Ekonomi
Sociale

Ekskluzive/ Nga 2026-ta s'ka më çek për bebin, qeveria me skemë të re! Pagesë nga 5-10 mijë lekë çdo muaj deri në moshën 5 vjeç

27 Korrik, 15:38| Përditesimi: 27 Korrik, 16:22

  • Share

“Nga viti i ardhshëm nuk do jetë një çek në maternitetin e lindjes, por një mbështetje financiare çdo muaj sipas numrit të fëmijëve”, tha Rama më 7 maj 2025, teksa zhvillonte fushatën elektorale.

Pas 6 vitesh në fuqi të skemës së bonusit të bebes që dhuron çekun menjëherë pas lindjes në varësi të numrit të fëmijëve, qeveria ka gati skemën e re për shpërblimin e lindshmërisë.

Report TV mëson se mbështetja financiare nga 1 janario 2026 nuk do të jetë vetëm një pageë në moment kur fëmija lind, por pagesë mujore nga 0 deri në 5 vjeç, shifra e së cilës rritet nga fëmija i parë te treti e në vijim.

Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, (300 mijë në 5 vite) nga 40 mijë lekë në total që është çeku aktual. Për fëmijën e dytë skema e re parashikon pagesë 7 mijë lekë në muaj deri në moshën 5 vjeçare ose 84 mijë lekë në vit, nga 80 mijë lekë që është pagesa aktualisht. Ndërsa për fëmijën e tretë pagesa mujore do të jetë 10 mijë lekë, ose 120 mijë lekë në vit ose 600 mijë lekë për 5 vitet e para të bebes. Kurse bonusi sot për beben e tretë është 120 mijë lekë.

Ndryshimi i skemës bëhet për të stimuluar rritjen e lindjeve, pasi treguesit demografikë në vend janë në trend negativ. Çdo vit po regjistrohen më pak lindje referuar shifrave zyrtare. Kështu në tremujorin e parë të këtij viti erdhën në jetë 4.662 bebe, nga 5.428 bebe të lindura në të njëjtën periudhë vjet.

Nga rënia e lindshmërisë buxheti i shtetit ka kursyer para, pasi në gjashtëmujorin e parë janë shpenzuar 500 milionë lekë për bonusin e bebeve nga 900 milionë lekë në të njëjtën periudhë vjet.

Rënia e lindjeve e shoqëruar me emigrim po dëmton ekonominë e vendit, pasi mungon fuqia punëtore dhe nga ana tjetër mosha mesatare e vendit po rritet me ritme të shpejta.

SKEMA E RE BONUSIT TË BEBES
                           Është                      Bëhet
Fëmija 1      40 mijë lekë          5,000 lekë/muaj
Fëmija 2      80 mijë lekë          7,000 lekë/muaj
Fëmija 3     120 mijë lekë       10,000 lekë/muaj
 
LINDJET NË SHQIPËRI
Janar-Mars 2024      5.428 bebe
Janar-Mars 2025      4.662 bebe
Diferenca                   -766 bebe
 
SHPENZIME PËR BONUSIN E LINDJEVE
Janar-Qershor 2024         900 mln lekë
Janar-Qershor 2025         500 mln lekë
Diferenca                        -400 mln lekë

K.T./SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Prindi 3 femijeve: 27/07/2025 17:19

    Po per ne qe kemi 3 femije te vegjel, do kemi perfitim?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?