Fatmir Bardhoci, mjeshtër ndërkombëtar i arteve marciale, vjen si regjisor në filmin “Fighiting for love”. Një film i mbështetur në ngjarje reale, ka në qendër vuajtjet e jetës së një njeriu brenda edhe jashtë vendit të tij. Ngjarjet zhvillohen në Kukës, aty ku Fatmir Bardhoci në moshën 15-vjeçare pa varjen e poetit Havzi Nela dhe u motivua për filmat me aksion ku luante Van Dam. Regjisori rrëfen për kamerën e “Reporttv” se dëshira e tij është që të evidentojë vlerat kombëtare të historisë së vendit tonë gjatë gjithë historisë botërore.
Zoti Bardhoci, kontributi juaj këto vite ka qenë në arte marciale. Kësaj here vini si regjisor në një film. A mund të në thoni diçka më shumë nga fëmijëria e hershme në Kukës, ngjarjet që kanë lënë gjurmë për të bërë një film?
Është e vështirë të flas për atë periudhë, por duhet të flas. T’i kujtoj ato ngjarje nuk është shumë e vështirë, ma ka bërë më të lehtë vizita që kam bërë para dy ditësh tek familja e poetit Havzi Nela, ku kam takuar gruan e tij. Më ka mallëngjyer ngjarja që kam parë, (varja e poetit në mes të Kukësit), por edhe realiteti i sotëm. Një familje e vuajtur që nga ajo kohë, por edhe e lënë në harresë edhe në ditët e sotme të demokracisë. Është për të ardhur keq! Ngjarja që kam parë, sikundër e kanë parë mijëra të tjerë, në qytetin e Kukësit ishte një ngjarje makabër. Në atë kohë nuk e dinim se kush ishte Havzi Nela, thjesht pamë një njeri të varur në mes të qytetit të Kukësit dhe ishte tmerr. Këtë tmerr e pasqyrojmë më së miri në film, që publiku të kuptojë se si e kanë përjetuar fëmijët, një familje, një traumë e pësuar, por që ka zgjatur edhe me breza. Nuk është vetëm thjesht fenomeni i një varje, por është edhe fenomeni i një brezi. Jam i lumtur kur shikoj sot se gjithçka ka ndryshuar. Kam jetuar në Gjermani për një kohë të gjatë, por kam qenë gjithmonë i lidhur me Shqipërinë.
Ëndrra ime ka qenë në vitin 1989 kur jam larguar, ka qenë ikja ime në Amerikë. Nuk është e lehtë që të flas për atë. Filmi është një ngjarje që më ka ndjekur gjatë gjithë jetës sonë.
Në qendër të filmit është vëmendja ndaj karakterit kombëtar, por sa është e mundur që një sportist të arrijë të përcjellë edhe vlera artistike, për të çarë në tregun kinematografik?
Është shumë e vështirë, jo çdokush mund ta bëjë, por gjatë jetës sime kam treguar se jam person me aftësi të jashtëzakonshme. Kjo është edhe arsyeja përse jam sot në Amerikë. Të drejtën e qendërzimit e kam marrë si person me aftësi të jashtëzakonshme. Këtë aftësi duhet që të shpalos në këtë film. Ka qenë e thjeshtë që të bëj skenaristin, sepse kanë qenë ngjarje të përjetuara nga unë. Jam munduar që të shpalos të gjithë ato ndjenja në film. Përsa i përket aktrimit unë luaj në disa filma në Amerikë, filma policor të cilin e kam rol profesional, sepse jam trajnuar edhe edukuar në forcat e sigurisë. Drejtori i filmit ka të bëjë me anën profesionale. Të gjitha këto fusha që kam pasur gjatë jetës, si nga sporti apo arti, kinematografia, vendosja e imazheve, që kam përjetuar në rolet e personazheve në skenë, kombinimi i personazheve me karaktere të ndryshëm, zgjedhja e tyre nuk janë rastësore, por vijnë si një eksperiencë e akumuluar nga Shqipëria, Gjermania dhe Amerika.
Ka ndikuar idhulli juaj Van Dam në realizimin e këtij filmi?
Sigurisht, Van Dam ka ndikuar për fillimet e mia në artet marciale. Ai ka qenë idhulli im në atë kohë që ne shikonim televizor fshehtas apo të gjithë bashkë. Por, filmat e tij më kanë ndjekur gjatë gjithë kohës, më kanë inspiruar dhe që nga vitet ’90 deri më tani nuk jam shkëputur asnjë ditë. Unë jam edhe themeluesi i arteve marciale në Shqipëri, themelues i dy federatave. Tani kemi themeluar federatën botërore të “Mundjes” në Nju Jork, për t’i treguar botës, që sporti i mundjes së kundërshtarit është një sport antik pellazgo ilir. Nuk është një sport i ri, që ka të bëjë me Greqinë, por ka të bëjë me pellazgët. Jam i lumtur që arrita ta bëjë realitet, pavarësisht se nuk kemi mbështetje shtetërore, ne mund që të bëjmë diçka vet. Jo gjithçka varet nga shteti, sepse nëse personi dëshiron që të bëjë diçka kjo mund të bëhet edhe pa mbështetjen e tij.
Nëse do që të dalësh me një nivel më të lartë, atëherë kërkohet mbështetje e tij edhe është detyrim i shtetit që të ndihmojë, sepse në mes është mundi i taksapaguesve shqiptarë, një ndër të cilët jam edhe vet.
Janë disa tema që trajton në film, por ku do të fokusoheni më shumë?
Është një kompleks ndjenjash edhe detyrimesh, që kemi ndaj kombit për t’i evidentuar. Ashtu siç e ka detyrim një arkeolog që paguhet nga taksapaguesit shqiptarë, që nuk arrin edhe t’i bëjnë për shkak se ndoshta janë të penguar edhe nga qarqe të ndryshme, që janë të interesuar që vlerat kombëtare mos të dalin në pah. Një vlerë tjetër është evidentimi i vlerës unike në botë, bashkëjetesa jonë shqiptare. Është e vështirë që të gjesh në botë edhe një katolik edhe një shqiptar, që kanë një bashkëjetesë të mirë fetare. Për botën e civilizuar, si evropiane edhe moderne, është një vlerë që ata e duan por nuk e kanë, ndërsa ne e kemi edhe duam që ta evidentojmë më shumë. Por edhe trajtimi i besës, që ne kemi do të trajtohet në këtë film.
Po buxheti i filmit sa është menduar?
Rreth 1.5 mln dollarë, duke marrë përsipër që ta reduktojë pjesën më të madhe të shpenzimeve me forcat e mia. Nuk është një bamirësi që e kërkoj për veten time, por sepse duhet që të nxjerrim Shqipërinë nga ai terr i tëmerrshëm. Në asnjë bibliotekë kombëtare të huaj nuk flitet për Shqipërinë, Skënderbeun e kanë bërë turk, Shën Terezën maqedonase. Nuk flitet për vlera shqiptare kjo është tmerr.
Në kastin e këtij filmi do të jenë, japonezi Akihiro Haga, Jakup Muja, Sam Youl dhe Mehein Selimi, të cilët do të vijnë në Shqipëri enkas për të xhiruar në këtë film. Ndërsa, do t’u bashkohen edhe aktorët shqiptarë, Bruno Shllaku, Besmir Bitarku edhe Freskida Miloti. Filmi pritet të dalë në kinema brenda vitit 2018.