Foto ilustruese

Ekskluzive/ Propozimi i BE: ILDKP të marrë kompetenca policore për pasuritë e korrupsionit (Drafti)

12 Janar 2019, 07:45| Përditesimi: 12 Janar 2019, 10:25

  • Share

EURALIUS, misioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, i cili asiston autoritetet shqiptare për zbatimin e reformës në drejtësi, ka propozuar që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive të marrë kompetenca të ngjashme me ato të policisë gjyqësore, për hetimin e pasurive të pajustifikuara apo të fshehura të zyrtarëve shqiptarë. Propozimi është bërë në kuadër të ndryshimeve të fundit në ligjin për nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive..., miratuar në fund të vitit të kaluar dhe botuar në Fletoren Zyrtare disa ditë më parë. Propozimi i misionit EURALIUS reflektohet në një raport të Komisionit të Ligjeve mbi ndryshimet e miratuara nga Parlamenti.

“Komisioni për Çështjet Ligjore mund të marrë në konsideratë dhe dhënien e kompetencave ILDKP-së për të kryer “hetime të ngjashme të policisë gjyqësore”, pa u mbivendosur me kompetencat e parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Së fundi, Komisioni të shqyrtojë mundësinë për të propozuar amendamente, të cilat forcojnë më tej koordinimin / bashkëpunimin ndërmjet subjekteve publike dhe private për mbledhjen dhe analizimin e informacionit në lidhje me fshehjen e pasurive dhe interesave private”, thuhet në propozimin e EURALIUS.

Gjithashtu, EURALIUS ka kërkuar që të reflektoheshin në ndryshimet që po i bëheshin ligjit edhe disa çështje të ngritura nga organizatat ndërkombëtar për gjurmimin e pasurive të paligjshme të pushtetarëve shqiptarë. “Projektligji përfshin vetëm ndryshime, të mirëpritura nga EURALIUS dhe Projekti Antikorrupsion i Binjakëzimit të BE-së, me qëllim të zgjidhjes së disa problemeve në standardet e teknikës legjislative, në organizimin e procedurës së kontrollit dhe në lidhje me bërjen efektiv sa më shpejt të sistemit elektronik të deklarimit të pasurisë. Pavarësisht nga sa më sipër, Komisioni për Çështjet Ligjore duhet të marrë në konsideratë edhe çështje të tjera të ngritura në raportet e mëparshme të organizatave ndërkombëtare si GRECO, Raportet e Progresit të BE-së, Money Val-it, lidhur me ligjin nr. 9049, dhe të adresojë problemet përkatëse”, ka propozuar EURALIUS.

Kompetencat e Inspektoratit nuk ndryshojnë
Nga verifikimi i ndryshimeve në ligjin për nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive..., të botuara në Fletoren Zyrtare, rezulton se propozimi i EURALIUS nuk është reflektuar. Neni 17 i këtij ligji përcakton kompetencat e Inspektoratit të Lartë. Sipas variantit të ndryshuar Inspektorati i Lartë mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative. Mbledhja e të dhënave bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale, si dhe me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar. Megjithatë, përmbajtja e këtij neni nuk ka ndryshuar. Neni që ishte në fuqi parashikon që mbledh të dhëna, kryen hetime dhe kërkime administrative rreth deklarimeve të personave që kanë detyrimin për deklarim, sipas këtij ligji, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative. Mbledhja e të dhënave bëhet në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, dhe me legjislacionin në fuqi për informacionin e klasifikuar.

Ndryshimi, si do deklarohet pasuria
Ligji ndryshon mënyrën e deklarimit të pasurisë. Tashmë pasuria duhet të deklaruar në mënyrë elektronike, ndërsa dosjet e pasurive do të publikohen online. Ligji parashikon që të gjitha subjektet e ligjit dhe personat e tjerë të lidhur, që mbartin detyrim për deklarim, detyrohen të plotësojnë deklaratën e tyre në formë elektronike me mjetet e komunikimit elektronik, të vëna në dispozicion nga Inspektorati i Lartë dhe ta paraqesin personalisht, në formë shkresore, të mbyllur në zarf në strukturat përkatëse të institucioneve, brenda afateve të përcaktuara në këtë ligj për të gjitha llojet e deklarimit.

Po ashtu, ligji krijon mundësinë që inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm, t’i adresojnë kërkesë bankave të nivelit të dytë dhe subjekteve të tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, për të marrë të dhëna lidhur me depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim. Ndryshimi i parashikuar i hap rrugë institucioneve private për të mos pasur asnjë pengesë ligjore lidhur me komunikimin dhe ndërveprimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm për ushtrimin e kontrolleve ose hetimeve administrative.

Qëndrimet e ndërkombëtarëve dhe Kuvendit për ILDKPK

Raporti i Bashkimit Evropian
“Roli i ILDKPK-së në zbulimin e konflikteve të interesit dhe kontrollimit të deklaratave të pasurisë u forcua me miratimin e Ligjit për mbrojtjen e bilbilffryrëse dhe mbrojtjen e bilbilfryrësit dhe me zbatimin e Ligjit për procesin e rivlerësimit kalimtar. Kjo e fundit parashikon që gjyqtarët, prokurorët dhe këshilltarët ligjorë i nënshtrohen verifikimit. Numri i inspektorëve në HIDAACI u rrit nga 20 në 28.

Kapaciteti i tij administrativ, teknik dhe financiar duhet të forcohet më tej për të përballuar kontrollet e deklaratës së aseteve. Një sistem i deklarimit të aseteve online ende nuk është krijuar”.

Raporti i GRECO-s
“Rekomandimi është përmbushur në mënyrë të kënaqshme nga Shqipëria.… Gjithsesi mbetet akoma punë për tu bërë për sa i përket krijimit të sistemit online ku do të lejohet hedhja dhe menaxhimi elektronik i këtyre të dhënave. Që e konsideron të përmbushur komplet pasi ndryshimet në ligjin “"Për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe disa punonjësve publikë" intervali për kryerjen e kontrollit të plotë të deklaratave të pasurive të deputetëve është reduktuar në dy vjet. Ndërsa për sa i përket rekomandimit të dytë për rritjen e bashkëpunimit mes ILDPKI dhe institucioneve të tjera shtetërore shprehet se është realizuar në mënyrë të kënaqshme”.

Rekomandimi i Kuvendit
“Vazhdimin e ndjekjes së një politike të hapur me qytetarët, median dhe shoqërinë civile. Forcimin e mëtejshëm të urave të bashkëpunimit me median investigative. Respektimi i mekanizmave informues ligjorë e publikë, duke respektuar ligjin për të drejtën e informimit dhe atë të mbrojtjes së të dhënave personale, për publikimin e deklaratave të interesave private”, si dhe angazhimin e Kuvendit dhe të Qeverisë për të mbështetur institucionin me financime të nevojshme për sigurimin e qëndrueshmërisë së sistemit elektronik, të deklarimit të interesave private”.

(Kliko këtu për të lexuar draftin për ndryshimet në ligjin ILDKPI)

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?