Kronikë

Ekskluzive/ Reportazh nga Spitali Memorial i Fierit, në pritje të pacientit të parë

27 Maj 2021, 09:55| Përditesimi: 27 Maj 2021, 10:25

  • Share

Spitali Memorial rajonal i Fierit, një investim ky i qeverisë turke në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, në vlerën e 70 milion eurove. Një ndërtesë që u ndërtua në kohë rekord në një periudhë tre mujore, e që duke filluar nga sot do të jetë në shërbim të qytetarëve. Në këtë ndërtesa prej më shumë se 17 mijë metra katrorë do t’u ofrohet shërbim 150 pacientëve, me shërbim të teknologjive më të fundit. Në të gjitha dhomat e këtij spitali përdoret teknologjia më e fundit, teknologji që përdoret pothuajse në të gjitha spitalet turke. Një bashkëpunim mes mjekëve turq dhe shqiptar për t’iu ofruar shërbimin dhe standardin më të mirë jo vetëm qytetarëve të qarkut të Fierit por të gjithë qytetarëve të Jugut.

Një investim që u garanton qytetarëve shqiptarë një shërbim të standardeve  evropiane që nga urgjenca, kontrollet por dhe ndërhyrjet kirurgjikale.

" Kjo dhomë përdoret për të ekzaminuar të gjithë pacientët tanë që vijnë në këmbë këtu. Pacientët tanë, do të priten nga ne dhe do të marrin nga ne vlerësimin e parë dhe më pas do të caktohet se ku do të drejtohen! Në bazë të gjendjes së tyre ne përcaktojmë nëse ata do të vendosen në sallën e mbikëqyrjes apo do të shtrohen. Pra këtu është vendi i parë ku bëhet vlerësimi i pacientëve. CPR është një dhomë që uroj të mos e përdorim shumë! Në këtë zonë vijnë të gjithë ata persona të cilët mund të kenë humbur vetëdijen, mund të kenë pësuar arrest kardiak dhe në fakt është vendi më i rëndësishëm i emergjencës. Në këtë zonë ne do të mundohemi tu japim ndihmë të gjithë atyre të cilët gjenden në gjendje të rëndë!’, tha Shefi i urgjencës Erman Moral.

 

 “Në këtë dhome gjenden të gjitha llojet e operacioneve të organeve të brendshme,  për të hequr tumoret e mushkërive dhe organeve të tjera! Në këtë sallë bëhen të gjitha llojet e ndërhyrjeve deri tek heqja e tiroideve. Më vonë do të vijnë edhe ekspertë të tjerë të neurologjisë, ortopedisë dhe nekrologjisë dhe jam i sigurte se ata do të arrijnë t’ia dalin me sukses! Ne kemi këtu teknologjitë më të arrira në botë. Për anestezinë ne përdorim metodat më të mira. Në anën tjetër kemi labroscopinë të cilët e shohim. Mund ta shohim bashkë nga afër !Është një aparat që përdoret për operacionet e hapura dhe është i një teknologjie shumë të lartë“, u shpreh Bülent Cavit Yüksel, kirurg i përgjithshëm.

Ndërkohë që në sallën e operacionit përdoren teknologji që nuk janë parë më parë siç na e rrëfen edhe vetë kirurgu i njohur turk Bülent Cavit Yüksel.

“Kjo është një tabelë që mat lagështinë, ajrin, ndriçimin dhe sistemin zanor. Në fakt në këtë tabelë gjendet truri i sallës së operacionit. Kemi po ashtu edhe një nga sistemet më të mira në botë të filtrimit”, tha kirurgu turk.

Në repartin e terapisë intensive në Spitalin Memorial të Fierit, brenda këtyre ambienteve mund të shikohet një standard mjaft i lartë dhe teknologjitë më të fundit. Nëse ne do të futemi në një nga 20 dhomat të cilat do të trajtojnë pacientët të cilët janë në përballje me vdekjen. Mund të shohim që kushtet janë tejet të avancuara, ka një sistem ventilimi të fundit dhe çdo gjë këtu është në standardet më të mira për ti siguruar një trajtim sa më profesional të gjithë pacientëve që vijnë këtu. Dhe për t’u krijuar mundësi sa më të mëdha për t’u rikthyer në jetë. E veçanta e terapisë intensive në Spitalin e Fierit është që ka një monitor qendror që vëzhgon dhe kontrollon të gjithë pacientët që ndodhen në njërën nga këta 20 shtretër. Pra pacienti është nën kontroll të vazhdueshëm për 24 orë.

Spitali memorial në të gjithë pavionet e tij, me dhomat në kushtet më moderne dhe teknologjinë e avancuar të jep përshtypjen e një ambienti të largët, por që nga enjtja do të jetë i prekshëm për të gjithë ata të cilët do të kenë nevojë për një trajtim.

“Do të ofrojë shërbimet e urgjencës mjekësore, shërbimet ambulatorike dhe të gjitha shërbimet e tjera, ku do të trajtohen të gjitha diagnozat e tjera të mjekësisë moderne. Shërbimet kirurgjikale, shërbimet e kirurgjisë kardiovaskulare, të kirurgjisë ortopedike, traumaturgjisë, urologjike dhe shërbime të tjera specifike, siç është ajo neurologjike dhe i shërbimi i sëmundjeve infektive", tha Rudina Degjoni, drejtoreshë e Spitalit Memorial.

Në tre seksionet  A, B,C  të spitalit janë vendosur të gjitha mjetet e nevojshme por për të krijuar një standard më të lartë, hapja do të jetë graduale.

“Meqë spitali ka 150 shtretër, ne kemi menduar të bëjmë një hapje graduale të shërbimeve. Kemi filluar aktualisht me shërbimet esenciale që është shërbimi i urgjencës  kirurgjikale mjekësore, shërbimi i mjekësisë interne, shërbimi i mjekësisë së laboratorit, imazherik, i kirurgjisë së përgjithshme si dhe shërbime të tjera si kardiologjia, gastrohepatologjia, shërbimi i imazhërisë diagnostikuese si dhe shërbime të tjera bazike për konsulta të specializuara me mjekët tanë,” tha drejtoresha e spitalit.

Përveç teknologjisë së lartë të pajisjeve dhe komoditeti që ofron struktura 395 mjekëve dhe infermierëve, 56 prej të cilëve turq do të ofrojnë shërbim për pacientët e zonës.

 “Është një bashkëpunim i ngushtë midis mjekëve shqiptar dhe turq.  Që do të thotë se në spital ka ditë që kanë ardhur mjekë të palës turke, të cilët janë profesor-doktor të nderuar, të specialiteteve të ndryshme.  Jo vetëm mjek kirurg, por edhe mjek të specializuar në mjekësinë interne, anestezist, imazherist të avancuar, të shërbimit të urgjencës“, tha Rudina Degjoni.

“Ne kemi ardhur këtu për të kaluar të gjitha njohuritë tona tek vëllezërit shqiptar dhe po ashtu për të bashkëpunuar me ata . Qëllimi ynë këtu është të ofrojmë trajtime të teknologjive të fundit për të luftuar edhe sëmundjet më të avancuara. Qëllimi ynë fillestar është pikërisht ky. Mjekët që do të vijnë në të ardhmen do të jenë me pervojë. Njëjtë si vëllezër dhe bashkëpunëtor, njëjtë si mësuesi dhe nxënësi ne do të mësojmë nga njëri-tjetri, ata do të mësojnë nga ne dhe ne nga ata dhe së bashku do ta vëmë këtë vend në punë”, tha Bylent Yuksel.

“Sapo jemi prezantuar me mjekët turq, ata duken shumë bashkëpunues. Janë të qartë për atë për të cilën kanë ardhur. Kanë ofruar bashkëpunim në radhë të parë për përcjelljen e aparaturave, në përcjelljen e protokolleve që ata kanë zbatuar në Turqi, përcjelljen e eksperiencës së tyre në spitalet turke”, tha doktor Euglert Karriqi.

Spitali Memorial sjell dhe një risi për shërbimin spitalor shqiptar ku mjekët do të paguhen në bazë të performancës gjatë punës.

 “Modeli i performacës. Është menduar që të aplikuar gjatë punës tonë. Do jetë karta e vlerësimit  të performancës e bazuar në disa pika. Le të themi se nëse një mjek ka kryer 10 operacione gjatë 8 orarëshit të punës dhe një nga këto është i vlerësuar me disa pikë këto do mblidhen në fund të muajit dhe do të vlerësohet performanca,” tha Degjoni.

Vlen të theksohet se në këtë spital mund të vihet nëpërmjet rekomandimit të mjekut. Pra të gjithë qytetarët të cilët duan të marrin trajtimin e tyre, mjafton të kenë një rekomandim të mjekut të familjes nëpërmjet sistemit online dhe mund të vijnë këtu, për të marrë trajtimin me metodat dhe mjekët më të mirë dhe pa paguar asgjë.

Me një shërbim tejet cilësor, me standardet më të larta të punës qytetarët shqiptarë, do të mund të marrin nga 27 maji shërbimin mjekësor që ata meritojnë.

“Të gjithë urojmë që njerëzit të mos sëmurën kurrë, por ka një të vërtetë të tillë që të gjithë mund të sëmurën një ditë. Dhe ne mendojmë se çdo njeri meriton më të mirën. Dhe ky spital më besoni se është në standarde ndërkombëtare, më besoni kam parë shumë spitale në botë, në Turqi dhe më gjerë”, tha kirurgu i përgjithshëm Bylent Yuksel.

 

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?