Ekskluzive/ Plani amerikan me 20 pika për uljen e ‘malit’ të dosjeve në Gjykatën e Lartë, ekipi që do të seleksionojë 35 mijë çështje

27 Qershor 2020, 16:18| Përditesimi: 27 Qershor 2020, 17:47

  • Share

Largimi i pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë nga frika e përballjes me Vetingun si dhe shkarkimi i të tjerëve për fshehje pasurie, me përjashtim të Ardian Dvoranit, ka rritur stokun e dosjeve që presin të gjykohen, duke e çuar numrin e dosjeve në rreth 35 mijë. Në këto kushte, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nënshkruar një memorandum me Agjencinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për të ulur numrin e dosjeve stok që presin të gjykohen. Shqiptarja.com zbardh 20 pikat e planit të USAID, për të ndihmuar autoritetet shqiptare për uljen e dosjeve.

USAID do të bëjë përshkrimin e punës si dhe do të rekrutojë në bashkëpunim me KLGJ personat që do të bëhen pjesë e ekipit, i cili do të seleksionojë dosjet që duhet të shqyrtohen me prioritet nga trupa gjykuese të Gjykatës së Lartë. Ekipi do të kryejë edhe detyra të tjera administrative, duke asistuar ndihmësit e gjyqtarëve.

USAID do të lidhë kontratat e punës me individët që do të caktohen në ekipin për uljen e numrit të dosjeve, si  dhe nga një marrëveshje konfidenciale me secilin prej tyre. Gjithashtu, USAID do t’u ofrojë punonjësve të ekipit nga një laptop që të lidhen në rrjet, ndërsa do të zhvillojë takime të rregullta me punonjësit e ekipit për të monitoruar performancën e tyre dhe për të marrë masat e nevojshme.

Një nga pikat e planit parashikon që USAID do të punojë me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë për të përcaktuar një plan pune për llojet e çështjeve në Gjykatën e Lartë, për të përcaktuar dosjet që kërkojnë një trajtim të menjëhershëm. Gjithashtu, USAID, në bashkëpunim me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë do të zhvillojë një plan për trajnimin e ekipit që do merret me dosjet, do përcaktojë hierarkinë e mbikëqyrjes së ekipit, do bashkëorganizojë dhe të ofrojë mbështetje logjistike për të mbledhjet që do të zhvillohen etj. Marrëveshja parashikohet të zgjasë 210 muaj, por palët mund ta zgjasin me shkrim.

20 pikat e planit të USAID

1. USAID do marrë pjesë në veprimtarinë e komisionit të përkohshëm për ngritur nga KLGJ për hartimin e planit të veprimit për reduktimin e dosjeve.

2. USAID do asistojë në hartimin e përshkrimit të punës për pozicionin e nëpunësit për uljen e çështjet të prapambetura në Gjykatën e Lartë, pra uljen e dosjeve.

3. Në bashkëpunim me KLGJ, do të rekrutojë personat që do të punojnë për uljen e numrit të dosjeve.

4. USAID do të shqyrtojë kualifikimet e aplikantëve për t’u bërë pjesë e ekipit që do të punojnë për uljen e numrit të dosjeve.

5. Do të verifikojë referencat e kandidatëve t’u bërë pjesë e ekipit që do të punojnë për uljen e numrit të dosjeve.

6. Do lidhë kontratat e punës për individët që do të caktohen në ekipin për uljen e numrit të dosjeve.

7. Do t’u kërkojë individëve që do të caktohen në ekipin për uljen e numrit të dosjeve që të nënshkruajnë secili nga një marrëveshje konfidenciale si dhe t’u japë atyre nga një kopje e kodit të sjelljes.

8. Nëse KLGJ apo Gjykata e Lartë nuk u ofrojnë pajisje, USAID do t’u ofrojë punonjësve të ekipit nga një laptop që të lidhen në rrjet.

9. USAID do realizojë takime të rregullta dhe sipas nevojës nëpunësit e ekipit për uljen e numrit të dosjeve në Gjykatën e Lartë, për të monitoruar performancën e tyre dhe për të marrë masat e nevojshme.

10. USAID do të punojë me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë për të përcaktuar një plan pune për llojet e çështjeve, për të përcaktuar çështjet që kërkojnë trajtim të menjëhershëm.

11. USAID do të zhvillojë me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë një plan për trajnimin e nëpunësve të ekipit për uljen e numrit të dosjeve.

12. USAID do të caktojë së bashku me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë linjën e hierarkisë për mbikëqyrjen dhe menaxhimin e ekipit për uljen e numrit të dosjeve.

13. USAID do të vijojë të sigurojë mbështetjen e nevojshme teknike.

14. USAID do vazhdojë të bashkëpunojë me KLGJ, Gjykatën e Lartë dhe EURALIUS për të përfunduar vlerësimin e sistemit të integruar të menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe të përcaktojë ndryshimet e nevojshme.

15. USAID do të punojë në mënyrë mbështetëse, bashkëpunuese dhe profesionale me anëtarët e KLGJ dhe Gjykatës së Lartë.

16. USAID do të punojë me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë për zhvillimin e një plani të komunikimit të brendshëm, që të mbështesë zbatimin dhe monitorimin aktiv të të gjitha aktiviteteve për uljen e numrit të dosjeve.

17. Të bashkëorganizojë dhe të ofrojë mbështetje logjistike për të mbledhjet që do të zhvillohen për uljen e numrit të dosjeve.

18. Do të punojë me KLGJ dhe Gjykatën e Lartë për të përgatitur një fushatë ndërgjegjësimi publik për edukimin ligjor.

19. Të mbështesë KLGJ dhe Gjykatën e Lartë që të adresojë së bashku me Dhomën e Avokatisë, Avokaturën e Shtetit, Prokurorinë e Përgjithshme dhe institucionet e tjera, çështjen e uljes së numrit të dosjeve në Gjykatën e Lartë.

20. Të mbështesë KLGJ dhe Gjykatën e Lartë për të siguruar për të siguruar qëndrueshmërinë e kësaj nisme përtej kohëzgjatjes së memorandumit.

 

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tuti: 28/06/2020 09:15

    Kush do jene keta qe do perzgjedhe USAID ?? Individe pa veting. Pra qe mund te jene me te korruptuar se vete gjyqyaret. Avokate deshtake qe Kane bere vetem pazare ose individe me diplome juridiku ne xhep qe nuk I merr askush ne Pune.

    Përgjigju
  • Eddy: 27/06/2020 22:32

    Nuk i bie ne sy njeriu qe kjo eshte antikushtetuese???? Nuk ndodh ne asnje vend te botes se trete qe sistemi gjyqesor te drejtohet nga nje OJQ si usaid. Turp e faqja e zeze si e katandiset sistemin

    Përgjigju
  • Usa: 27/06/2020 16:46

    Shkurt muhabeti, gjyqsori do drejtohet nga Amerikanet. Jo se Shqiperia i duhet shume Amerikes, por kjo behet ne shume shtete te dobeta, ne menyre qe USA ta kete shumicen e vendeve te botes ne dore

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?