Një nga mbledhjet e KQZ-së

Ekskluzive/ Raporti i KQZ: Ja pse nuk u mbajtën zgjedhjet lokale në 13 tetor, lëvizja taktike e LSI-së dhe dhuna nga PD

9 Mars 2020, 16:26| Përditesimi: 9 Mars 2020, 16:29

  • Share

Përmes një raporti të dorëzuar në Kuvend për veprimtarinë vjetore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka sqaruar se pse nuk u zhvilluan zgjedhjet lokale të 13 tetorit 2019, datë kjo e caktuar nga Presidenti Ilir Meta, pasi anuloi zgjedhjet e 30 qershorit. Në raport thuhet se KQZ nuk arriti të mblidhej për shqyrtimin e kërkesave të tre partive për t’u regjistruar në zgjedhje, konkretisht të LSI-së, PR dhe Partisë dhe Partia Agrare Ambientaliste. Por, KQZ thekon se tre partitë nuk vunë në lëvizje Kolegjin Zgjedhor për të detyruar KQZ-në që t’i regjistronte në zgjedhjet e 13 tetorit. “Në datën 07.08.2019, do të shytoheshin kërkesat për regjistrimin e partive politike të sipërpërmendura, por mbledhja e KQZ-së nuk u zhvillua për mungesë kuorumi. Referuar nenit 145 pika 2, e Kodit Zgjedhor, asnjë nga subjektet e sipërpërmendura nuk depozitoi ankim në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë”, thuhet në raport. 

KQZ informon Kuvendin edhe sa i takon dekretit të dytë të Presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe për zhvillimet që pasuan. “Referuar dekretit të sipërpërmendur Partia Uniteti Kombëtar, në datën 13.06.2019, ka paraqitur në KQZ kërkesën për çregjistrimin e saj nga zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 30.06.2019. KQZ, me vendimin nr. 836, datë 13.06.2019 vendosi, rrëzimin e kërkesës së Partisë Uniteti Kombëtar për ç’regjistrim nga zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 Qershor 2019 dhe heqjen emrit nga fletët e votimit, të Partisë Uniteti Kombëtar. Kundër vendimit të sipërcituar subjekti politik Partia Uniteti Kombëtar bëri ankim në Kolegjin Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Kolegji Zgjedhor me vendimin nr. 12, datë 24.06.2019 vendosi rrëzimin e kërkesë padisë dhe lënien në fuqi të vendimit të KQZ-së”, thuhet në raport. 

Në raportin e KQZ reflektohen edhe veprimet e dhunshme të përfaqësuesve të PD, për të penguar zgjedhjet. “Veprime të dhunshme në Selitë e disa KZAZ-ve me pasoja dëmtimin apo edhe asgjësimin e materialeve zgjedhore, në disa raste edhe në kohën kur komisionerët ishin në detyrë, tensionuan situatën. Në të gjitha këto raste, komisionerët me qetësi dhe përgjegjshmëri të lartë vijuan përmbushjen e detyrave duke shmangur situatat konfliktuale. KQZ mori masat dhe pajisi KZAZ-të me materiale zgjedhore të cilat u dëmtuan, dhe caktoi 11 Vende të Numërimit të Votave në ambiente të tjera, në vlerësim të situatës, problematikave dhe propozimeve të paraqitura nga Prefektët e Qarqeve”. 

Sa i takon akuzave politike për manipulimin e pjesëmarrjes në votime, KQZ sqaron se në zgjedhjet e datës 30 qershor, sikundër edhe në proceset zgjedhore të mëparshme, shifrat zyrtare për pjesëmarrje në votim disponohen vetëm nga dokumentacioni zyrtar zgjedhor: procesverbalet e plotësuara nga KQV pas mbylljes së votimit, po ashtu edhe tabelat e rezultatit të votimit të plotësuara nga Grupi i Numërimit të Votave. “Vëmendja dhe interpretimi që ju dha informacionit të KQZ-së për shifrat e pjesëmarrjes në votime në datë 30 qershor 2019, erdhi për shkaqe që janë përtej natyrës, misionit dhe punës së KQZ”, thuhet në raport.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?