioteka dhe vatër kulture nga një qytet brenda qytetit.

Më duhet të bëj një reflektim të heshtur! Eljan Tanini:

"Kjo është historia e një vendi që nuk kërkonte të ishte modern, por të ishte i nevojshëm. Dashuria për punën, për kolektivin, për një dritare që hapej çdo mëngjes me zhurmën e makinerive, ishte realiteti që sot ka heshtur por që e mban ende ritmin. Sot, uzina është vetëm një relike ku puna vazhdon. Por kujtimet janë më të gjalla se kurrë. Sepse çdo burrë që ka lidhur një bulon, çdo grua që ka hedhur vaj në një motor, ka qenë një poete e heshtur i këtij vendi e që ka mbajtur familjen me këtë uzinë. Është e çuditshme, madje duket më shumë poetike që në Shqipërinë e ditëve tona të vazhdojë e të jetojë një Uzinë Mekanike e krijuar në vitin 1936 ku në një kohë me etje për të prishur dhe shkatërruar çdo gjë që na la sistemi i para viteve 90, ta hidhnim në erë për interesat tona".

Amarcord, Kuçovë Qershor 2025

A.Q/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria mbështet SHBA-në pas sulmit ndaj Iranit, si e vlerësoni?