Artur Selmani

Ekskluzive/ Një prokuror i varur nga bixhozi ndan Kolegjin e Apelimit, gjyqtarët pro dhe kundra vesit të kumarit, në fund magjistrati shkarkohet

16 Dhjetor 2019, 09:53| Përditesimi: 16 Dhjetor 2019, 09:59

  • Share

Në 11 nëntor të 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (shkalla e parë e Vetingut) vendosi të shkarkonte nga detyra prokurorin në Prokurorinë e Përgjithshme, Artur Selmani, për mosjustifikim të pasurisë me të ardhura të ligjshme. Për shkarkimin e tij, trupa gjykuese e përbërë nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja mori parasysh edhe një ‘ves’ të prokurorit, atë të përfshirjes në bixhoz, ku gjatë viteve 2006, 2007 dhe 2008, deklaroi rreth 10 mijë USD të ardhura nga lotaritë sportive. Sipas KPK, kjo sjellje ka cenuar figurën dhe integritetin e prokurorit. Artur Selmani kërkoi rrëzimin e këtij vendimi në Kolegjin e Apelimit. Në 14 tetor 2019, Kolegji vendosi të lërë në fuqi vendimin e KPK, duke vulosur kësisoj shkarkimin e prokurorit Selmani. Por, trupa gjyqësore e Kolegjit të Apelimit, e përbërë Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Ardian Hajdari, Luan Daci dhe Rezarta Schuetz është ndarë sa i takon kolizionit të KPK se përfshirja e prokurorit në bixhoz ka cenuar besimin e publikut. 

Nga vendimi i Kolegjit të Apelimit i siguruar nga Shqiptarja.com rezulton se anëtarët e trupit gjykues Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Luan Daci kanë rrëzuar konkluzionin  e shkallës së parë të Vetingut sipas të cilit, subjekti i rivlerësimit, duke marrë pjesë në lojërat e fatit, në vitet 2006-2008, ka cenuar figurën dhe integritetin e tij, duke ulur shkallën e besueshmërisë te publiku. Sipas tre gjyqtarëve prokurori është penduar për këtë dhe se gjatë 10 viteve të fundit nuk ka luajtur më bixhoz. Por, tre gjyqtarët i kanë konsideruar si të ardhura të pajustifikuara 10 mijë USD që prokurori i ka fituar në bixhoz. “Gjatë procesit të rivlerësimit nuk u provua që subjekti i rivlerësimit të kishte vazhduar përfshirjen e tij në lotari sportive për një periudhë të paktën 10-vjeçare, madje subjekti i rivlerësimit ka shprehur si në përgjigjet ndaj rezultateve të hetimit, si në seancë dëgjimore, në përgjigje të pyetjes së vëzhgueses ndërkombëtare dhe në ankim, një pendesë të dukshme për këto veprime të tij (pjesëmarrje në lotari sportive), që në fakt sipas tij janë ndërprerë përpara shumë viteve, duke deklaruar madje se ai është shkëputur nga kjo veprimtari dhe se ndihet i keqardhur që ka qenë pjesë e saj”, thuhet në vendim. 

Por, një mendim të ndryshëm kanë shprehur anëtaret e trupit gjykues Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj, sipas të cilave edhe pse prokurori e ka pranuar në parim se fenomeni i bixhozit  ka potencial të reflektojë negativisht mbi perceptimin që ka publiku ndaj prokurorit, ky i fundit kundërshton këtë konstatim të KPK. Po ashtu, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj theksojnë se kuadri ligjor që rregullon sjelljen e prokurorëve ka parashikuar vazhdimisht sanksione për sjellje të cilat kanë potencial të cenojnë figurën e prokurorit. “Në dritë të sa më sipër, pretendimi i subjektit të rivlerësimit se vetëm gjatë procesit të rivlerësimit është ndërgjegjësuar të shohë sjelljen e tij të mëparshme në kuadër të këndvështrimit të publikut, është vështirë të pranohet. Si prokuror me përvojë që ka shërbyer në institucionet më të larta të prokurorisë së Republikës së Shqipërisë, subjektit i binte barrë të analizonte gjithë sjelljet e tij në punë dhe jashtë saj, në funksion të pasojave që kishte sjellja e tij në perceptimin e publikut, dhe të vepronte në përputhje me standardet profesionale që priten nga një funksionar i nivelit dhe profilit të tij të punës”, thuhet në mendimi paralel të dy gjyqtareve. 

Në përmbyllje të vlerësimit të tyre, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj kanë pohuar se “frekuentimi i ambienteve të lojërave të fatit nga subjekti i rivlerësimit, është sjellje që ndikon negativisht në perceptimin e publikut për figurën e një magjistrati. Në këtë vlerësim, duke pasur parasysh edhe konceptin e shtjelluar nga Komentari i Bangalores që “[…] ligjshmëria e sjelljes, megjithëse ka peshë, nuk përbën gjithçka në vlerësimin e përshtatshmërisë së sjelljes [...]” dhe faktin që lojërat e fatit janë një aktivitet me peshë financiare të konsiderueshme, vlerësojmë se frekuentimi disavjeçar i këtyre ambienteve nga ana e subjektit, si një funksionar publik me të ardhurat që sjell ky pozicion, përbën një sjellje që në këndvështrimin e një vëzhguesi të arsyeshëm ndikon negativisht në perceptimin e gjithë profesionit. Për këtë arsye, çmojmë se ka qenë i drejtë konkluzioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për këtë aspekt të rivlerësimit të subjektit Artur Selmani”.



Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit

Komento

Komente

  • O tej: 16/12/2019 12:21

    Pirdhni pirdhni se liroheni rrnofte Birisha qe bani drejtesi me shurrane plepash

    Përgjigju
    • Berti: 16/12/2019 15:07

      Nuk eshte jurist plepash ky o tej dhe nuk ka lidhje fare po fare me Birishen. Arturi eshte nga profesionistet me te mire qe ka shqiperia dhe i paperlyer ne pazare, i diplomuar jurist dhe prokuror para viteve '90. E dogji kandidimi qe beri per kryeprokuror, se Ulsiu kishte zgjedhur Arteh prej lecke, rihapja e dosjes se Bashes per Rrugen e Kombit, paanshmeria politike dhe gafa e bixhozit. Per bixhozin nuk ja ka fajin njeri, ndersa per te tjerat eshte krim ti biesh ne qafe.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?